Nga Preç Zogaj
Që prej një viti e gjysmë opozita shqiptare ka shtyrë e ka shtyrë, me dëshirën për ta evituar si të panevojshme, demonstratën e nesërme, përballjen ballore dhe të pakthyeshme të qytetarëve me një qeveri që nuk ka lindur në kutitë e votimeve, por në tryezën e kombinacioneve, interesave dhe pazareve politike dhe ekonomike.
Vend i sertë ky yni, ku siç thoshte Fishta, burrat edhe kur të puthin të gërvishtin. Të pasnesërmen e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan nga terreni, se votat po numëroheshin keq ,edhe shumë keq në një të tretën e qendrave të numërimit. Pikërisht në ditët kur po jepej kjo mandatë, Ilir Meta po vendoste t’i përdorte votat që kishte mbledhur kundër Berishës jo për ta larguar, po për ta mbajtur Berishën në një qeveri të dytë.
Nuk duheshin fakte të tjera për të kuptuar se vendit po i imponohej një farsë e shumëfishtë, me pasoja të rënda për të gjithë, përfshirë aktorët e farsës. Autori i këtyre radhëve, duke besuar me bindje se problemi themelor i Shqipërisë, prej nga buron paqja ose lufta, progresi ose kalbëzimi i saj, ishte dhe mbetet legjitimiteti i pushtetit, i drejtoi atëherë një thirrje publike, qytetare dhe miqësore Ilir Metës duke i kërkuar të merrte përsipër me katër mandatet e partisë së tij misionin e rregullimit të zgjedhjeve.
Në vend të një thirrjeje kësisoj, Meta dëgjoi sirena të tjera, duke i dhënë mundësi farsës elektorale të marshonte përpara dhe të kulmonte në KQZ e në Kolegjin Zgjedhor ku, siç dihet, u realizua ekzekutimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor për rinumërimin e votave me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së.
Prej këtij momenti, opozita shqiptare, ajo që precipitoi si e tillë nga zgjedhjet pa fitues, e pa veten përballë një alternative ekzistence: Ose duhej të ngrinte në këmbë betejën për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve, si rruga më e sigurt për shëndoshjen e tyre, ose duhej të tjetërsohej e zhdukej në pozicionin e një opozite burokratike, libreske, konformiste dhe butaforike , duke tradhtuar misionin e saj të natyrshëm në demokraci.
Opozita e Bashkuar zgjodhi misionin. Por nuk u lëshua me “o sot, o kurrë”, siç kërkonim jo pa të drejtë shumë zëra brenda spektrit të gjerë opozitar, apo siç do të predikonin me hile më vonë vetë zëdhënësit e qeverisë që do ta “qortonin” opozitën pse ndaloi protestat, pse mbylli grevën e urisë e të tjera! Opozita është institucion politik.
Opozita parlamentare është pjesë e pushtetit të popullit. Ajo nuk ka për detyre vetëm të vlerësojë ndjeshmërinë qytetare, por ka për detyrë gjithashtu të programojë dhe shërbejë marrëveshjen.
Opozita e bashkuar është përpjekur ta çojë përpara misionin e transparencës së zgjedhjeve, si zgjidhja e zgjidhjeve, duke e parë atë si një interes kombëtar gjithëpërfshirës dhe duke mos e shkëputur nga agjenda e aspiratave të tjera të qytetarëve të vendit.
Ja përse opozita ka alternuar vazhdueshëm sallën e kuvendit me tryezat e dialogut dhe me sheshet e protestave popullore. Një vit e gjysmë opozita shqiptare ka bërë pikërisht këtë gjë. Në raste të veçanta ajo ka lejuar me vetëdije që hekuri të mos rrihet në të nxehtë, siç thotë populli.
Sepse ka dashur një zgjidhje të negociuar me shumicën; sepse ka dashur një zgjidhje të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë; sepse ka dashur që zgjidhja të kalojë nga tryeza e dialogut politik, nga tryeza e Presidentit të Republikës, nga tryeza e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, nga tryeza e delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, nga tryeza e darkës së Strasburgut në restorantin “Krokodili”, nga aula e parlamentit të Shqipërisë, nga aula e parlamentit Europian.
Sa herë është dëgjuar thirrja e dialogut, opozita ka lënë sheshet dhe është përgjigjur. Sa herë ka dhënë shenjën e talljes apo vdekjes dialogu, opozita ka kthyer sërish sytë nga sheshet e protestës. Sepse kjo kauzë, kauza e zgjedhjeve nuk ka qenë, e nuk është pronë e saj, por një çështje e madhe kombëtare. Tashmë, me prishjen e zgjedhjeve në Kosovë, edhe mbarëkombëtare.
Opozita e bashkuar ka lëshuar disa herë pe për hir të zgjidhjes. Kurse Qeveria vetëm ka sfiduar opozitën e saj, rezolutën e Parlamentit Europian, raportin vjetor të Komisionit Europian. Qeveria nuk i la zgjidhje tjetër opozitës veç asaj të rikthimit në sheshet e protestave dhe demonstratave , por kësaj radhe në një betejë të pakthyeshme dhe te pandalshme, deri në largimin e qeverisë “Berisha-Meta” dhe krijimit të një qeverie të re që do të përgatiste zgjedhjet e lira e të ndershme.
Kësaj radhe opozita nuk zbret në shesh dhe nuk i fton qytetarët të zbresin në shesh thjesht kundër talljes së qeverisë me transparencën.
Rritja e varfërisë dhe papunësisë përgjatë vitit 2010 në një anë dhe videoja skandaloze “Meta-Prifti” si një mostër e qeverisjes shqiptare në anën tjetër- të gjitha këto i japin një përmasë shumë me të gjerë, qytetare dhe mbarëpopullore, demonstratës së nesërme. Kjo nuk është demonstratë vetëm e votuesve të opozitës.
Në të pritet të marrin pjesë edhe qytetarë që nuk votojnë partitë e opozitës, por që nuk mund të pranojnë më tej formulën e një qeverisjeje , që prodhon në zyrat e saj skandale që fyejnë ndërgjegjen qytetare dhe e shumëzojnë me zero gjithë retorikën e zyrtarëve të lartë kundër korrupsionit. Nuk ka më. Nuk ka më tej.
Të pretendosh se populli mund ta gëlltisë edhe këtë, do të thotë të mos e kesh njohur kurrë popullin tënd; do të thotë të mos kesh pikën e respektit për virtytet e tij; do ta thotë ta poshtërosh dhe provokosh duke e konsideruar vemje.
Thellë-thellë, Berisha nuk ka nevojë të presë demonstratat popullore për të marrë në janar të vitit 2011 vendimin, që duhej të kishte marrë në korrik të vitit 2009. Pra, për të lexuar barazimin që doli nga zgjedhjet e atij viti, qoftë edhe të numëruara keq në një të tretën e territorit, dhe për të vepruar politikisht në përputhje me barazimin, si verdikt zyrtar i zgjedhjeve.
Ai, realisht, tani ka shumë me tepër arsye për ta prishur atë që nuk duhej të ndërtonte atëherë; koalicionin me LSI-në. Veç të tjerash, tashmë është shumë e qartë se LSI është vetë Meta dhe vetëm Meta. Sa më tepër vonohet Berisha në korrigjimin e gabimit që ka bërë, aq me e madhe është kostoja e largimit për të dhe partinë e tij.
Nga ana tjetër, Meta, që e ka paguar e vazhdon ta paguajë shtrenjtë zgjedhjen e tij të gabuar, Meta që ka humbur rrugës gjithë drejtuesit dhe politikanët profesionistë të LSI-së, ka sipas meje vetëm një shans të vogël për të mbijetuar dhe për t’u ndarë nga gabimet apo edhe fajet e tij eventuale. Të mos kërkojë sqetulla për t’u fshehur, por të hidhet në ujët e Lethës, në ujin e rilindjes, siç thuhet në mitologji; të hidhet në dallgët e politikës si dikush që kërkon të reflektojë dhe të korrigjohet sa të jetë e mundur. Pa poste, pa ministri. Pastaj do të jenë qytetarët që do të gjykojnë. Sigurisht e gjithë kjo kërkon që shija e misionit të jetë mbi shijen e lekut, shija e epikës mbi shijen e zvarritjes.
Unë i nënvizoj këto zgjidhje si mundësi. Por nuk ka dyshim se njerëzit që do të zbresin nesër e tutje në demonstrata nuk do të presin Berishën dhe Metën? Kur nuk vjen Muhamedi te mali, shkon mali te Muhamedi.