Dritan Hila, 21.01.2011
Zonja Shpresa Brecaj, kryetare e Gjykatës së Lartë të RSH!
Po ju shkruaj këtë letër publike, jo për shkak të mungesës së besimit se nëse do ishte nisur privatisht nuk do ta lexonit, por për arsye se në një komunikim me publikun shmangen thëniet e së vërtetës për një anashkalim të ligjit që keni bërë, duke ndikuar me emërimin e vajzës tuaj në strukturat e shërbimit diplomatik shqiptar. E bëj këtë edhe si një satisfaksion moral të dhjetëra diplomatëve që vëndin e punës e kanë fituar me djersën e ballit; të cilët e njohin shumë mirë profesionin e tyre dhe ligjin mbi të cilin funksionon, si dhe për hir të atyre shqiptarëve që nuk kanë mundësitë dhe njohjet tuaja, por kanë po aq të drejtë që fëmijët e tyre të punojnë në këtë shërbim, pasi janë bashkëpronarw mbi vëndin e quajtur Shqipëri, po aq sa ju dhe ca të tjerë, që ju duket sikur ja u ka lënë babai me tapi, por nuk kanë mundësi, pasi zënia e këtyre posteve nga fëmijë të baballarëve e nënave “të zot”, nuk ju lë një shans.
Është i nevojshëm ky sqarim i hapur për faktin se, kjo mospërfillje e ligjit vjen nga personi i cili është instanca e fundit ku shqiptarët mund të gjejnë drejtësinë mbi tokë, e pas së cilës mbetet vetëm drejtësia e Zotit, si dhe është detyrë qytetare që të denoncohet, kur kjo vjen nga njerëz që përfaqësojnë drejtësinë, që është pushteti dhe instanca e fundit që mund të korrigjojë dëmet, shtypjen dhe padrejtësinë që ju shkaktojnë pushtetet e tjera. Është detyrë civile të bëhet ky paralajmërim publik, pasi ndërhyrja juaj, është tregues se sistemi i drejtësisë është i ndikuar nga interesa personale dhe i molepsur nga trafiku i influencës, gjë e cila duhet të ndryshojë, pasi ky është pushteti i fundit ku shoqëritë mbështesin besimin e tyre dhe, pas krimbjes së tyre, vjen shëmbja e shoqërisë dhe historia ka treguar se ka ndodhur edhe rënia e kombeve. Aq më urgjente bëhet, pasi rasti juaj, është tregues i qartë se pse drejtësia dhe prokuroria si segment i saj, nuk ka qullosur asgjë në mbrojtje të interesave publike dhe të bëjë punën për të cilën paguhet.
Besoj se duhet ta dini që revoltat dhe revolucionet, në histori kanë ndodhur më shumë për shkak të mungesës së drejtësisë sesa nga varfëria: Revolucioni Francez, ndodhi për shkak të abuzimeve me pasurinë publike të Mari Antuanetës dhe mos ndëshkimit të saj; Revolucioni Amerikan, për shkak të taksave të padrejta dhe mungesën e drejtësisë nga Mbreti i Anglisë ndaj shtetasve të tij të përtej detit; Revolucioni Rus, për shkak të korruptimit të sistemit carist. Po ashtu mungesa e besimit se ky vënd do të bëhet ndonjëherë, ku fetën e madhe në gërryerjen e tij e ka drejtësia e munguar, ka shkaktuar hemorragjinë e një të katërtës së popullsisë së këtij vëndi, me shenja ende të pakta ndalimi. I them këto fakte, për t’ju bërë të ndërgjegjshme për postin që mbani, dhe për t’ju vënë në dijeni nëse formimi juaj akademik i mëparshëm nuk ja u ka dhënë.
Nuk është reale kur thoni se vajza juaj është emëruar në përputhje me ligjin, pasi nëse e keni lexuar të vetmin ligj, të vetmen rregullore dhe të vetmen VKM mbi të cilat rregullohet ky shërbim, do konstatonit se vajza juaj duhej të pranohej me konkurs, pas një njoftimi të shpallur në gazetë, dhe nëse fitonte konkursin, duhet të rrinte një vit në provë. Vetëm pas këtij viti prove mund të konfirmohej si diplomate dhe, pas dy vjetësh pune në aparatin e MPJ-së, pra një totali prej tre vjetësh, mund të çohej në përfaqësi jashtë shtetit.
Besoj se ju e keni lexuar këtë, e në mos ju, vajza do ta ketë mësuar dhe ja u ka thënë, se të dyja i keni bërë llogaritë dhe ju rezultoi se nuk ishit në rregull me ligjin.
Nuk mund të mbroheni dot as duke u kapur tek VKM-ja, vendim i bërë nga ish ministri që flet shtruar. Gjashtë vjet përpara, për të justifikuar transfuzionin që kishte ndër mënd ti bënte ministrisë së jashtme, stisi VKM-në e cila teorikisht parashikonte emërimin në përfaqësi të caktuara për probleme specifike, të personaliteteve nga fusha të ndryshme të dijes. Menjëherë pas miratimit, siç ndodh në traditën më të mirë të qeverisjes shqiptare, dhe qëllimin real të cilin kishte ky vendim, i zbrazën përfaqësitë nga diplomatët e karrierës dhe i mbushën pa asnjë kriter me kushërinj, emigrantë, militantë, e shtetas të huaj, duke e prurë këtë shërbim në derexhenë që është sot, e ku gjysma e tyre e marrin fjalën Roma për Toma. Por me sa di unë, vajza juaj as është personalitet, e as është shquar në ndonjë fushë të dijes, ndaj nuk ka pse pretendon të kapërcejë tre e nga tre shkallët e karierës.
Me siguri, që ju e dini se në vend të meritokracisë si kriter themelor i një administrate moderne, në administratën shqiptare kriter bazë është aftësia për të ushtruar korrupsionin politik, moral dhe atë financiar, të cilët janë shtruar këmbëkryq në rekrutime, pasi nuk ka si spjegohet ndryshe që gati gjysma e nëpunësve shtetërorë kanë shkelje ligji mbi rekrutimin në dosjet e tyre; ose janë në pozicione drejtuese në kundërshtim me ligjin; ose ka abuzime në promovim ose dhënien e statusit të nëpunësit civil në mënyrë të pa merituar e në shkelje me ligjin, me favorizimin pikërisht nga njerëzit që ligji ju njeh funksionin e rojes së tij; ose raste flagrante kur paguhen si nëpunës të ministrive pa u paraqitur një ditë në zyrë, dhe përfitojnë statusin e nëpunësit civil dhe emërime spektakolare.
Duke dëgjuar këto raste, si një nënë e mirë keni menduar ti afroni një mundësi vajzës tuaj. Por ju nuk jeni një nënë e zakonshme, pasi merrni një rrogë dy milionshe, përveç celularit dhe makinës pa pagesë, në një vënd ku papunësia përfshin 20% të fuqisë punëtore dhe asistenca është vetëm 60 mijë lekë, ndaj detyra juaj është të jepni drejtësinë, por edhe të jepni shëmbullin personal dhe familjar se jeni zbatuese e ligjshmërisë.
Duke qënë se keni bërë të kundërtën e asaj çka presupozon posti juaj, dhe për të ruajtuar aparencat dhe imazhin publik, keni shfrytëzuar mosnjohjen e ligjit nga ana e publikut në komunikimin më të, juve duhet të jepni dorëheqjen. Nëse nuk e keni njohur ligjin por keni folur në tym, duhet dyfish të jepni dorëheqjen.
Unë jam i bindur se dorëheqja nuk do të ndodhë, pasi këto veprime i ndërmarin njerëz me moral të lartë profesional, virtyt i cili lulëzon në Europën e civilizuar ndërsa këtu quhet simptomë e budallallëkut. Po ashtu më e pakët është shpresa që kjo të ndodhë, pasi shqiptarët kur japin dorëheqjen nuk e konceptojnë si një akt fisnik pendese, por mendojnë t’i shmangen valës së turpit e kritikave duke dalë nga dera, për të hyrë më vonë nga penxherja, gjë që ligja në rastin tuaj nuk ja u mundëson. Por sa më sipër shkruajtur, është si një shenjë të cilën e ndjej për detyrë tja u nis për të treguar se shqiptarët kanë inteligjencë dhe mënd më shumë se shumë nga ata që i drejtojnë, dhe që nuk ja u keni hedhur.







