Shansi që na jepet të gjithëve

0
42


Alba Malltezi, 25 Janar 2011

Sikur të mos kishim nevojë për mbështetjen e amerikanëve në hetimet e ngjarjeve të 21 janarit, por e vërteta është krejt ndryshe: Kemi shumë nevojë. Kështu pranojmë se gjendja në vend është vërtetë shumë e vështirë. Një organ, shtyllë jetike e funksionimit të Shtetit lëngon, kërcënohet e nuk mund të hetojë me profesionalizëm.

Dalja krah për krah e kryeprokurores Ina Rama, me ambasadorin amerikan Arvizu, është pamja më e trishtuar që një shtet sovran, me 20 vjet demokraci, mund të ofrojë. “Puçistja” Ina Rama, po të duam të përdorim fjalët e kryeministrit tonë, doli në krah ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të kërkuar mbështetje, që ju dha plotësisht. Atëherë kemi një kryeministër të drejtë dhe SHBA na ka çuar një ambasador puçist?

Këto ditë, e gjithë Shqipëria e shqiptarët po vihen përballë provave të forta. Sikur Historia, në përsëritjen e gjërave, kërkon të masë dinjitetin e arritur. Deri ku ka shkuar pjekuriae këtij populli me demokraci të re, duket t’i kalojë nëpër mend në këto ditë të vështira. Sa shqiptarët do të dinë të respektojnë jetën dhe të drejtën, përballë gënjeshtrave nga më imoralet e të shëmtuarat që i janë treguar ndonjëherë nga njerëz me ambicje të paimagjinueshme për pushtet?

Në muajin e parë të vitit 2011, media po jep shenja shpresëdhënëse në respektimin e misionit të saj për të vërtetën: Transmetimi i videos së zv/kryeministrit në afera korruptive, transmetimi i pamjeve tronditëse të vrasjes live të një protestuesi, dëshmia në prokurori e kolegut të plagosur në krye të detyrës, megjithë presionet, tradhëtinë e mungesën e respektit që media pro-qeveritare, ku ai punonte, tregoi në fshehjen e ngjarjes.

Ajo pjesë e mirë e politikës, shoqërisë civile dhe drejtësisë ka shansin të tregojë gjithashtu se ka mësuar t’u rezistojë presioneve për t’u thënë njëherë e përgjithmonë dhunuesve të të drejtave dhe të lirisë: Jashtë nga jeta e këtij populli!
(BalkanWeb)