Një aparat u afrohet mureve të ambasadave sa herë ka takime, – thotë Ruçi. Dhe citon intervistën e Berishës me Mustafa Nanon në 2005

0
24

ResPublica.al, 10 nëntor 2012

Është folur për zhurmuesit, për celularët…?

Edhe ky është një debat shterpë. Në një parti ka rregull dhe etikë. Kur fillon mbledhja duhen dorëzuar celularët te dera. Vetëm te ne ndodh që futesh në një mbledhje dhe kur nis diskutim dhe të gjithë merrem me celularët. Saliu le të thotë se si zhvillohet mbledhja e qeverisë. Asnjë celular nuk punon në mbledhje dhe është krejt normale. Berisha pati merakun se nuk mori vesh çfarë tha Rama në atë mbledhje.

Ju thoni që është çështje përgjimesh?

Sigurisht. Këtë ia kam thënë dhe Saliut në kuvend. Ai e ka të thjeshtë se s’ka as sekretar, as kryesi, është vetëm Saliu. Ata na përgjojnë dhe këtë e kanë thënë dhe mediat, dhe jo vetëm ne. Ai ka blerë dhe një aparat për të përgjuar opozitën apo dhe diplomatët e huaj. Është një aparat që u afrohet mureve të ambasadave sa herë ka ndonjë takim atje.

Pyetje përgjigjet e mësipërme janë marrë nga një intervistë transmetuar sot në mbrëmje në televizionin Vizion Plus me Gramoz Ruçin. Veç çështjes së përgjimeve ai ka prekur edhe disa tema të tjera të politikës së ditës duke thënë se zgjidhja e kësaj situate do të vijë në zgjedhjet e ardhshme.

“Sot kemi një Kryeministër që sundon. Nëse do të kuptosh se kush është Sali Berisha, mjafton të lexosh atë intervistën e botuar ditët e fundit me publicistin Mustafa Nano dy ditë para zgjedhjeve të 2005-s. Kur e pyet Saliun si luftohet korrupsioni, ai i përgjigjej se korrupsioni lulëzon kur ka pushtet të pakufizuar. Fiks…” – tha ndër të tjera Ruçi i PS. (A.N.)