Terror për pushtet

0
29

Redaksionale, 22.01.2011

Dhuna shtetërore e shëndërroi dje demonstratën e paralajmëruar të opozitës shqiptare në gjakderdhje dhe anarki, që përfundoi me vrasjen e tre protestuesve, dhjetra të plagosur dhe qindra të lënduar. Sheshi përballë kryeministrisë historikisht ka qenë arenë protestash të dhunshme kundër qeverive në këto 20 vitet e fundit, por asnjëherë nuk është shndërruar në shesh dhune dhe terrori si dje, me kaq viktima jetësh njerëzore dhe kaq gjak të derdhur.

Dhunë ndaj godinës së kryeministrisë ka bërë dy herë partia e Sali Berishës në 13 dhe 14 shtator 1998, madje duke i vënë flakën edhe zyrës së ish-kryeministrit Nano, duke kallur në flakë makinat e administratës shtetërore.

Madje më tej, duke shkatërruar dhe bastisur godinën e kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, duke pushtuar dhe mbajtur peng selinë e RTVSH-së dhe të institucioneve të tjera që simbolizonin pushtetin e të majtës që akuzohej për vrasjen e liderit të Dhjetorit Azem Hajdari. Pas kësaj e majta u detyrua të merrte përgjegjësinë për dhunën dy ditore që ushtroi turma e irrituar e PD-së, me dorëheqjen e dhe Nanos dhe zëvendësimin e tij nga një figurë e brishtë si Pandeli Majko.

Sali Berisha urdhëruesi i këtyre sulmeve të dhunshme ndaj institucioneve, dje jo vetëm nuk dha dorëheqjen, por për të ruajtur pushtetin e tij e shtypi demonstratën popullore me gjak dhe terror.
Tre viktimat e djeshme janë vrarë nga plumbat e ardhur nga brenda institucioneve qeveritare. Në një video që është në Shekulli Online dhe po bën xhiron e botës e që e kërkoi edhe prokuroria si provë materiale, duket qartë një protestues me duar në xhepa që qëllohet nga selia e kryeministrisë.

Publicisti Ardian Klosi e dha dëshminë e tij për vrasjen e protestuesit tjetër, me plumb në ballë të gjuajtur nga një snajper mbi godinën e ish-Komitetit Qendror. Plumbat e gjetur në bulevard tregojnë ashiqare se kanë dalë nga armë që janë përdorur dje nga garda e Republikës.

Qeveria ka variantin e saj: kryeministri Sali Berisha, ministri i brendshëm Lulzim Basha apo ministri i Mbrojtjes Arben Imami kishin dje një alibi për vrasjen e tre shqiptarëve: ishin qëlluar me revole të lehta, nga turma, mundësisht pas veshit. Me gjakftohtësinë e kriminelëve të sprovuar, ata u distancuan nga aktet kriminale, duke akuzuar opozitën si vrasëse të jetëve të pafajshme.

Me cinizmin dhe burracakërinë e shtetit që ka rënë, por mbahet vetëm për të vijuar batërdinë me të mirat materiale të vendit, qindra policë dhunuan dhjetra qytetarë të pafajshëm që ndodheshin në lokalet e Kullave Binjake, përballë selisë së qeverisë.

Njerëz të thjeshtë, gazetarë, apo kalimtarë u bënë pre e dhunës barbare, e asaj policie, e cila u fsheh burracakërisht, kur disa vandalë po përfitonin nga kaosi për të shkatërruar gjithëka u dilte përpara.
Mesazhi i kësaj dhune është i qartë: t’i shtypet koka ëdo kundërshtari që proteston kundër qeverisë.

Këtë mesazh doli tu thoshte mbrëmë shqiptarëve të vrarë, të plagosur dhe të dhunuar kryeministri Sali Berisha. Doli për tu treguar se është aty dhe do të jetë pa pyetur për jetët njerëzore. Do të jetë aty në selinë e qeverisë, simbolin e pushtetit që vret, vjedh dhe dhunon këdo që i del kundër. Sepse është i papërgjegjshëm për ata që ka vrarë dhe do të vrasë këdo që i kërkon të heqë dorë nga pushteti dhe pasuritë e vjedhura me dhunë.

Sali Berisha përmendi mbrëmë skenarin tunizian të orkestruar nga opozita, sepse në subkoshiencën e tij ai e di se për shqiptarët sot, ai është si Ben Aliu I Tunizisë dhe se oborri i tij është po ai që shtypte me dorë të herkurt prej dekadash tunizianët e skamur dhe të dhunuar.

Gjithë ai popull që dje erdhi mes njëmijë e një pengesash shtetërore dhe policore në Tiranë, i tregoi Sali Berishës se zemërimi antiqeveritar ka arritur aty ku s’mban më, se shqiptarët nuk mund të jetojnë më nën diktaturën e tij që u vjedh votën, bukën e fëmijëve, dhe pastaj i vret vetëm e vetëm për të mbajtur veten në krye të një pushteti gjakpirës.