Ambasadori danez Jensen: Politika të reflektojë, kujdes retorikat

0
53


TIRANE – Ambasadori i Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen deklaroi sot se viktimat e shënuara gjatë demonstratës së 21 Janarit janë pasojë e paaftësisë politike.

“Tre persona, paguan me çmimin më të lartë të mundshëm paaftësinë e politikës shqiptare për të gjetur kompromiset.- kjo eshte deklarata e ambasadorit të danimarkes në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen, reagim që vjen pas disa qëndrimeve të tilla të përfaqesive diplomatike te akredituara ne vendin tonë në lidhje me demonstratën e 21 Janarit.

Deklarata vijon me tej duke theksuar se “Një numër shumë i madh personash u plagosën dhe mund të mbartin përgjithmonë shenjat e plagëve të shkaktuara nga dështimi i politikës së demokracisë shqiptare. Ky fakt, thellësisht trishtues, duhet të na japë shkak për qetësi dhe reflektim të thellë. Ambasadori Jensen apelon per vendime të mençura dhe jo intensifikim i veprimeve e retorikave.

“E drejta për të demonstruar me mjete paqësore, është themelore në demokraci. Çdo përpjekje për ta kufizuar këtë të drejtë është një sulm ndaj demokracisë. Por dhuna e shkatërrimi nuk mund të justifikohen. As forca e tepruar e ushtruar pa dallim. Në një demokraci të vërtetë është në dorë të sistemit të drejtësisë të gjykojë dhe jo të politikanëve”, theksohet ne deklaratën e ambasadorit danez i cili shprehet se institucionet e drejtësisë shqiptare duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, në mënyrë të qartë e transparente, dhe të ndjekin ligjërisht, në përputhje të plotë me ligjin, të gjithë shkelësit e tij nga të dy palët.

Jensen i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës të bashkëpunojnë për një zgjidhje dhe të mos intensifikojnë retorikat mes tyre. Jensen thekson se Demokracia shqiptare është sfiduar përsëri tashmë si nga ngërçi i gjatë politik ashtu edhe nga ngjarjet e fundit që çuan në tre të vdekur. “Por, çdo shoqëri, atëherë kur ajo sfidohet nxjerr në pah vlerat e saj të vërteta dhe forcën e institucioneve të saj demokratike. Në një udhëkryq të tillë, unë i bëj thirrje të fortë qeverisë dhe opozitës të zgjedhin me mençuri në interes të popullit shqiptar dhe të ardhmes së begatë europiane të cilën populli i këtij kombi të madh meriton.”

(d.b/BalkanWeb)