Statusi drejt dështimit. Kukan: I bëj thirrje qeverisë të kuptojë situatën

0
33

TemA, 15 Nëntor 2012

Eurodeputetët kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjeve të 21 janarit dhe kompensimin e ish- të përndjekurve politikë

“I bëj thirrje klasës politike në Tiranë për të gjetur menjëherë zgjidhje për çështjen e ligjeve me 3/5, pasi kompromisi është i mundur dhe konflikti nuk ka të bëjë me këto ligje. Është e rëndësishme që qeveria të kuptojë rëndësine e situatës dhe të bëjë lëshime. Shqipëria mund të mos e marrë statusin edhe duke miratuar këto tre ligje, pasi janë vendet anëtare, që e vendosin këtë, por votimi i kushteve është një mundësi e mirë”.

Kjo ka qenë deklarata e Eduard Kukan në seancën e Komitetit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, që po diskuton progresin e Shqipërisë në raport me vendimin për statusin e vendit kandidat, raporton Vizion Plus.

Shqipëria duhet të japë prova konkrete të bashkëpunimit politik për të hequr skepticizmin që ekziston në BE për të, tha kreu i delegacionit të PE-së për Ballkanin, ndërsa ka apeluar edhe për organizimin e një procesi të drejtë dhe të rregullt zgjedhor. Kukan kërkon veç të tjerash që në raportin e Kuntis, reporterit për Shqipërinë, të përfshihen edhe amendamentet për hetim të plotë për ngjarjet e 21 janarit dhe të kërkohet zbatimi i ligjit në rastin e ish-të përndjekurve politikë.

“Jam i mendimit që qeveria dhe opozita duhet të bashkëpunojnë. Kemi nevoje për më shume prova për të hequr skepticizmin për situatën në Shqipëri. Çështja e parë janë zgjedhjet pasi është shumë e rëndësishme mënyra se si ky proces, pra zgjedhjet e lira dhe të drejta do të menaxhohen. Parlamenti Europian vëren progresin e kufizuar në reformën në gjyqësor dhe i bën thirrje autoriteteve të garantojnë pavarësinë dhe integritetin e një gjyqësori të lirë nga ndërhyrjet politike dhe korrupsioni. PE nënvizon se ngjarjet e janarit 2011, duhet të zbardhen pa vonesa dhe pengesa të mëtejshme dhe përmes hetimeve gjithëpërfshirëse e të pavarura, dhe procedurash të besueshme gjyqësore. Parlamenti Europian është gjithashtu i shqetësuar nga situata e krijuar me ish-të burgosurit politikë, që zhvilluan një greve urie dhe protesta në rrugë. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve kompetente të zbatojnë plotësisht ligjin për kompensimin e tyre”.

Ndërsa zoti Kuntis tha: “Shqipëria nuk është stabilizuar dhe nuk duhet të harrojmë kushtet, që nuk janë plotësuar ende. Prandaj do të bëjmë disa modifikime të vogla për të përfshirë sugjerimet tona. Pasdite do të përpilohet drafti përfundimtar, por një numër i madh amendamentesh, që përmendi edhe zoti Kukan, për një hetim te pavarur për çështjen e 21 janarit dhe ato për të përndjekurit politike kane mbështetjen time gjithashtu”. Raporti i zotit Kuntis do të plotësohet me propozimet e reja dhe do të miratohet gjatë punimeve të Parlamentit Europian me 22 nëntor në Strasburg.