E premte e zezë, 21 janar 2011

0
15

Bledi Gilaj

Urdhri
Videoja shokuese tregon sesi një nga protestuesit u qëllua nga godinat e institucioneve
Tre persona u vranë dhe dhjetra të tjerë u plagosën gjatë protestës së djeshme. Kryeministri ka hedhur akuza mbi kreun e opozitës, por një video tregon qartë sesi është qëlluar një demonstrues nga brenda Kryeministrisë, teksa qëndronte në këmbë para godinës, bashkë me dy persona të tjerë. Gjendja e krijuar nga demonstrata e djeshme ka pasur edhe dhjetëra të plagosur si nga policia dhe nga qytetarët, duke rikthyer në mes të Tiranës vitin ’97. Policia dhe Garda kishin marrë urdhër që me çdo çmim të mos lejohet që demonstruesit të kalojnë portën e hekurit të godinës së Kryeministrisë.

Shokuese ka qenë videoja e publikuar në internet, ku duket qartë sesi një nga tubuesit qëllohet me plumb në gjoks nga brenda Kryeministrisë, duke hedhur poshtë hipotezat e Kryeministrit. Ai ka qenë në momentin kur demonstruesit kanë thyer portën e hekurit të Kryeministrisë. Teksa qëndronte në trotuar, bashkë me dy të tjerë, shihet kur merr një plumb në gjoks dhe rrëzohet përdhe, duke kuptuar qartë se është qëlluar përballë, aty ku kishte vetëm punonjës të Gardës dhe të policisë.

Kulmi ka arritur në orën 16.00, kur breshëri të shtënash janë dëgjuar e dhjetëra protestues, të gjakosur, të tmerruar, janë parë të shtrirë. Qindra të tjerë vraponin për të gjetur skuta, pa dallim moshe apo seksi. Para këmbëve të gjithkujt shtriheshin njerëz pa ndjenja ose të pajetë, askush nuk e dinte nëse ishin gjallë apo jo. I plagosuri i parë është ngritur në këmbë, duke ulëritur nga dhimbja e plagës së plumbit. Menjëherë dy të rinj e kanë marrë në supe dhe kanë kërkuar ambulancë.

Por, në disa sekonda janë dëgjuar të bërtiturat “e vranë”, “e vrau Sali Berisha”, “e vrau policia”. Në krahë është marrë një person, rreth 30-ave, i cili dukej qartë se në gjoks kishte dy plumba. Këtë herë jo vetëm gratë, por edhe burrat kanë qarë me ulërima dhe britma dhimbjeje. Demonstruesit janë irrituar, ndërsa brenda pak minutash kanë ardhur të shtëna të tjera me breshëri. Një tjetër demonstrues është vrarë e disa të rinj janë plagosur. Të paktën kështu thonë ata që u kanë qëndruar pranë.

Por demonstruesit janë të vendosur që mos të dorëzohen, duke i kërkuar policisë të largohet dhe duke kërkuar që Kryeministri të japë dorëheqjen. E pikërisht në këto momente afrohen në portën e hekurt të Kryeministrisë dhe e rrëzojnë. Por, bashkë me ta, me një plumb në kokë rrëzohet edhe një nga demonstruesit. E shtëna u duk se erdhi nga snajperët e vendosur përballë Kryeministrisë, mbi godinën ku është Kryesia e Kuvendit.

Një tjetër person me plumb në kokë vërehet në trotuarin e Kryeministrisë. Ai është një djalë i ri dhe niset për në spital. Situata është kaotike. Brenda kangjellave të Kryeministrisë punonjësit e Gardës së Republikës, por edhe ata të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë qëllojnë me armë. Nuk dihet nëse janë plumba manovër apo jo. Por, shpeshherë armët drejtohen e shkrepen në demonstrues, sidomos në ata përballë portës së hekurit që ndodhen në bulevardin kryesor.

Nuk mungojnë të shtënat edhe përbri Kryeministrisë, e demonstrues që vrapojnë të gjakosur. Pleq, gra e të rinj qëllojnë me gurë e shishe, ndërsa në këmbim marrin plumba. Çdo gjë ka dalë jashtë kontrollit, ndërkohë që snajperët rrinë në gatishmëri, më shumë se kurrë. Madje, burimet nga policia shprehen se kishin marrë urdhër që të qëllonin, nëse tentohej hyrja në Kryeministri. Këtë e ka vërtetuar edhe Kryeministri, kur tha se do ta mbronte me çdo çmim institucionin shtetëror.