Partia Socialiste: Koalicioni i turpit i ka lyer duart me gjak shqiptaresh!

0
80

Nga Korresp. 24-ore.com

Gjatë një dalje të dytë për mediat, Kryetari i PS Edi Rama shprehu dhimbje për humbjet e tre jetëve të pafajshme njerëzore, siç e cilësoi ai, për shkak të një pushteti tërësisht të kalbur dhe të verbuar në ethet për të qëndruar me çdo mjet në këmbë. Rama iu drejtua të gjithë organeve të drejtësisë që të vihen në lëvizje për ekspertizat e nevojshme. “Unë i sigurojë të gjithë se ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë akoma më të vendosur dhe akoma më të se tashmë zgjedhja është e qartë: O një Shqipëri e lirë për të gjithë, o një popull i nënshtruar nën thundrën e një pushteti të barbarizuar deri në pikën që na demonstroi sot me sjelljen e vet”, theksoi kryesocialisti gjatë deklaratës së tij.

Më poshtë mund të lexoni të plotë deklaratën e dytë për media të Kryetarit të PS Edi Rama:

Jam përsëri përpara jush, përpara të gjithë shqiptarëve me trishtimin e thellë për humbjen e tre jetëve tërësisht të pafajshme, për shkak të një pushteti tërësisht të kalbur dhe të verbuar në ethet për të qëndruar me çdo mjet në këmbë. Shqipëria mbarë po e sheh sjelljen barbare të forcave policore, që pas përpjekjeve intensive të të gjithëve ne për të qetësuar këdo që mund të qetësonin u lëshuan mbi ata që qetësisht po largoheshin dhe mbi qytetarë të pafajshëm, duke mësyrë deri dhe në mjedise private, përballë godinës së atij që quhet kryeministri i Shqipërisë, por që fatkeqësisht është thjeshtë dhe vetëm përfaqësuesi i një koalicioni turpi që sot ka lyer duart me gjak shqiptarësh të pafajshëm.

Unë nuk dua që me tonet e kësaj rezolute të brendshme legjitime, shqiptare, qytetare, njerëzore të nxis askënd në një drejtim ku Shqipëria nuk duhet të hyjë, por nga ana tjetër dua tu them që të gjithë shqiptarëve se sot, tani, në çdo minutë ajo që po shfaqet katërcipërisht përpara syve të mbarë opinionit publik e të mbarë botës që sheh është natyra e vërtetë e këtij pushteti që duhet të largohet. Keqpërdorimi deri në ekstrem i forcës policore të shtetit, i atyre burrave dhe djemve që për një rrogë mizerabël punojnë, sakrifikojnë, ditën dhe natën në krye të detyrës është një keqpërdorim i pafalshëm dhe mënyra sesi u provokua një demonstratë paqësore dhe sesi u goditën pa zënë ende vend në bulevard demonstrues të cilët kishin vetëm pankarta në dorë, është mënyra me të cilën Saliu, koalicioni i turpit, regjimi kusarisë dhe matrapazllëkut na tregoi as më shumë e as më pak por drejtësinë e rrugës sonë, drejtësinë e përpjekjes sonë, drejtësinë e betejës sonë, drejtësinë e aspiratës sonë, drejtësinë e gjithë kësaj rruge që sot kulmoi me një demonstratë të kthyer në tragjedi nga një pushtet i rrëzuar moralisht, i kalbur deri në palcë.

Nga ana tjetër detyrimin tonë për ta vazhduar përpjekjen, duke mos e humbur për asnjë moment gjakftohtësinë dhe drejtpeshimin në kërkim të një zgjidhje të re për Shqipërinë dhe për shqiptarët, në mënyrë që çdo shqiptarë, çdo qytetarë i këtij vendi, i ri apo e re, i moshuar, pensionist, të papunë, burrë apo grua, prind apo fëmijë të ketë lirinë dhe të drejtën të jetojë në këtë vend si të barabartë përpara ligjit dhe jo të sundohet nga këta njerëz që kanë folur për forcën e ligjit dhe në fakt sot kanë tejkaluar të gjithë kufijtë e ligjit, duke shkaktuar deri dhe humbje jetësh të pafajshme. Jetësh shqiptare të cilat sot u shuan në një përpjekje mëse të natyrshme, mëse normale të një populli të tërë që kërkon demokraci. Të një populli të tërë që kërkon të jetojë këtu në Shqipëri si në gjithë Europën. Të një populli të tërë që nuk do të zmbrapset asnjë milimetër në përpjekjen e vet.

Ndërkohë që apeli im është që të gjitha organet e drejtësisë të vihen në lëvizje për të bërë ekspertizat profesionale, për ato krime të ndodhura sot, që janë krime mirëfilli shtetërore dhe që nuk mund të mbulohen dhe as të treten si uji në rërë me deklarata të papërgjegjshme si ato që po dëgjojmë, apo me propagandën e pritshme në rast se Saliu, qeveria, koalicioni i turpit dhe pala që sot mban peng gjithë procesin demokratik nuk do të vetëdijesohet një orë e më parë se është koha për zgjidhje, është koha për të qetësuar popullin shqiptarë, është koha për të qetësuar çdo qytetarë e qytetare, çdo familje shqiptare, çdo njeri që jeton në këtë vend. Është koha për të qetësuar dhe të gjithë ata që jetojnë jashtë këtij vendi në emigracion për të qetësuar këdo që punon dhe bashkëpunon me Shqipërinë, duke rikthyer politikën si mjet për zgjidhjen e problemeve dhe duke rikthyer lirinë dhe drejtësinë kushtetuese në ushtrimin e të drejtave të përfaqësimit të të gjithë qytetarëve.

Duke ju shprehur ngushëllimet e mia familjeve që sot humbën të dashurit e tyre të nisur në një demonstratë për liri e të drejta, që në Shqipëri e sotme duhet të ishin si ajri që thithim dhe si drita që shohim, unë i sigurojë të gjithë se ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë akoma më të vendosur dhe akoma më të se tashmë zgjedhja është e qartë: O një Shqipëri e lirë për të gjithë, o një popull i nënshtruar nën thundrën e një pushteti të barbarizuar deri në pikën që na demonstroi sot me sjelljen e vet.