TemA, 12 Nëntor 2012
Nuk ka njëri që nuk e ka dëgjuar e nuk ka njeri që nuk është tallur me të. Bëhet fjalë për shprehjen e kryeministrit Sali Berisha se vetëm Shqipëria e Gjermania po qëndrojnë të paprekura nga kriza në Europë. Disa herë kryeministri Sali Berisha ka thënë se vendi ynë e përballoi rrebeshin e krizës si rrallë ndonjë vend në botë.
Por të dhënat e inteligjencës amerikane- CIA, tregojnë se për vitin 2011 Shqipëria ka pasur një rritje të GDP-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) prej vetëm 2 përqind, duke u renditur në vendin e 150-të në botë, përkrah me Iranin.
Natyrisht që ka edhe vende evropiane pas Shqipërisë, por nuk është se jemi vendi që e ka përballuar rrebeshin. Më mirë se Shqipëria ka qenë Kosova me një rritje prej 5 përqind të GDP-së, në vendin e 70-të në botë. Po ashtu më mirë se Shqipëria është edhe Maqedonia në vendin e 122-të dhe Mali i Zi në vendin e 135-të.
Kështu që nuk jemi fare mirë në krahasim me rajonin e as me Europën, e domosdo as me botën.
Në vend të parë në botë për rritjen e GDP-së është Katari me 18.80 përqind, kurse në vend të fundit Jemeni me -10.5 përqind. Greqia është dy vende para fundit me -6.9 përqind.
Sikur të mos mjaftojnë këto, ky vit do jetë akoma më i zi, pasi institucionet më në zë ndërkombëtare parashikojnë një rritje në nivelin 0.5 përqind. Madje BB druhet se vendi mund të pësojë edhe recesion. Tre muajt e parë të vitit kanë qenë të zi, ndërkohë që kryeministri Sali Berisha shpreson se situata do të përmirësohet me rezultatet e tremujorit të dytë dhe të tretë, kur të përfshihen edhe të ardhurat nga turizmi.