Raporti i Dik Martit: Berisha e quan Rracist, perfaqesuesit e tij te respektueshme!

0
45


Nga Korresp. 24-ore.com

Tirana zyrtare voton pro rezolutës që kërkon hetim ndaj kryeministrit të Kosovës,Hashim Thaçi lidhur me trafikun e organeve në Kosovën e pasluftës. Qëndrimi i qeverisë Berisha është bërë i ditur dje nga Ilir Rusmajli, kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, i vetmi deputet shqiptar që dje votoi në favor të rezolutës së bazuar mbi raportin racist të Dick Martyt.

Pjesëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar votuan kundër rezolutës, ndërkohë që një pjesë e madhe e amendamenteve të tyre u hodhën poshtë nga përfaqësuesit e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës.

Kryeministri Berisha e ka dënuar histërine raciste të Dick Martyt në raportin e tij, por pavarësisht nga deklaratat e fuqishme e emocionale, qëndrimi zyrtar i tij rezultoi të ishte krejt ndryshe dhe në përputhje me rezolutën që kërkon hetimin e liderëve kosovarë. Deputeti Rusmajli deklaroi gjatë fjalimit të tij, se rezoluta nuk kërkonte kundërshtarë, por përkrahës dhe se ajo në vetvete është pro hetimeve të detajuara lidhur me raportin e senatorit zviceran.

“Ne jemi pro hetimeve, kemi besim te EULEX dhe kërkojmë që të sqarohen akuzat e ngritura. Kjo rezolutë është në vetëvete e respektueshme”, deklaroi Rusmajli duke e bërë të ditur në Strasburg qëndrimin e qeverisë Berisha.

Vetë kryeministri shqiptar kishte deklaruar më parë se “Tirana do ta votonte rezolutën, edhe pse kishte përçim tonë për racizmin e Dik Marty në raport”. “Racizmi nuk i bën nder askujt, përkundrazi është një atavizëm nga i cili njerëzit e qytetëruar duhet të luftojnë, të çlirohen dhe të gëzojnë dhe ata vlerat, sepse pengojnë shumë”, ka deklaruar kreu i qeverisë.

Megjithatë, në një qëndrim kontradiktor me këtë, Berisha i bëri të ditur ushtruesit të detyrës së presidentit te Kosovës, Jakup Krasniqi, pak ditë më parë në Tiranë se do ta mbështeste Kosovën në këtë pikë. “Marty i ka mbledhur akuzat e tij nga analet e Beogradit, nga lobet ruse e të tjerë me radhë, por ai dëshmohet e del lakuriq para botës me racizmin e tij në përshkrimin që i bën shoqërisë shqiptare”, tha Berisha. “Ai i ka lejuar vetes të përdorë shabllone të doktrinës raciste serbe ndaj shqiptarëve dhe t’i transkriptojë ato në një raport për Këshillin e Europës. Shoqëria shqiptare nuk është ajo që ai paraqet”, deklaroi kryeministri.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi dje rezolutën lidhur me raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, që kërkon hetime lidhur me krimet dhe trafikun e organeve pas konfliktit të Kosovës. Më anë të kësaj rezolute që u miratua me 169 vota pro, 8 kundër dhe 14 abstenim, bëhet thirrje për hetime ndërkombëtare dhe shqiptare lidhur me atë çfarë ndodhi pas luftës, përfshi këtu edhe dyshimet se organet që u hoqën nga të burgosurit serbë u dërguan jashtë për transplantim.