Pse e përsërisim historinë tonë?

0
41

Nga: ANILA BASHA

2 mars 1997. Parlamenti mblidhet me urgjencë, në orën 17.35. Mungon opozita. Në atë kohë, ishte PS në opozitë. Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në vend, pasi bandat e armatosura kishin marrë kontrollin e një pjese të mirë të vendit. Por, me një propozim, sa absurd, për vetë deputetët e PD, aq edhe të paqartë për vetë kryeministrin e asaj kohe Aleksandër Meksi. Vendimin e kishte marrë Berisha. SHIK-u do të bashkohej me ministrinë e brendshme. Ç’do të thoshte të bashkohej SHIK-u me ministrinë e brendshme? Do të thoshte se kthehej në drejtori? Jo dhe jo. Gjenerali i asaj kohe, Bashkim Gazidede, do të merrte kontrollin e gjithë trupave policore e të SHIK-ut, dhe do të drejtonte operacionin për “shtypjen” e kryengritjes së armatosur.

* * *

Nuk di pse m’u kujtua kjo situatë. Në atë 2 mars, por edhe në datën që pasoi, 3 mars, kam qenë në parlament duke ndjekur nga afër punën e deputetëve. Situata, ishte kaotike. Presidenti Berisha nuk dorëzohej, përkundrazi, do luftonte forcërisht. Krah meje, ishte Filip Çakulli, sot “çakalli” apo “i ngriri”. Filipi, siç e ka zakon, shpesh ka humor. Edhe gjërave tragjike do t’u japë një natyrë ku nëse nuk qesh me të madhe, patjetër do të vësh buzën në gaz.

* * *

23 janar 2011. Ora 20.30. Parlamenti mblidhet me urgjencë. S’ka gjendje të jashtëzakonshme. Por Garda e Republikës, do të drejtohet personalisht dhe vetëm nga kryeministri. Po prisni mo? Ka ndonjë pyetje? Zonja Topalli që në ’97 ishte kryetare e komisionit të ligjeve, as këtë komision nuk denjon ta mbledhë në 2011. Sot, është kryetare e Kuvendit. S’ka fjalë. Lexon një vendim. Të hetohet SHISH, të hetohet Prokuroria. 3 muaj kohë për të shkarkuar dy drejtuesit e këtyre institucioneve. Këtë radhë në parlament, ndryshe nga viti 1997, nuk ka më trima si Bashkim Kopliku, as si Azem Hajdari. As si deputeti Agron Musaraj.

Nuk është në këtë parlament as Alfred Serreqi. A prit! Më duket se shoh në sallë Gazmend Oketën. Ta shohim si voton. Jo, s’ka zëra kundër thotë Topalli. Miratohet. Ndërsa në 1997 kishim një Bashkim Gazidede që do të shtypte bandat, sot kemi një komandat garde që do të shtypë kryebanditin. Gazidede ka ikur nga kjo botë, duke marrë me vete të vërtetat e të pavërtetat. Kësaj radhe, shtypjen e kryebandidit, do ta ndërmarrë gjeneral Ndrea Prendi. Drejtori aktual i SHISH, nuk kontrollohet nga Berisha. Mirë është, që këtë detyrë, ta marrë një njeri i besuar prej tij.

Ndërkombëtarët
Mars 1997. Mariza Lino, ambasadorja amerikane e asaj kohe, thuajse gati u shpall non grata nga qeveria e presidenti. Ishte e freskët në detyrë në atë kohë zonja ambasadore. Kishte ardhur në Tiranë në shtator 1996, dhe pak kohë ishte që ishte njohur me zhvillimet në vend, zgjedhjet e manipuluara të majit të atij viti, dhe protestat pothuajse të përditshme të opozitës. Zonja Lino, hyri te Presidenti Berisha me një ofertë që e ofronte qeveria amerikane: në mënyrë që ndërkombëtarët të njihnin zgjedhjet, të rivotohej në 40 zona zgjedhore. Kjo ishte e papranueshme për Presidentin Berisha. Ai pranoi vetëm rivotim në 17 zona.

23 janar 2011. Ambasadori amerikan Alexandër Arvizu, zbret në zyrën e Kryeministrit Berisha. I freskët edhe Arvizu, nuk e ka të qartë se me kë ulet dhe me kë dialogon. Pak kohë ka që ka ardhur në Shqipëri. Ndihet i terrorizuar nga dhuna e të dy palëve, aq sa nuk ngurron ta deklarojë në konferencë për shtyp. Por kur shkon te Berisha, i thotë këtij të fundit të anulojë demostratën e të mërkurës përpara kryeministrisë, demostratë të organizuar nga PD, dhe të dorëzojë para organeve të prokurorisë 6 gardistët për të cilët janë prerë fletë-arrestet.

Jo dhe jo, thotë Berisha. Mitingun po e shtyj për të shtunën. Ndërsa gardistët nuk i dorëzoj. Më duhen për ditën e premte, për të mbrojtur kryeministrinë nga bandat e Edi Ramës. Heshtje për pak. Hutohen ambasadorët. E mirë, bëj si të duash, por nuk është mirë. Upsss, ngecin prapë raportet Shqipëri-SHBA.

Epilog
Nuk arrij ta kuptoj se pse politika shqiptare nuk arrin të prodhojë dot një politikë progresiste, një vizion drejt të ardhmes, por e kemi mendjen tek e shkuara. Sikurse vëren shpeshherë në shkrimet e tij Artan Lame, shqiptarët nuk kanë nevojë të shpikin historira të reja, sepse shembujt e demokracisë janë të gatshëm gjithandej në Evropën e botën demokratike. Ne i marrim këto shembuj të gatshëm. Por, i marrim nga e kaluara jonë e hidhur. Faji, sërish është i shqiptarëve.

(Shkrimi eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)