Çfarë është LSI?

1
51

Alfred Lela

Ilir Meta në selinë e LSI-së

Nuk e di. Por njoh përthyerjet që më mbërrijnë përmes lajmeve, qofshin këto televizive, të shtypit apo radiofonike; edhe më shumë se kaq, më ndihmojnë imazhet, apo se si shfaqen e sillen në publik eksponentët e kësaj partie të tretë në spektrin politik shqiptar. Në fund, janë edhe ato që thuhen, ose sesi përthyhet kjo forcë politike te individë të tjerë me të cilët më çon rasti të këmbej mendime. Të gjithë këta vektorë vijnë e bashkohen në një pikë që, le ta quajmë, është mendimi im për këtë parti.

Më lejo ta filloj me një element të jashtëm rastësia e të cilit e llojit “it happens to be there” shpjegon, dashur pas dashur, një pjesë të thelbit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Selia e kësaj partie ndodhet mbi një kafene, ose lokal siç parapëlqehet të emërtohet në Shqipëri. Ose klub, për të përdorur një tjetër kthesë të gjuhës. Është ndoshta e vetmja parti në botë që ngrihet mbi një lokal. (Edhe dy partitë e tjera, PD dhe PS, kanë lokale, por ato janë anash selive të tyre, jo nën, e as përmbi). Kemi pra një institucion politik për të shkuar në selinë e të cilit duhet të kalosh nëpër një lokal. Në fakt në këtë lokal kryhen takime politike ose jo. Këtu fillon pra klientelizmi i dytë, ai funksionar partie-militant, i cili vjen e shkrihet me klientelizmin e parë: kamerier-klient.

Porositen kafetë, uji me limon e në varësi të “qokës” edhe Johhny Walker Blue, megjithë shqiptimet e gabuara të emrit nga ata që s’njohin as anglishten e as whiskey-n skocez. Në këtë lokal takoheshin Meta me Priftin para se ata të bëheshin ministra e kryearmiq (archenemies). Këtu, në një bllok të vogël, të ngjashëm me atë që u pa të mbante kryetari i LSI-së në dialogun e përgjuar nga Dritan Prifti, shkruheshin e shkarraviteshin zona elektorale e emra deputetësh, me stërmundimin që shkakton synimi që për t’i bërë qejfin kryetarit, lista të kapte shifrën e 33 deputetëve.

Kjo na sjell edhe te përthyerja tjetër që shpjegon, gjithashtu shumë, se kush e çfarë është Lëvizja Socialiste për Integrim: kompleksi i madhështisë. Një parti që ka “kalëruar” kryesisht mbi idenë se kryetari i saj ka qenë Kryeministër dhe një pjesë e funksionarëve ministra, i hyn në hak vetes kur e projekton hijen e saj përtej kapacitetit real elektoral. Rasti i zgjedhjeve të fundit të përgjithshme nuk shkon kundër këtij përfundimi, përkundrazi e ilustron atë. Po sikur njëra prej forcave politike kryesore të mos kishte nevojë për 4 deputetët e LSI-së dhe ta formonte vetë qeverinë, cili do të kishte qenë impakti i saj në politikë?

Projektimi i 33 deputetëve dhe marrja e vetëm katër të tillëve do të funksionojë vetëm nëse politika shqiptare e përsërit impasin e 28 qershorit çdo katër vjet. Nëse, për një shkak apo një tjetër, elektorati radikalizohet dhe shmanget në njërën anë, e sakrifikuara e madhe (në fakt, e vogël) do të ishte LSI-ja. Mos harro se katër deputetët e marrë në zgjedhjet e fundit ishin pjellë e radikalizimit të vetë kësaj partie: ndërkohë që PS-ja i afrohej qendrës me sloganin “përtej të majtës e së djathtës”, LSI-ja rrëshqiste gjithnjë e më majtas me yshtjen e mijëra vendeve të punës, kur t’i fitonte ajo zgjedhjet(!).

Në mos, me anë të kësaj sjelljeje, Lëvizja Socialiste nuk është një parti politike apriori, por një projekt parapolitik, një detashment gjysmë klientelist e gjysmë ushtarak, i cili synon rimarrjen e Partisë Socialiste, ose një kthim të burrave plangprishës andej prej nga kanë dalë. Sigurisht, ky “projekt” u bë publik nga Dritan Prifti në një intervistë të ditëve të fundit, por ai ka harruar të përmendë se ekzistenca e këtij “puçi” është më e hershme dhe se edhe ai, njëherë e një kohë, ka qenë pjesë e tij. (Kallja në këtë skenar e Berishës dhe Bashës vetëm sa e bën më të ububushëm projektin dhe bash për këtë Prifti i përdori këta dy emra).

* * *

Për t’iu kthyer edhe njëherë lokalit që gjendet poshtë selisë së LSI-së, tabela me emrin e të cilit bashkë me akronimin e partisë u mbulua me vezë e domate nga një grup protestuesish dy ditë pas publikimit të videos Meta-Prifti. Militantët e LSI-së, mes tyre edhe gra, u ndeshën fizikisht me protestuesit të cilët po ushtronin një të drejtë demokratike. Atë ditë, një ditë më parë dhe në ditët në vazhdim, rreth LSI-së ndihej një ajër i çuditshëm solidariteti me kryetarin, ilustruar nga fuoristrada të mëdha, të zeza, prej nga dilnin tipa të cilëve ishe i detyruar t’u vije emrat e shqiptuar nga Meta në videon e Priftit. Ky duhet të jetë, Turi; ndërsa ky Gimi…Po ky…?

Atmosferë që na çon te përthyerja e fundit e LSI-së si formacion politik: pazotësia për t’i ikur zhguallit të dramës së vet, për ta kundruar atë nga jashtë-brenda dhe për të reaguar mbi të nga ky pikëvështrim. Që do të thotë: distancimi nga fryma që përcillej në videon e transmetuar nga Fiks Fare me anë të një ndjese dhe shpjegimit se ky është veç një rast sporadik e fatkeq dhe asesi nuk e shpjegon thelbin e forcës së tretë politike në vend. LSI e humbi këtë rast të madh duke “shtrënguar radhët rreth kryetarit”, duke u skërmitur dhëmbët protestuesve dhe duke ndërtuar një fushatë mediokre e meskine PR-i (Public relations). Kulmim i kësaj të fundit është fraza e Ilir Metës se “më 9 maj do të mundim fashizmin dhe spiunët”. Të paktën fashizmi nuk është më problem i shqiptarëve. Sa për të përmendur një prej tyre, do të thosha: Korrupsioni.

1 COMMENT

  1. Ç’duhej thene jane thene nga sa lexova me lart nga mjeshterit e vertete te infomacionit, profesionalisht. Mua me mbetet t’i uroj qe 21 Janari te mbetet dite qe duhet shenuar ne kalender. Fundi i klanit BERISHA; sa shhtrengimi i “VIDAVE” te opozites se bashkuar per t’i shkuar ne fund kerkesave te 21 Janarit; Rezimin e qeverise aktuale.

Comments are closed.