Shrkuan: Arsim Canolli
Sot fjala projekt ka marrë dheun. Kjo fjalë shtë një ndër fjalët më të shpeshta si në diskursin ekonomik e social poashtu edhe në atë kulturor e politik. Flitet për projekte të qeverisë, projekte kapitale, projekte kulturore, menaxhim të projekteve, projekt nacional, “kemi projekte konkrete”, “s’/ka menaxhuar projekte”, “s’/din të hartojë projekte”, etj. Projekti ka filluar të hyjë në fjalorin e gjuhës sonë si fjalë me peshë e domethanie. Në gjuhën e politikës sonë shpesh ky koncept mbetet vetëm një shenjues në zhdavaritjen e koncepteve abstrakte. Mirëpo, po të huazonin nga ndërmarrësia zhvillimore projektin do ta nënkuptonin si punë që kryhet brenda një afati të caktuar. Projekti ideal është një lidhje e vizionit, qëllimit, aktiviteteve, rezultateve, të arriturave dhe ndikimit të përgjithshëm që ka ky projekt për mirëqenien njerëzore. Sidoqoftë, çdo projekt duhet të ketë projektuesit dhe mbikqyrësit e tij.
Edhe në politikë, projektet hartohen mbi të drejta natyrore e njerëzore dhe mbi këto baza projektuesit japin vizionet e veta dhe hartojnë planet e tyre. Çfarë janë projektet politike moderne? Kah vijnë ato? Projektet politike moderne kanë filluar nga një ide kryesore: ajo e kontratës sociale. Kontrata sociale fillon si një ide praktike sipas së cilës një grup njërëzisht mblidhen për ta vendosur të ardhmen e tyre. Vetë fakti se ata janë në pozitë që të vendosin për të ardhmen e tyre tregon se ata kanë një të ardhme sepse kanë patur një të kaluar të përbashkët. Kjo i bën ata që të jenë në gjendje të përcaktojnë rregullat e jetesës brenda hapësirës ku jetojnë. Kjo i ka bërë madje edhe amerikanët të krijojnë një bashkësi të “tyre”, një bashkësi që ka një histori të përbashkët (secili ngul gurin e vet në tokën e premtuar) e ofron anëtarësi në kontratën e saj e cila prodhon ligje të cilave duhet përmbajtur e të cilat duhet përmirësuar nga procesi politik.
Natyra e kontratës sociale nuk lejon askënd të jetë mbi ligjin. Siç dihet këtë legaci na ka ofruar ligji romak ku ndahen “dhét e Krishtit e dhitë e Cezarit”. Pra, ligji që krijohet nga kontrata sociale – në liri dhe me vullnet të plotë të bashkësisë – është ligj që duhet t’i përkulemi. Kjo përkulje ndaj ligjit është vetë liria. Kjo kontratë sociale garanton pronën private, promovon shkencën, lidh traditën me të ardhmen, ndryshon për të ruajtur vlerën, i hap derën mikut por din t’ia mbyll edhe armikut! Kjo jep mundësi që brenda një kontrate të mbikqyrur nga procesi politik sovran të zhvillohet përvoja njerëzore drejt më të mirës së menduar e të thënë. Hobsi do të thoshte se njeriu duhet të bëj zgjedhje racionale gjithmonë duke patur krrabën prej veti dhe shoqëria duhet t’i përkulet autoritetit sovran (sekular) që e ka zgjedhur vetë me votë të lirë.
Mirëpo, kontrata sociale hartohet në mes individëve që kanë histori, traditë e vlerë të përbashkët dhe që duan të ardhme të përbashkët. Edmund Burke do të thoshte se kontrata sociale është lidhje e vazhdimësi në mes të vdekurëve, të gjallëve dhe të atyre që ende s’kanë lindur (apo nipave). Në këtë vazhdë mendimi e veprimi i zë fillet projekti politik modern që shpesh quhet edhe politikë e djathtë. Politika e majtë poashtu fillon tek projekti politik modern që si ide kryesore ka kontratën sociale. Ky kah e sheh kontratën sociale si kontratë e cila duhet prodhuar ligje që maten karshi ligjeve të ‘natyrës’ (Ruso). Edhepse kjo nuancë e hershme liberale e reformiste nuk mund të shikohet me shumë pezm, ajo që pason është jo matje po “çlirim” nga “dominimi” i kushteve represive të kontratës sociale.
Këtë e fillon Marksi në njërën anë duke e mohuar jo vetëm kontratën sociale të lidhur me vullnet të bashkësisë por duke profetizuar për një kontratë utopike mbi baza të bashkësisë organike ku gjithëçka do të binte nën ombrellën e një projekti: komunizmit. Siç e din mirë edhe populli shqiptar, kjo teori vjen e bëhet projekt politik modern i majtë. Ky projekt duke dashur ta “çlirojë” dhe ta “çkatërrojë” kontratën sociale për ta matur karshi natyrës njerëzore vjen e bëhet katalist kryesor për ta paralizuar mu këtë kontratë duke u lidhur me një kontratë internacionale për ta mohuar atë lokale. Nën këtë kontratë projektuesi i projektit (Partia) nuk ishte personae (korporatë që përgjigjet para ligjit) por ishte mbi shtetin. Kjo ka ndodhur në Rusi me Leninin e poashtu në Shqipëri me Enverin.
Projektet e tilla, që janë lidhur në emër të së resë internacionale e që kanë pasur revolucionin si aktivitet kryesor për të arritur tek synimi i tyre kanë lënë damkosje në shpirtin dhe trupin e bashkësisë. Shqiptarët gjatë historisë së tyre kanë realizuar pak projekte. Vetëm ato projekte që kanë filluar me autorë serioz dhe në rrethana të përshtatshme janë realizuar, ndërsa shumica e projekteve që kanë filluar në agoni kanë mbaruar në agoni. Shiptarët si bashkësi fisnore, si kafkë e veçantë në viset rajonale dhe si popull i i pushtuar dhe i ndarë në tri religjione kanë patur mjaft pezm gjatë historisë dhe kësisoji kanë qenë mjaft të damkosur dhe të tkurrur (si shpirtërisht ashtu edhe gjeografikisht) si qenësi. Kjo ka shkaktuar ngecje në garën për ushtrimin e duhur të detyrave të polis-it për të krijuar traditë, demokraci dhe civilizim.
Mirëpo, shpesh tkurrja ruan disa esenca ashtu siç i ruajnë disa bimë që kur merr mot i lig mbyllen dhe izolohen për të pritë ditë më të mira për të çelur. Na nevojitet më shumë se botanikë për të ditur se si me të vërtetë “mbeten gjallë shqiptarët” mirëpo sidoqoftë mund të themi se projekti politik modern me shqiptarët e ka farën në Rilindje kur u krijua Lidhja e Prizrenit, filloi të mbijë me 1912 për tu ndalur dhe filluar prapë më 1925-1939 gjatë periudhës së Zogut. Ai u mshil dhe u izolua si farë gjatë kohës së komunizmit për të filluar të mbij me Rugovën prej 1989 e këndej. Mirëpo, udha që nis prej estetikës e çon kah etika për të vazhduar drejt politikës shpesh ka qenë udha që e ka rimëkëmbur kombin. Arkeologjia e udhës së tillë gjindet në burime të ndryshme: në edukim, në poezi, në doke, në Kanun, në truall të babës.
Në mënyrën më të bukur të mundshme Pashku do ta thoshte se çdo kontratë fillon në Dheun e Babës e jo në Bykun e Kumbarës. Pasi ra fjala te arkeologjia le ta përmendim një parashikim të një arkeologu për shqiptarët. Arthur J. Evans njihet të ketë qenë një ndër arkeologët e shquar britanez të kohës (edhepse disa teza të tij kanë rënë krejtësisht nga përdorimi) në fund të shekullit XIX-të dhe fillimit të shekullit XX-të. Ai gërmoi dhe zbuloi shumë në Knosos të Kretës dhe poashtu bëri hulumtime të shumta arkeologjiko-antropologjike në trevat e Evropës JugLindore. Gjatë fund-shekullit të XIX ai ishte korrespondent nga Raguza dhe shkroi për disa gazeta në Britani të Madhe. Ai i njihte edhe sllavët edhe shqiptarët.
Ai shkroi edhe rreth formimit të Lidhjes së Prizrenit. Më 30 shtator 1889 në gazetën Pall Mall, Evans bëri një parashikim. Ai konkludoi se “shqiptari si individ mund dhe do t’ia dilte më mirë se një sllav mesatar mirëpo si popull sllavët do të vërtetojnë se janë material më shpresëdhënës në duart e një udhëheqësi të zoti e fisnik”. Ka kaluar një kohë mjaft e gjatë prej 1889 deri më sot dhe parashikimi i Evans-it nuk u bë realitet. Në të vërtetë ndodhi e kundërta. Serbët, si populli më i madh jugo – sllav, nuk dhanë shpresë për Evropën ashtu siç ishte menduar në Evropë në shekullin e XIX dhe fillim shekullin e XX-të. Ata hyn në shekullin e XXI si turp i Evropës mu për shkak të liderit të tyre. Përkundrazi, shqiptarët ia dolën mbanë jo si individë ashtu siç e kishte parashikuar Evans, por mu si ‘popull në duart e një udhëheqësi të zoti e fisnik’.
Ky udhëheqës, Ibrahim Rugova, ishte edhe autor i vizionit dhe qëllimit që u bë projekt i shqiptarëve. Në kohën kur në rajon (dhe në Evropën e gjerë), pas rënies së mureve të mëdha dhe shpërbërjeve të kontratave sociale komuniste, mbretëronte një filozofi shoveniste Rugova hartoi projektin politik shqiptar duke e bazuar vizionin e tij që buron në: estetikë – e bukura dhe e mira refuzon të përlyhet (Refuzimi Estetik); etikë – refuzimi politik (Rezistenca) ndaj okupimit/shtypjes bëhet me dinjitet, durim, besim e punë të parreshtur për mvetësim; politikë – çdo kontratë të re sociale duhet t’i paraprijnë vlerat tradicionale të bashkësisë ku ruhen dhe mbrohen të drejtat e liritë për të gjithë që nënshkruhen në këtë kontratë.
Projekti rugovian apo rugovizmi (sic do të njihet në filozofi politike) lidh këtë trini e cila refuzon imponimin dhe entropinë sociale (anarkinë), konservon dhe ruan resurset sociale, materiale, ekonomike, e shpirtërore dhe tenton kah një shëndet i mirë i shoqërisë. Rugova studioi e vlerësoi kahet dhe premisat e më të mirës që është menduar dhe thënë në kulturën shqiptare. Ai poshtu vuri kahet dhe premisat e projektit politik për shqiptarët. Këto premisa e kahe po ripërtërihen dhe po vazhdojnë si filozofi dhe si praktikë politike jo vetëm për shqiptarët por edhe të jipen si shembull për popujt tjerë të rajonit.