Nga Mero Baze, 14 Nëntor 2012
Qeveria shqiptare po rikthen në atdhe eshtrat e Ahmet Zogut, Mbretit të shqiptarëve, që u vetëzgjodh dhe vetëlargua nga vendi me dëshirë të tij. Rikthimi në atdhe në rrugë zyrtare i eshtrave të tij është një gjest i veçuar dhe i ndarë nga përgjegjësia jonë shtetërore për të rikthyer në atdhe fjala vjen gjithë elitën politike të mërguar në shenjë pranimi të fatit të tyre shqiptar, pavarësisht regresit apo progresit që kanë sjellë në politikë.
Vendimi selektiv për të sjellë në atdhe vetëm Ahmet Zogun, pra nuk është një gjest shtetëror, por politik dhe synon të identifikojë pushtetin e sotëm me trashëgiminë politike të tij. Në këtë pikë nuk dua të flas për meritat apo mbrapshtitë e Zogut, për figurën e tij autokrate dhe sjelljen demoniane ndaj kundërshtarëve politikë, për vrasjet politike të urdhëruara prej tij dhe dënimet me vdekje, por për faktin se si Zogu dhe kundërshtarët e tij ishin shqiptarë dhe meritojnë të kenë një varr në këtë vend, pavarësisht nëse ai do të mbulohet me lule dhe nderime apo turp. Nëse do të ishte një gjest shtetëror, do të ishim të gjithë më të qetë dhe më të qartë, mund të kishim bashkë me të dhe politikanë të tjerë antizogistë, zogistë, kolaboracionistë dhe natyrisht një vështrim sërish më gjakftohtë dhe për udhëheqësit komunistë, që i kanë zhdukur varret njëri- tjetrit.
Por ne nuk jemi në këtë stad. Ky do të ishte një moment i madh qetësie dhe reflektimi i shoqërisë sonë, që ashtu siç i pranon të gjallë me përulje diktatorët dhe demokratët, patriotët dhe tradhtarët, t’i pranojë dhe të vdekur.
Ahmet Zogu nuk po vjen si i tillë dhe as i përfshirë në këtë këndvështrim. Ai po vjen thjesht se nga gjithë historia e mëparshme e Shqipërisë, nga gjithë politikanët liberalë dhe autokratë, nga gjithë patriotët dhe tradhtarët, nga gjithë diplomatët dhe kolaboracionistët, e ka përzgjedhur Sali Berisha. Dhe si e tillë kjo ceremoni dëmton seriozitetin tonë shtetëror për t’u bërë një vend për varr gjithë atyre që i kemi pranuar si udhëheqës kur ishin gjallë. Ahmet Zogu po dëmtohet nga kthimi i tij politik në Shqipëri prej Sali Berishës më shumë se sa nga ikja e tij në 7 prill të 1939, pasi kjo mënyrë të kthyeri në Shqipëri ia bën të shndritshme errësirën që ka mbuluar gjesti i lëshimit të atdheut.
Por ajo që ia bën dhe më të dukshme këtë njollë të errët ish-Mbretit, është fakti që Sali Berisha ka përzgjedhur ditën e varrimit të tij, një ditë simbol për kryeqytetin e Shqipërisë, 17 Nëntorin. Unë nuk jam nga ata që “mahniten” nga ndonjë lufte heroike, por çlirimi i Tiranës nga një ushtri fashiste është ndoshta ngjarje më kulmore e historisë së Shqipërisë në këto 100 vjet. Ajo është e vetmja ngjarje, e cila duhet të bashkonte shqiptarët, pasi në këto 100 vjet ky vend u pushtua vetëm një herë më 7 Prill 1939 dhe humbi pavarësinë duke iu bashkuar juridikisht mbretërisë italiane, dhe e rifitoi atë më 17 Nëntor, kur kryeqyteti i vendit u çlirua nga ushtria e fundit fashiste në vend.
Biles nëse ne do të ishim një vend serioz, 17 Nëntorin duhet ta kishim festë të çlirimit të Shqipërisë dhe jo të ziheshim politikisht se kur iku ushtari i fundit gjerman nga Shqipëria, ndërkohë që mund të ketë ikur dhe me 5 dhjetor siç thotë Fisher. Shumica e shteteve perëndimore kanë datë çlirimi pikërisht ditën kur kanë çliruar kryeqytetin dhe kanë marrë kontrollin mbi të.
Në kuadrin e axhendës banale të festimit të 100 vjetorit, kjo ditë është zhdukur si ditë çlirimi i kryeqytetit nga Sali Berisha dhe kryebashkiaku i Tiranës. Kjo nuk e dëmton aspak Tiranën dhe as memorien e saj historike, pasi ajo funksionon pavarësisht Berishës, por bën qesharak dhe të pavërtetë shtetin e sotëm shqiptar, që tenton të na mbushë mendjen se feston 100- vjetorin e shtetit shqiptar dhe zhduk nga ky kalendar datën më të rëndësishme të këtyre 100 viteve, kur shqiptarët kanë rikthyer pavarësinë e zhdukur pikërisht nga arratisja e Mbretit Zog.
Dhe për ta bërë deri në fund banal dhe të lig vendimin e tyre të vetëdijshëm, këtë ngjarje e kanë zëvendësuar me kthimin në atdhe “triumfalisht” të eshtrave të Mbretit, që i hapi rrugë humbjes së pavarësisë së Shqipërisë, pasi puthadorët e tij ia dorëzuan kurorën Viktor Emanuelit.
Unë dhe shumë shqiptarë mund të diskutojmë pa fund për fajet dhe meritat e Ahmet Zogut më 7 Prill 1939, por nuk jam i prirur ta fajësoj Zogun pse po më zëvendëson sot festën e çlirimit të Tiranës me ceremoninë e rivarrimit të tij. Ai sot është i vdekur dhe nuk ka fuqi të marrë vendim për çfarë po i bën Sali Berisha pas vdekjes. Sot këtë krim ndaj historisë dhe këtë përpjekje për ta poshtëruar historinë reale të këtij vendi po e bën Sali Berisha. Ai po sillet me historinë e këtij vendi herë si një injorant i pavetëdijshëm, e herë si një plak i lig që do të shkatërrojë çdo gjë që shkëlqen.
Ai kërkon ta përdorë kalanderin politik të festimeve për 100 vjetorin si një mënyrë për të imponuar atë çfarë ai pëlqen dhe nuk pëlqen në memorien e kombit. Dhe për këtë përdor dhe figura me peshë të historisë së Shqipërisë siç është Monarkia apo Diktatura, njërën duke e mbivlerësuar dhe tjetrën duke e injoruar edhe pse ka qenë pjesë e saj. Me këtë gjest ai nuk është se i bën nder Ahmet Zogut. Përkundrazi, edhe nëse ka një prirje të urtë në shoqëri për të pranuar që gjithkush ka të drejtë të ketë një varr në këtë vend, kjo mënyrë e bën shumë emocionale dhe konfliktuale këtë gjest dhe ngjall një debat që e poshtëron dhe nuk i bën aspak nder Ahmet Zogut. Dhe thellë- thellë Berisha e do edhe këtë poshtërim të tij.
Thellë- thellë ai nuk dëshiron që Zogu të rikthehet në Shqipëri si i vdekur për një varr, por si “ushtar” i Sali Berishës, me qëllim që të zgjojë ndaj tij atë urrejtje që sot ka në popull ndaj Sali Berishës, plus plot mëkate të vetat që i ka pasur me “okë” Amet Zogu. Ai e do Zogun në Shqipëri për ta bërë si mish për top për hesapet e veta politike, për të risharë, për ta rifyer dhe pse jo për tu rihakmarrë ndaj tij nostalgjikë të vjeëur që janë të indoktrinuar me idenë se ai nuk meriton as tokë për varr.
Është kjo arsyeja pse ka zgjedhur datën 17 Nëntor, dhe pse këtë datë e ka fshirë nga kalendari i historisë së shtetit shqiptar si dita që i riktheu kryeqytetit pavarësinë për tu bërë kryeqytet i shtetit shqiptar. Është kjo arsyeja që ai nuk është i interesuar për Zogun dhe historinë e tij, por për përdhosjen e kësaj date dhe Ahmet Zogut njëkohësisht, duke i vënë kundër njëri- tjetrit. Është duke bërë atë që di të bëjë më mirë, intrigat me të vdekurit, njësoj si me të gjallët.