Ditëlindja e gabuar e krizës

0
38


Nga Mero Baze

Përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës shqiptare duhen mirëkuptuar si përpjekje për të shëruar pasojat e 21 janarit, dhe si të tilla ato janë vetëm një qetësues mbi plagën e pashëruar të krizës shqiptare. I dërguari evropian për krizën, por dhe angazhimi në nivele të larta i diplomacisë së SHBA, janë fokusuar të gjithë tek ndalja e dhunës, ndalja e protestave dhe hetimi për vrasjet e ndodhura përballë zyrave të kryeministrit Sali Berisha.

Ky nivel i lartë angazhimi në të vërtetë nuk i përgjigjet rëndësisë që ka në qetësimin e situatës në Shqipëri, pas 21 janari. Ajo që ndodhi më 21 janar është e qartë dhe nuk ka shumë nevojë për asistencë ndërkombëtare, as për tu gjykuar dhe as për tu hetuar. Më 21 janar në një demonstratë rutinë të dhunshme, kryeministri Berisha ka urdhëruar dhe po mbron vrasësit e tre qytetarëve shqiptarë.

Kjo natyrisht që ka rritur zemërimin popullor dhe përbetimin e opozitës për protesta, por nuk ka ndryshuar asgjë nga shkaqet pse ndodhi 21 janari. Me to nuk po merret askush dhe derisa ato të injorohen, 21 janari do të përsëritet ose në formën e tij makabre, ose në forma të tjera, pasi ajo është pasojë e një plage të pashëruar.

Siç është vlerësuar dhe nga media e huaj dhe ajo shqiptare, 21 janarin e prodhoi injorimi i vazhdueshëm i krizës shqiptare nga qeveria e kryeministrit Berisha dhe mbyllja e derës ndaj opozitës për çdo opsion të saj. Historia e politikës shqiptare pas 28 qershorit është një përpjekje konstante për të delegjitimuar çdo lëvizje politike të opozitës dhe për ta bërë atë të pafuqishme për të përfaqësuar shoqërinë opozitare në Shqipëri.

Asaj ju mohua në mënyrë arrogante transparenca e zgjedhjeve dhe të gjitha shqetësimet e saj mbi nivelin galopant të korrupsionit në Shqipëri. Dhe si për të derdhur kupën e durimit para shqiptarëve shfaqet arroganca e Sali Berishës dhe Ilir Metës, të kapur me zë dhe figurë duke plaçkitur Shqipërinë, të cilët fyen dyfish shqiptarët me mënyrën se si donin të justifikonin atë që po bëjnë përditë.

Pra, drejt 21 janarit shqiptarët shkuan të fyer nga pushteti, të fyer nga arroganca e tij për transparencën e zgjedhjeve dhe transparencën e qeverisjes, të zemëruar nga aferat e përditshme ku familjarët e pushtetit janë shpallur qytetarë të dorës së parë dhe shqiptarët qytetarë të dorë së dytë. Perëndimi u dorëzua ndaj kësaj arrogance. Edhe opozita u kryqëzua si i paaftë ndaj kësaj arrogance. Qytetarët nuk u dorëzuan dhe dolën në rrugë duke ndodhur ajo që ndodhi.
Tashëm ne kemi një vëmendje të madhe perëndimore për të zgjidhur pasojat e 21 Janarit.

Kjo është një gjë e mirë, por asgjë nuk sjell stabilitet në Shqipëri, pa u zgjidhur problemet që prodhuan 21 Janarin. Përpara se kryeministria të mbrohet me gardistë të papërgjegjshëm dhe elementë kriminal të rekrutuar nga familja në pushtet, ajo mbrohet me mjete politike, mbrohet me dialog dhe respektim të institucioneve. Pas 21 janarit Berisha shpalli një grusht shteti, duke mos njohur institucionet e drejtësisë, duke uzurpuar kompetenca të presidentit dhe duke i shpallur luftë fizike opozitës, dhe dënim me vdekje liderit të saj.

Kjo rriti artificialisht tensionin tek faktori ndërkombëtar dhe dje Berisha me pafytyrësinë e tij klasike u tërhoq nga çmenduritë e tij dhe kjo po i vlerësohet si pozitive. Kjo është një qasje sempliste ndaj krizës, një manovër për tu qetësuar nga profili i papërgjegjshëm i Sali Berishës, nga i cili kanë frikë se mund t’i vërë zjarrin Shqipërisë si në vitin 1997. Është gabim. Shqipëria nuk i rikthehet më vitit 1997 për shumë faktorë.

Mbi të gjithë se dhe vetë Sali Berisha pavarësisht se po i bën gjithë “adetet” e vitit 1997, nuk shkon deri tek anarkia dhe dhuna në rrugë pasi ai nuk është më “asketi” dhe i vetmuari i vitit 1997. Ai ka fëmijë të pasur me prona prej miliardash, mbesa e farefis që kanë Shqipërinë pronë të tyre dhe ata nuk janë të gatshëm t’i vënë flakën asaj aq lehtë. Edhe pse shpesh ai e mërmërin skenarin tunizian, ana e tmerrshme e atij skenari është se populli filloi tu vërë zjarrin pronave të nipave, mbesave e dhëndurëve dhe farefisit të Ben Alisë.

Kjo është një arsye e fortë që vetë Berisha përpiqet të frikësojë Perëndimin me gjestet e vitit 1997, por nuk e kthen dot Shqipërinë në atë kohë. Përtej tij është një Shqipëri tjetër që nuk bëhet si ajo e vitit 1997. Ka dhjetëra faktorë të tjerë në Shqipëri që dinë të mbrojnë dhe ta ruajnë këtë vend, pavarësisht çmendurive të një njeriu, dhe nuk do të ketë më një vit 1997. Por ajo që është e rëndësishme është që të mos kemi as hiena që duan të na kërcënojnë me njollën me të zezë të tyre.

Ndarja mes Evropës dhe SHA mbi shkaqet e krizës së vitit 1997 u shfrytëzua mrekullisht atëherë prej Berishës. Evropa e shikonte krizën si krizë financiare shkaktuar nga skemat piramidale dhe u përqendrua tek zbutja e atyre pasojave duke i dhënë shans Sali Berishës ta shihte faktor kryesor, ndërsa SHBA e shihte si krizë thelbësore të demokracisë duke kërkuar zgjidhje thelbësore të saj. Mes kësaj paqartësie, Berisha notoi dhe mbijetoi.

Tashmë është mirë që kjo histori të mos përsëritet. Ajo që ndodhi më 21 Janar është një krizë e menaxhueshme. Askush nuk mund të qetësojë shpirtrat e zemëruar, bile as familjarët e viktimave, nëse arrin në përfundim se ata u vranë nga qitës nga Gramshi apo një qitës nga Tropoja. Zemërimi ndalet kur të bien arsyet përse njerëzit dolën në rrugë të zemëruar më 21 Janar. Kriza nuk e ka ditëlindjen më 21 Janar. E ka më herët, bile më herët dhe se 28 qershori i vitit 2009, kur trupi i dobësuar i demokracisë shqiptare, nuk i rezistoi dot virusit të zgjedhjeve të vjedhura.

Prandaj nëse duhet ta njohim këtë krizë dhe nëse duhet ta zgjidhim, duhet ta nisim me ditëlindjen e saj. 21 janari është ditëlindje e gabuar, është në një farë mënyre si ditëlindja fallco e Sali Berishës më 15 Tetor. Arsyet përse ndodhi 21 Janari janë ende gjallë, janë çdo ditë para nesh si kufoma të gjalla. Ne ende shohim në ekrane kufomën e gjallë të Ilir Metës, kufomën e gjallë të Lulëzim Bashës dhe kryeministrin buzëplasur Sali Berisha, që duan të na shesin krimin për heroizëm dhe plaçkitjen për qeverisje.

Paqja vjen nga një zgjidhje politike që i jep fund arsyeve që nxorën njerëzit në rrugë më 21 janar dhe jo nga paradat ushtarake, gjestet makabre të lavdërimit të vrasësve, apo investimet e diplomacisë perëndimore tek qetësimi i qytetarëve dhe shtetarëve. Kjo nuk është një histori e ndonjë burri shteti apo ndonjë burri mileti. Kjo është një histori e anomalisë së demokracisë shqiptare që duhet korrigjuar në thelb. Një kazan që zien nuk ndalet duke e ruajtur mos derdhet, por duke fikur zjarrin. Dhe ai është në zjarr para 21 Janarit.