Skema e re piramidë, CEZ krijon kompani fantazmë për të transferuar aty paratë

0
67

TemA, 7 Nëntor 2012

Kompania CEZ Shpërndarje krijon kompani të tjera që nuk bëjnë asnjë punë, por marrin miliona nga kompania nënë në Shqipëri

Para pak ditësh Banka Botërore ngriti alarmin se CEZ në Shqipëri nuk ka investuar dhe ka qenë një dështim.

Ndërkohë deputeti socialist, Arben Ahmetaj ka denoncuar një skandal të rëndë të kësaj kompanie, e cila po krijon firma fantazmë për të depozituar aty paratë pa bërë asnjë punë.

“Ka shumë ditë që shqiptarët bëjnë pyetje se ku shkojnë paratë e CEZ shpërndarje, ku shkojnë paratë e tyre, ku shkojnë paratë që mblidhen nga abonentët dhe si është e mundur që CEZ shpërndarje dhe ajo që ajo bën vazhdon të ngelet në errësirë. Përgjigjen duhet ta japin institucionet shtetërore, së pari duhet ta japë qeveria shqiptare dhe së dyti duhet ta japë Enti Rregullator i Energjisë të cilët janë përgjegjës të drejtpërdrejtë të monitorimit dhe mbi të gjitha përgjegjës të drejtpërdrejtë të krijimit të kësaj piramide të re që rëndon në kurrizin e shqiptarëve. Megjithatë, ne si opozitë jemi munduar dhe sot do të hedhim dritë rreth këtij fakti,” tha Ahmetaj.

Po si funksionon kjo skemë? CEZ krijon kompani të tjera që marrin miliona euro pa bërë asnjë gjë.

“Por ne i tregojmë shqiptarëve një nga instrumentet sesi transferohen paratë nga portofoli i CEZ në portofol të kompanive të tjera dhe konkretisht të kësaj kompanie që quhet CEZ Albania.

Çfarë bën CEZ Albania për CEZ Shpërndarje. CEZ Albania është kompani e dizenjuar për të bërë konsulencë. Konsulencë për çfarë?! Këtu fiksoheni këtë kompani, e cila ka marrë në vite sasi të konsiderueshme parash, ka faturuar sasi të konsiderueshme parash ndaj CEZ Shpërndarje. Një nga elementët ku shkojnë paratë e shqiptarëve është këtu brenda. Këtu kam sjellë një grafik të shpenzimeve të konsulencës që CEZ shpërndarje faturohet nga CEZ Albania. Shikoni sesa para faturon CEZ Albania për shërbime konsulence. Në 2009, 2.5 milionë dollarë. 2.5 milionë dollarë shërbime konsulence, një kompanie monopol, e cila jo vetëm që nuk e ka përmirësuar menaxhimin, por ka zeruar pasurinë e shqiptarëve. Në 2010, 7 milionë dollarë. Në 2011, 12 milionë dollarë dhe vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2012, 1 milionë dollarë. Një pasuri e tërë mbi 30 milionë dollarë të cilat faturohen në favor të CEZ Albania për arsye që duhet t’i dijë qeveria shqiptare dhe Enti Rregullator,” tha Ahmetaj.

Ndërkohë deputeti socialist solli edhe një faturë të një shtëpie të pabanuar (FOTO POSHTE), e cila është faturuar 1 milion lek të vjetra.

“Kjo është një faturë që unë do t’i lutesha medias edhe ta investigonte. Është një shtëpi e pabanuar, kjo është një faturë reale. Kjo është një banesë bosh e faturuar 104 mijë lekë, pra mbi 1 milion lekë të vjetra. Merrni ekstremitetet e faturës, mund ta investigoni, ky është një abuzim i drejtpërdrejtë, në sytë e Entit Rregullator, në sytë e qeverisë shqiptare. Shembuj të tilla kanë ardhur me shumicë këto ditë. Të dyja dhe qeveria shqiptare dhe Enti Rregullator hesht përballë këtij abuzimi, ndërkohë që në transparencën që po i bëjmë pagesave brenda rrethit të kompanive të CEZ-it, do të habiteni që ka pagesa 250 dollarë orë për konsulencë. 200 dollarë për orë për konsulencë. Pagesa në një orë që merr një nga menaxherët e CEZ Albania është baras me pagesën e një mësuesi në muaj”.