Kuotat e Berishës

0
58

Eduard Zaloshnja

Eduard Zaloshnja, 01.12.2009

Akuzat personale që Berisha bëri kundër Ramës në Kuvend u komentuan gjerësisht. Komentet e bëra janë përqëndruar kryesisht në rrafshin e moralit politik apo institucional. Po në rrafshin elektoral, pra në efektin që kanë pasur ato te kuotat e secilit udhëheqës në bursën e opinionit elektoral?

Fatkeqësisht, në Shqipëri ende nuk është krijuar tradita e kryrjes së sondazheve periodike të opinionit publik, të cilat do të informonin publikun rreth efekteve që ka pasur sulmi i fundit i Berishës ndaj Ramës në elektoratin shqiptar.

Në mungesë të sondazheve të tilla, do të mundohem të bëj një analizë të këtyre efekteve në rreshtat e mëposhtëm, bazuar në rezultate elektorale të së shkuarës. Nga një studim i kryer një vit më parë, më rezultonte se, duke filluar prej vitit 2001, rreth 24% e pjesëmarrësve në zgjedhje kanë qenë votues të lëkundur. Në një palë zgjedhje ata mund të kenë votuar majtas e në të tjera djathtas.

Në një palë zgjedhje kanë marrë pjesë e në të tjera jo. Sidoqoftë, kur ka ardhur dita e votimit, në rrang kombëtar, votuesit e lëkundur e kanë ndarë votën pothuaj në mes midis të djathtës e së majtës. (Shënim: Për konvencion, tek e djathta po përfshij të gjitha partitë që e quajnë veten të djathta dhe anasjelltas).

Një përqindje kaq e lartë e votuesve të lëkundur tregon se sa i rëndësishëm është ky segment i elektoratit për kuotat e secilit kamp politik. Në fakt, rëndësinë e këtij segmenti të elektoratit duket se e kanë kuptuar me kohë të dyja kampet politike.

Kështu, para zgjedhjeve të vitit 2001 dhe 2005, të majtët e përqëndruan fushatën te rikujtesa që i bënë elektoratit të lëkundur rreth bëmave të Berishës më 1996, 1997 e 1998.

Ndërsa Berisha i kushtoi vëmendje të veçantë krijimit të një imazhi paqësor nëpërmjet “Fillimit të Ri” në 2001-shin dhe KOP-it në 2005-ën. Si rrjedhojë, zgjedhjet në të dyja këto vite përfunduan me një rezultat pothuaj të barabartë mes dy kampeve kryesore të politikës shqiptare.

Në zgjedhjet lokale të 2003-shit dhe 2007-ës, strategjia që ndoqi Berisha në Bashkinë e Tiranës ishte ajo e akuzave personale ndaj moralit të Ramës dhe familjes së tij. Madje në 2007-ën, u arrit deri te publikimi i disa fotove personale të Ramës, të cilat ai i kishte bërë në një plazh nudo.

Dhe çfarë rezultati u arrit nëpërmjet kësaj strategjie? Si në 2003-shin (kur PS-ja ishte në pushtet), edhe në 2007-ën (kur në pushtet ishte PD-ja), Rama fitoi me 12 pikë diferencë ndaj kundërshtarit demokrat – gjë që tregon se elektorati i lëkundur anoi dukshëm nga Rama.

Ndoshta duke e kuptuar se akuzat personale ndaj moralit dhe familjes së Ramës nuk u mirëpritën nga elektorati i lëkundur, në fushatën e Berishës në 2009-ën, vendin kryesor e zuri mesazhi pozitiv rreth ndërtimeve që po bëheshin në Shqipëri.

Si rrjedhojë, partitë e koalicionit të tij arritën një rezultat të ngjashëm me atë që ato, të marra së bashku, kishin arritur në 2005-ën. Dhe ngjashëm me 2005-ën, me ndihmën e Metës, Berisha arriti të bëhej sërish kryeministër.

Kjo analizë e rezultateve të së shkuarës të çon vetvetiu në përfundimin se akuzat personale ndaj moralit dhe familjes së Ramës, që Berisha bëri në Kuvendin e Shqipërisë, nuk janë të mirëpritura nga elektorati i lëkundur.

Pra, në qoftë se do të zhvillohej sot një sondazh mbi këtë çështje, me gjasa, vetëm 35% e elektoratit aktiv (d.m.th., që merr pjesë në votime) do ta miratonte sulmin verbal të Berishës. Në krye të këtij segmenti të popullsisë do të ishin njerëz të një mendjeje me Jozefina Topallin, Edi Palokën etj.

Analizën e mësipërme janë në gjendje ta bëjnë edhe këshilltarët politikë të Berishës. Pyetja është a ia kanë ofruar ata një analizë të tillë shefit të tyre, para se ai të rilëshonte akuzat e vjetra në foltoren e Kuvendit? Në qoftë se përgjigjja për këtë pyetje është po, pyetja që vjen më pas është se pse Berisha e ka shpërfillur këshillën e njerëzve të tij të afërt.

Përgjigjen e kësaj pyetjeje ndoshta mund ta japë më mirë ndonjë psikolog, por unë po bëj vetëm një hamendje: Berisha e ka të vështirë të qëndrojë vazhdimisht brenda kufijve të një politikani racional – jo rrallëherë ai kalon në sinorin tjetër, ku emocionet sundojnë mbi llogaritë racionale politike.