Letër Ambasadorit Tim

0
33

Nga Bledar H. Prifti

I Nderuar Shkëlqësia Juaj, Z. Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Tiranë:

Unë që po ju shkruaj këtë letër quhem Bledar H. Prifti, shtetas Shqiptarë dhe Amerikan, kolumnist i së përditshmes “Shekulli”, Master në Shkencat Politike, i specializuar në politikat e Lindjes së Mesme dhe Iranit, dhe pedagog i jashtëm i Everest University, Florida, USA, ku jap mësim në lidhje me Politikat Globale. Arsyeja për dërgimin e kësaj letre është për t’i shprehur shkëlqesisë suaj një analizë timen mbi situatën alarmante të politikës Shqiptare dhe implikimet që ajo ka për demokracinë në Shqipëri dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në vend.

Si studiues i politikave Amerikane anembanë globit, e kuptoj fare qartë rëndësinë që merr politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara në mardhëniet me vendet që ndodhen në demokraci hibride, dhe që pozicioni gjeografik i të cilave i jep një rëndësi tejet të veçantë interesave Amerikane. Doja tju bëja me dije juve shkëlqesi dhe eprorëve të tu në Washington se Shqipëria është një rast unik në mardhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara. Është e vërtetë se pozicioni gjeografik i Shqipërisë është i një rëndësie tepër të veçantë për politikën e jashtme Amerikane. Është mëse e vërtet gjithashtu se stabiliteti politik i rajonit është i një rëndësie edhe më të rëndësishme. Por, paralelisht, është mëse e vërtetë dhe botërisht e ditur nga të gjithë se Shqipëria dhe Shqiptarët janë një vend dhe popull që Zoti i ka lidhur që në gjenezë dhe përjetësisht me qeverinë dhe popullin Amerikanë.

I Nderuar Shkëlqesia juaj, Shqiptarët dhe kombi Shqiptarë ia dedikojnë krijimin dhe vazhdimësinë e shtetit Shqiptarë popullit dhe qeverisë Amerikane. Pa ndihmën prindërore të Shteteve të Bashkuara sot nuk do të kishte Shqipëri, dhe aq më pak Kosovë. Mardhëniet midis Shqipërisë dhe Amerikës nuk janë mardhënie interesash por janë mardhënie zemrash dhe ndjenjash. Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë afro 10% e Shqiptarëve, pjesa dërrmuese e të cilëve janë me krenari shtetas Amerikanë. Sot Shqiptarët janë me krenari populli më pro-Amerikan në këtë planet. Ju përmënda faktet e mësipër për të theksuar se cilado qeveri që vjen në fuqi në Tiranë, ajo do të jetë ngahera një qeveri pro-Amerikane.

Si e tillë, Shqipëria nuk duhet të njëhsohet as me Iranin e djeshëm dhe as me ndonjë vend tjetër sot që endet në kërkim të demokracisë. Shqipëria nuk duhet të konsiderohet nga qeveria Amerikane si një vend ku duhet thjesht të vendoset stabiliteti për të ruajtur interesat Amerikane. Shqipëria duhet të konsiderohet sot një vend ku duhet të mbretërojë demokracia për të forcuar interesat e popujve Shqiptarë dhe Amerikanë. Amerikës nuk i intereson që Shqipëria të qeveriset nga një diktator që në rastin më të parë do t’i sulet politikës Amerikane. Interesat e popullit Shqiptarë dhe atij Amerikan janë dhe do të jenë përjetësishtë të njëjta. Zoti kështu e ka krijuar këtë mardhënie. Të dy popujve ju intereson një qeveri Shqiptare demokratike që t’i shërbejë të dy popujve.

Por fatkeqësisht, situata aktuale është tejet e zymtë. Ajo është një situatë tepër e rëndë për popullin Shqiptarë, pak a shumë e komplikuar edhe për politikën e jashtme Amerikane. Sot ne të gjithë, përfshirë edhe qeverinë tuaj shkëlqesi, po përjetojmë një déjà vu. Sot shteti Shqiptarë drejtohet nga një organizatë që nuk ka aspak lidhje me politikën, demokracinë, dhe interesat e popullit Shqiptar dhe të qeverisë Amerikane. Sot në pushtet gjendet një kryeministër i cili në vitin 1996 tmerronte dhe masakronte popullin dhe kundërshtarët e tij politik dhe lejonte thyerjen e embargos së naftës kundër Serbisë. Në 1997-ën, po ky njëri akuzontë publikisht dhe në mënyrë indirekte qeverinë Amerikane dhe agjensitë e inteligjencës për grushte shteti dhe ndërhyrje në punët e brëndshme të Shqipërisë. Sot në krye të shtetit Shqiptarë, fatkeqësisht, ndodhet po ai njëri i cili në 1997 urdhëroi ngritjen e avionëve luftarakë për të sulmuar popullin e pafajshëm në jug të vendit. Sot shteti Shqipëtarë drejtohet nga ai njëri që në Shtator të vitit 1998 organizoi bandat e armatosura të cilat me tanke dhe armë të tjera pushtuan kryeministrinë, ministritë, dhe televizionin publik, nga ku deklaroi përmes hafijeve të tij triumfin e grushtit të shtetit.

Sot në Shqipëri gjendet në pushtet një qeveri që kurrë nuk e legjitimoi pushtetin e saj përmes transparencës së procesit zgjedhor. Ishte ky kryeministër që për një vit e gjysëm ju deklaronte juve se ishte për transparencë të materialeve zgjedhore por se nuk ishte për rinumërimin e fletëve të votimit. Ky njëri u tall me ju dhe popullin Shqiptarë dhe varrosi çdogjë që të çonte tek transparenca e zgjedhjeve, përfshirë edhe materialet zgjedhore. Sot shteti Shqiptarë drejtohet nga një grup hajdutësh, vjedhjet e të cilit po pushtojnë mediat dhe ekranet e televizionit. Koha tregoi se vjedhja e zgjedhjeve të 28 Qershorit kishte për synim vjedhjen e pasurive të popullit Shqiptar.

Sot shteti Shqiptarë drejtohet nga një qeveri dhe një kryeministër që është i gatshëm të organizojë qindra funerale për popullin dhe kundërshtarët e tij politik. Sot ky kryeministër merr publikisht rolin e prokurorit duke paralizuar komplet institucionin e prokurorisë dhe të drejtësisë. Sot kryeministri Shqiptarë nuk e ka për gjë të marrë edhe rolin e gjykatësit dhe të organizojë gardën e Republikës dhe ushtrinë për të vrarë popullin e tij. Më 21 Janar u organizuar një protest popullore e cila përfundoi me vrasjen e tre civilëve të pafajshëm nga forcat qeveritare. Mund të shikoni mediat dhe videot e ngjarjes i nderuar shëlqesia juaj dhe do të kuptoni se sa paqësorë dhe të pafajshëm ishin viktimat e goditura nga forcat e pushtetit. Ndodhi tamam si në Iranin e largët!

Por sikur të mos mjaftonte me kaq, kryeministri në detyrë vazhdonë publikisht të kërcënojë me jetë popullin dhe liderin e opozitës. Dje Ahmadinejad vari dy kundërshtarët e tij politik sepse protestonin kundër tij. Kam frikë se edhe regjimi i instaluar në Shqipëri po përgatitet për të vazhduar të njëjtën gjë. Fundi është i vështitë për tu përcaktuar. Sot shoqëria Shqiptare ndjehet shumë e përçarë dhe e dobët, madje edhe e pashpresë. Mediat dhe hafijet e pushtetit po përpiqen me sa të mundin të paralizojnë shqisat dhe ndjenjat e popullit dhe shoqërisë civile për të vrarë sensin dhe perceptimin mbi të drejtën, morale, të vërtetën, të mirën, shpresën, dhe demokratiken. Regjimet dhe diktaturat arrijnë suksesin e tyre real kur arrijnë t’i heqin popullit ndjenjat, shpresën dhe besimin.

Sot Shqiptarët janë shndërruar në një fëmijë të vogël të dhunuar nga të tijët dhe të braktisur nga shpresa. Sot Shqiptarëve ju duhet një ndihmë që të rimarrin në dorë fatet e tyre. Sot Shqiptarët duhen lejuar të vendosin vetë për të zgjidhur krizën. Pushteti në fuqi, edhe pse në këtë gjendje, nuk dëshiron ta lëri popullin të zgjidh këtë krizë pasi ky pushtet e di shumë mirë që nuk është i zgjedhur nga populli. Jo më kot ky pushtet nuk lejoi transparencën e zgjedhjeve dhe jo më kotë ky pushtet nuk lejon popullin të zgjidhi vetë këtë krizë politike. Sot, më shumë se kurrë, populli Shqiptarë ka nevojë për popullin Amerikan dhe qeverinë e tij. Ky popull ka nevojë për një ndihmë që t’i japë forcën për të vendosur vet për fatin e tij. Vetëm atherë Shqipëria do të jetë jo vetëm një vend demokratik dhe i stabilizuar, por një “Amerikë e Vogël” në juglindje të Europës.

Duke uruar dhe shpresuar për mirkuptim nga ana juaj dhe qeverisë që ju përfaqësoni, ju urojë nga zemra suksese, lumturi, dhe begati juve, qeverisë tuaj, dhe popullit Amerikan!!!

Me Nderime dhe Respekte,

Bledar H. Prifti