UNЁ DI

0
63

Mitat Shuli

Unë di që tre Shqiptarë të mirë u vranë përpara kryeministrisë,u vranë sepse morën pjesë në protestën e opozitës për ti thënë Berishës ik.Faji i tyre në një Shqipëri ku të zotë e të aftë janë ata që bëjnë vila e miliona nëpërmjet plaçkitjes e krimit ishte se protestuan.Faji i protestuesve është se janë të papunë e i kanë fëmijët pa bukë.

Unë e di se kush e gjakosi Shqipërinë në 21 janar 2011.

Unë di kush e gjakosi atë bulevard që nuk u gjakos as në 1990-ën.Unë nuk di kush shkrepi armën,emrin e vrasësit fizik dhe as kush dha urdhër por di guzhinën që i prodhon në mënyrë ciklike këto krime.

Unë nuk e dija që do të ndodhte ajo që ndodhi aq më tepër në këtë mënyrë dhe pa asnjë motiv,jashtë kryeministrisë që kryeministri kujton se ja ka lënë e jëma, por ja kisha frikën.Oborrtarët kishin ditë që paralajmëronin opozitën se do mbante përgjegjësi.Për çfarë? Në angli shkatërruan plotësisht selinë e Partisë Konservatore të Kryeministrit David Cameron por nuk dëgjuam për të vrarë.

Unë di kush e gjakosi Shqipërinë në 15 mars 2008 në atë që tashmë po harrohet dhe po bëhet teatër e përqeshje cinike e të fortëve dhe pse vazhdojmë ta thërrasim tragjedia e Gërdecit.Unë di pse drejtësia nuk ve drejtësi për tragjedinë e Gërdecit,dhe meqë jemi ketu a ua sekuestroi të gjitha armët drejtësia dje rojeve që shtinë pra policëve e ushtarakëve që ruanin kryeministrinë përballë protestuesve të pa armatosur?

Unë di që Ilir Meta pati thënë se masakra e Gërdecit nuk ka për të patur drejtësi përderisa Berisha të jetë në pushtet,paska patur të drejtë.Unë nuk di si do ti vejë këtë radhë por kam frikë.
Unë di kush vrau Azem Hajdarin 13 vjet më parë.Unë di kush dha urdhër që të sulmohej me tank e të digjej kryeministria, pa ndonjë video korrupsioni për pushtetarët pa asnjë motiv, duke lënë arkivolin e Azemit në rrugë e pa ju hyrë gjemb në këmbë.

Unë di se kush e përmbyti Shkodrën dhe sot mundohet të na ndajë përsëri në jug e veri.
Unë e di pse Ministria e Ekonomisë Trasportit dhe Energjitikës është përsëri në duart e Ilir Metës.Unë di pse Meta shiti votat e atyre që e votuan për të shporrur Berishën.
Unë di pse kjo qeveri ndan me përqindje pushtetin me Ilir Metën njëlloj si bandat mafioze përqindjet e zullumeve në territorin e nëpërkëmbur.

Unë di se kush ka karburantet, kush ka zhvatur minierat, guroret, fshatrat turistikë apo hidrocentralet.Unë i di pazaret e Metës apo Bregut, të Bodes apo Rulit,Argitës dhe Shkëlzenit,të Mejdiut dhe të Priftit.

Unë di se kush ka 20 vjet që mbjell strategjinë e tensionit e të luftës pa fund,se kush i vjedh zgjedhjet e nuk na le të zgjedhim.Unë di pse qeveriset sikur nesër do bëhet kiameti.Si i lindur në Mokër e banues në Elbasan unë di pse i vetëemëruari deputet i Mokrës (pasi ligji i “mirë” nuk na lejon të zgjedhim njërin nga kandidatët e forcave politike për zonën por duhet të votojmë në thes si qark dhe listën e deputetëve te qarkut në këtë rast të Korçës e bën Ai i madhi fare) si dhe deputetët e Elbasanit nuk kërkuan dorëheqjen e Metës pas videos vrastare që trembi pushtetin.Sepse i vetmi parametër matës në PD është besnikëria ndaj Bosit.

Unë di pse PD-ja nuk ka asnjë organizëm demokratik dhe se meritokracia atje nuk ekziston.
Unë i di të gjitha këto siç i dinë të gjithë shqiptarët.Të gjitha këto i kam parë, lexuar apo dëgjuar.Të gjitha këto JU i dini .Pas lajmit se videon e famshme do ta ekzaminojë një grup ekspertësh Amerikanë një lexues komentonte “shpresojme të mos jenë të njëjtit e Kosta Trebickës” dëshmitari kyç i eliminuar pasi kishte premtuar të thosh të vërtetën e Gërdecit.

Puna është që duhen thënë, unë di që duhet vrarë frika edhe sikur të na vrasin të gjithëve. Unë di që këtë të vërtetë duhet ta thonë intelektualët.Unë jam një intelektual që ndjek seç ndodh duke lidhur gjërat me njëra tjetrën.

Unë di që Ilir Meta e përdorte bllokun për të nxjerrë shumat milionare me pazare të pista.Di që është i paguar nga ne të papunët ,të pastrehët a të vetëpunësuar,rrogëtarë që sja dalin dot e di që shumica e shqiptarëve se ka votuar.

Unë di që këto ditë pas publikimit të videos Meta ka dalë përditë në televizor pa turp e për të na dhunuar,duke na treguar se nuk i hyn gjemb në këmbë e për të na treguar se kush është i forti në këtë vend.

Unë di siç dinte Migjeni dhe Pier Paolo Pazolini që këta heronj në një vend jonormal janë “dhuratë e etënve bastardë”.
Unë di që në një vend normal nuk ka nevojë për heronj.

Unë di që seanca e fundit e parlamentit veremosi ndërgjegjen e kombit,nuk ishte e rastit që nga Kiço Blushi tek Mustafa Nano shkruanin se u tmerruan kur Kryetarja e Parlamentit zgërdhihej ndërsa i paudhi ulërinte në parlament “lakuriq,lakuriq”, “sillni dhe motrat”, “çimka”.

Unë di pse sot nuk jemi një vend demokratik normal e kush na e ka zënë rrugën plot 20 vjet e ska ndërmend të na e lirojë vetë.