ResPublica.al, 11 NËNTOR 2012
Protesta Stamboll, kundër arrestimit të një gazetari -VOAZëri i Amerikës boton sot një artikull kushtuar lirisë së medias në Turqi. Paradoksi qendron tek fakti që për shumë njerëz në Perëndim, Turqia është një dritë e demokracisë në Lindjen e Mesme ndërsa një raport i ri nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se Turqia është vendi kryesor që burgos gazetarët në mbarë botën, me 76 gazetarë të burgosur aktualisht, mijëra çështje penale të ngritura kundër tyre dhe të tjera që qarkullojnë në gjykata.
Gazetarë turq që mbulojnë tema të debatueshme thonë se përballen me presionin e vazhdueshëm të ndjekjes penale.
“Sipas grupeve lokale, në fund të vitit të kaluar, kishte ndërmjet 3,000 dhe 5,000 raste të pazgjidhura – çështje penale – kundër gazetarëve për një shumëllojshmëri akuzash që shtrihen nga fyerjet për Turqinë e deri tek përpjekjet për të ndikuar në rezultatin e një gjykimi” thotë për Z.A. Nina Ognianova, një analiste me Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve në Nju Jork.
Bashkimi Evropian thotë se ka shqetësime në rritje rreth lirisë së shtypit të cilat venë në rrezik anëtarësimin e Turqisë në BE. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur gjithashtu shqetësim. Francis Ricciardone është ambasadori amerikan në Turqi, dhe ai shprehet se “ka një efekt trishtues. Ekziston një ndjenjë se mund të humbasësh punën nëse shkruan apo thua dicka në televizion, mund të kërcënohesh ose të shkosh në burg, apo të merresh në pyete nga autoritetet”.
Jemi akoma duke folur për Turqinë. Por, pavarësisht ekspansionit të telenovelave, bizneseve dhe neo-otomanizmit në Ballkan, s’ka arsye që Shqipëria të zbulojë marifete të reja për të mbajtur nën zgjedhë shtypin. Fundja te ne, shtypi është i lirë dhe… i varur. Ne.Su.
Në foto: Protesta në Stamboll, kundër arrestimit të një gazetari
http://www.respublica.al/artikuj/2012/11/11/turqia-vendi-i-pare-qe-burgos-gazetaret-ne-mbare-boten