Arben Rrozhani, 26.01.2011
Meqë Sali Berisha parapëlqen të thotë se në 21 janar u zbatua skenari tunizian, ja çfarë ishte Tunizia me pak fjalë, sipas një mediaje perëndimore në 23 vitet e fundit, nën thundrën e ish-presidentit Zine el Abidine Ben Ali:
“Kur 23 vjet të shkuara, në 7 nëntor të vitit 1987-ës, mori në dorë pushtetin pa dhunë dhe gjakderdhje, Ben Ali u përshëndet me shumë simpati edhe nga vetë islamistët, të cilët e njihnin për një polic shumë ekspert në periudhën e represionit. Çdo lloj kundërshtimi që dilte ndaj tij në publik etiketohej menjëherë si “komplot” dhe ndaj atyre që e kishin ideuar merreshin masat më të ashpra dhe kështu, pak nga pak “heroi”, nga i dashuri i popullit u shndërrua në makthin e tij, duke krijuar një situatë zhgjëndrre.
Përgjimet e telefonave u shtrinë në të gjitha shtresat dhe klasat e shoqërisë. Ai arriti që të shtinte në dorë të gjitha pushtetet e vendit të tij si dhe të mjeteve të komunikimit dhe mediave njerëzit e tij i shtrinë duart në të gjitha asetet më me vlerë të vendit, në të gjitha aktivitetet ekonomike.
Një nga parullat e hedhura nga njerëzit e Ben Ali-së dhe që nuk mund të linte indiferentë kancelaritë perëndimore, ishte: “Aleatët e Bin Ladenit duan të marrin pushtetin”. Mjaftonte kjo parullë, për të justifikuar dhe mbuluar çdo shtypje dhe represion ndaj të gjithë zërave opozitarë në vend. Pra, gjithçka bëhej për të mbajtur islamistët larg pushtetit.
Dhe, perëndimorët të kënaqur, mbyllnin njërin sy dhe bënin shurdhin ndaj realitetit gjithnjë e më të rëndë në Tunizi, ndaj shtetit policor dhe shtypjes së dhunshme që i bëheshin në këtë vend të drejtave të njeriut dhe atyre të fjalës së lire.
Në vitin 2007, ekonomia tuniziane u klasifikua më e mira ndër vendet e Magrebit dhe në të njëjtën kohë, mbrojtësit e të drejtave të njeriut e konsideronin këtë regjim si një ndër më të mirët dhe të lirët në rajon. Por, e vërteta ishte ndryshe dhe më në fund edhe Tunizia shpërtheu”.
Sali Berisha erdhi në pushtet në 22 mars 1992-it, dhe premtoi se do të çonte vendin në Europë. Pati mbështetjen e Komunitetit Ndërkombëtar që dha mbi 1 miliard dollarë ndihma për të kryer reformat. Në 1994-ën kërkoi me referendum të kalonte një kushtetutë që do ta bënte president të gjithëpushtetshëm, por populli e hodhi poshtë.
Në 1996-ën, pasi kishte humbur të gjitha sfidat zgjedhore të mëparshme, vodhi zgjedhjet parlamentare dhe më pas pasi dhunoi edhe opozitën, vodhi në firmat piramidale mbi 1.2 miliardë dollarë të kursimeve të popullit në firmat piramidale të ngritura nga qeveria e tij. Në mars të 1997-ës e zhyti vendin në kaos e shkatërrim, pasi nuk pranoi të ikte, dhe doli kundër kancelarëve të huaj, që i akuzoi për puç kundër Shqipërisë.
Në shtator të1998-ës me grusht shteti tentoi të vinte në pushtet, por, pasi iu hoq imuniteti nuk u hetua. Në vitin 2005 erdhi sërish në pushtet, duke premtuar se do të ishte kryeministri i të gjithëve dhe se do të qeveriste me duar të pastra. Për katër vite sulmoi ashpër institucionet e pavarura kushtetuese nga kreu i shtetit deri te agjencitë e pavarura të të drejtave të njeriut, për të arritur marrjen e të gjitha pushteteve nën sqetull.
Në fund të mandatit të parë qeverisja e tij prodhoi krime ndaj qytetarëve si në Gërdec, varfëroi edhe më tej popullin, ndërsa ai dhe njerëzit e tij shtinë në duar gjithë asetet e vendit. Me moton “kundër të kuqve” dhe me premtimin se do të çonte vendin në Europë, vodhi zgjedhjet e 28 qershorit 2009, nën sytë indiferentë të kancelarëve të huaja, të cilave u kishte hedhur ndonjë kockë në investimet që paguheshin me paratë e taksapaguesve vendas dhe të ndihmave për Shqipërinë.
Bleu shumicën e mediave të vendit, nënshtroi institucionet e pavarura, rekrutoi shoqërinë civile dhe me presion të paparë politik tentoi të shkatërronte opozitën në vend. Ndërsa vendi u gërrye nga kriza ekonomike botërore, ngrinte lart rritjen ekonomike, mrekullinë ekonomike, turizmin e paparë, ndërsa për të huajt ky ishte një tregues i stabilitetit dhe ecurisë pozitive në rajonin e Ballkanit. Por 21 janari 2011, kur mijëra demonstrues dolën në shtet për të protestuar kundër tij, tregoi se e vërteta ishte ndryshe.
Një Ben Ali po mbante nën thundër një popull të tërë të shtypur, me liritë ekonomike dhe politike të kërcënuara, me pabarazinë e thellë sociale dhe ekonomike që ka dalluar një grusht qeveritarësh dhe mbështetësish të tyre, që kanë shtënë në duar asetet e vendit dhe ekonominë kombëtare dhe një shumicë gjithnjë e më të varfër dhe më të përbuzur.
Pas 21 janari tregoi fytyrën e vërtetë të regjimit, sepse si Ben Aliu ai shtypi me gjak dhe terror protestën e popullit antiqeveritar. Sot ai ka për heronj ata që vranë njerëz të pafajshëm, të papunë dhe të pashpresë si Ziver Veizi, dhe ndryshe nga Ben Aliu që urdhëroi uljen e armëve ndaj popullit, ai ka premtuar se do ta bëjë këtë sërish të premten tjetër.
Ndryshe nga Ben Aliu ai nuk di ta lexojë zemërimin popullor kundër tij dhe as të japë mesazhe tërheqje. Ai ka premtuar se do t’i shtypë të gjithë, opozitën, prokurorinë, shërbimin Informativ, shoqërinë civile, mediat anti-qeveritare.
Faktori ndërkombëtar? Tunizia dha një shembull kuptimplotë: sa ishte në fuqi Ben Aliu, vende si Franca ishin me të, sepse kështu ia donte interesi e Parisit zyrtar, që kishte lidhje ekonomike dhe financiare me një regjim diktatorial dhe nuk donte t’i cenonte për “arsye politike”.
Shqipëria është një shembull edhe më tragjik: amerikanët, italianët apo francezët janë të kapur nga një regjim që u ka hedhur ndonjë “kockë”, për bizneset, apo plehrat e tyre dhe ata të verbuar nga koncesionet ekonomike që Sali Berisha po u bën me paratë dhe jetët e shqiptarëve, nuk po arrijnë të shohin realitetin e sotëm të Shqipërisë, të zhytur në një tirani.