“Anonimja” që “çimka Sali Berisha” ka hedhur “nën derën” e Ambasadës Amerikane, për “TEC-in vrasës të Vlorës”

0
42


Nga Kledian Lula

Ulërimat shurdhuese të Sali Berishës kundër ndërtimit të TEC-it të Vlorës janë dëgjuar në të gjithë skajet e botës. Atëherë në opozitë, ai nuk la seancë parlamentare e miting pa u çjerrë e pa ngjirur kundër “pushtetit kriminal e mafioz të Fatos Nanos”, i cili sipas Saliut të djeshëm “Kishte bërë pazare prej hajduti dhe padrinoje me mafien ndërkombëtare të energjisë, për të ndërtuar në Vlorë një TEC helmues e vrasës”. Atëherë ka pasur një lëvizje të madhe kundër ndërtimit të TEC-it. Këtë lëvizje ish-kryeopozitari “kristal” Sali Berisha e përdori ashpërsisht, duke deklaruar “se sapo të vinte në pushtet, do t’i vinte ruspën TEC-it dhe prangat bandës së mafiozëve”.

Sali Berisha erdhi në pushtet dhe në vend që të çonte “ruspën tek TEC-it dhe t’i vinte prangat bandës mafioze të Fatos Nanos”, vërsuli policët me dhunë dhe prangoi ata që protestonin për ndalimin e ndërtimit të kësaj “vepre vrasëse e helmuese“ (siç e ka përcaktuar Sali Berisha). Jo vetëm me këtë rast, por me të gjithë qëndrimet e tij, kanë konstatuar te karakteri i Sali Berishës, personazhin e pamoralshëm të fjalës popullore: “E pështyn në mëngjes, e lëpin në darkë!”, paçka se del ekraneve dhe vetëdeklarohet si “burri i fjalës së mbajtur”. Përveç kësaj, Berisha ka dhënë prova të plota në këto 20 vite, se i ka pasur qejf “çimkat”, spiunët e spiunllëqet, sidomos “anonimet”, duke qenë edhe vet i “apasionuar” pas tyre. Me këtë model çimkash e spiunllëqesh ka vepruar Sali Berisha edhe për TEC-in e Vlorës, duke e paraqitur atë si “kancerin e Vlorës, si metalurgjiku që do të helmoj jetën e vlonjatëve dhe turizmin”.

Po publikojmë të plotë e pa montazh, “anonimen” që “Çimka Sali Berisha” ka hedhur “nën derën” e Ambasadës Amerikane në muajin mars të vitit 2005, në kohën kur ishte në opozitë, duke denoncuar “katastrofën njerëzore, turistike e ekologjike që i shkaktonte Vlorës, TEC-i i ndërtuar prej mafiozëve të padrinos Fatos Nano”. Si në çdo “anonime”, duke mos harruar zanatin e viteve te “vigjilencës proletare”, Sali Berisha nuk e ka vendosur emrin e tij, por nënshkrimin: “Nga një grup intelektualësh e akademikësh Shqiptarë”.

“Anonimja” e Sali Berishës

TEC i Vlorës është helmi vdekjeprurës për turizmin dhe banorët e qytetit dhe bregut të Vlorës. Ky krim gjigand shkatërron një sistem mjedisor unikal në Shqipëri, madje edhe në Ballkan. Ndërtimi i TEC-it në Vlorë cilësohet nga më të rrezikshmit, duke u klasifikuar dhe futur në listën e veprave “Kategoria A”. Përveç kësaj, TEC-i i Vlorës, injoron turizmin, gjë që ekspozohet dhe në studimin e bërë nga kompanitë e huaja, ku në 105 faqe material ekspertimi e studimor, turizmi nuk përmendet në asnjë rresht të projektit të këtij krimi ekologjik. Me këtë TEC, Vlora kthehet në Hiroshimë. Populli i Vlorës dhe ne intelektualët e akademikët shqiptarë i themi “NDAL!” ndërtimit të këtij TEC-i, mbasi ai mbasi bie ndesh me Konventat Ndërkombëtare dhe me ligjin shqiptar.

Sipas projektit, në Vlorë është menduar të ndërtohen 3 TEC-e me nga 130 ME secili dhe jo një 1 TEC, siç mashtron qeveria. Në plazhin e Vlorës do të vendosen depozita për hidrokarbure ne kapacitetin 200 mijë ton, ndërsa sasia e një viti do të jetë afro 40 milion ton naftë depozitë. Po ndodh tamam si me krimin e importit të afro 5 mijë ton plehrave në ditë, nga Italia. Sipas projektit të “AMBO”, parashikohet që nafta të vijë nga importi, të përpunohet në Vlorë dhe të eksportohet së bashku me energjinë e prodhuar nga TEC-i! Produkt i këtij TEC-i janë çlirimi në mjedisin e Vlorës dhe të zonës bregdetare mbetje e gazra SO2, Nox, CO2, CO, shiun acid”, mbetjet hidrokarbure etj, që siç dihet janë shkatërruese për mjedisin dhe vdekjeprurës për jetën e njerëzve.

Në zonën e ish-Sodës në Vlorë, atje ku ende toka dhe uji i detit fshehin në gjirin e tyre një lloj ndotje me mbetje të rrezikshme të PVC-së e mërkurit, me përmbajtje qindra herë me të lartë se standardet, atje merr dhe jep frymë një sipërfaqe mijëra hektarë me pyje e pisha, ekziston një nga lagunat më të vyera të vendit, ku zhvillohet jeta e një qyteti si Vlora, ku së bashku me kripen, verën, agrumet e ullirin, gjallon dhe industria e turizmit e cila mendohet të shtrihet në një hapësire të gjerë, por që 500 hektarë, u dashka t’i “pushtojë” parku më i madh industrial energjetik! Të “ngulësh” depozita nafte e hidrokarburesh në breg të detit, krijon këtë katastrofë: Një sasi uji prej 900 litër/sek, së bashku më jetën e gjallë, algat, larvat etj zhduken nga sistemi i tubave të ftohjes së TEC-it dhe po një sasi e tillë, me temperaturë më të lartë, shkarkohet paralelisht në det, gjë shkatërron faunën e tij.

Realisht, jemi përpara momentit kur në Vlorë, po i shpallet luftë industrisë së turizmit, eko-turizmit, agro-turizmit dhe turizmit nënujor, mundësi këto që kanë nisur të projektohen e të investohen fuqishëm. Logjika dhe “argumentet” e disa pseudo-ekspertëve të instruktuar nga shteti dhe politika, duan të krijojnë bindjen se “TEC-i që do të ndërtohet, nuk e dëmton dhe nuk e pengon aspak turizmin”. Në fakt, në rastin konkret ka vetëm një argument: Vlora pranon turizmin ose industrinë energjetike. Të dyja nuk kanë vend në këtë qytet dhe zonë, ndaj dhe njërën e pret zhdukja. Me vendimin e qeverisë shqiptare, në Vlorë do të zhduket turizmi, mbasi është e kuptueshme, se atje ku zhvillohet një industri nafte, metalesh, qymyresh etj., cenohet edhe jetesa normale e jo më turizmi.

Tjetër shqetësim është fakti, që në një vend me vijë të vogël bregdetare, nuk mund të ndërtohen 4-5 komplekse e parqe karburantesh e konkretisht parku energjetik në Vlorë (AMBO), kompleksi magazinimit në Portin e Durrësit e të Shëngjinit dhe qendra e tregtimit të gazit të lëngshëm, në Porto Romano. Në vende shumë më të mëdha se Shqipëria, që kanë vijë bregdetare shumë më të gjatë e me shumë porte detare, kanë vetëm nga 1 port-park nafte e gazi, si Turqia, Bullgaria Rumania, ndërkohë që vende si Anglia e Greqia, janë akoma më të kufizuar në këtë drejtim, duke lejuar vetëm nga 2 të tillë. Shteti shqiptar nuk kundërshton për asgjë.

Vlora mund të jetë vend i preferuar pelegrinazhi për mijëra turistë nga bota, mbasi ka plazhe ku bashkohen dy dete me rërë dhe shkëmb, me pyje e lëndina, me diell e ajër të bollshëm. Ka ardhur koha të ndalojmë mbytjen e turizmit e të jetës së banorëve nga industria teknologjike e TEC. Shqipëria nuk ka asnjë qytet pa vepra helmi e vrasëse. Kemi jetë dhe natyrë të helmuar prej uzinës së të Ballshit, prej fabrikës së Letrës të Lezhës, prej metalurgjikut, uzinës së ferro-kromit e fabrikës së çimentos të Elbasanit, kemi në Kavajë, Laç, Krujë, Fier, Shëngjin, Berat, Kuçovë, Patos, Lushnjë, Durrës, Shkodër, Gjirokastër etj.

Problemi tjetër është fshehja edhe në projekt e të vërtetës, që ndërtimi i TEC-it, shkakton ndotje 11 herë më të larta nga standardet e lejuara e të përcaktuara prej Bankës Botërore e Komunitetit Evropian. Oxhaqet e TEC-it janë projektuar të ndërtohen të shkurtër deri në 47 metra lartësi., pra shumë të ulët se lartësia e maleve të Kaninës, Llogarasë e Karaburunit, madje edhe më të ulët se kodrat e Vlorës. Kjo nuk lejon largimin e gazrave, por do t’i mbledh e do t’i mbajë helmet gjithë ditën mbi qytetin e Vlorës, tamam si mjegulla gjigande e Metalurgjikut të Elbasanit. Sipas studiuesve ambientalistë, ndërtimi i oxhaqeve të ulët të TEC-it është projektuar kështu me synimin djallëzor, që volumi gazrave i dalë prej tyre të mos ketë mundësi rrymash ajrore për t’u zhvendosur në Itali, por të mbetet brenda mjedisit të Vlorës.

Ndërtimi i TEC-i në Vlorë nuk është në interes të Vlorës e të Shqipërisë, por në interes përfitimi gjigand prej grupeve mafioze të kësaj industrie në bashkëpunim me ata që drejtojnë sot qeverinë shqiptare e që shfrytëzojnë kriminalisht varfërinë e vendit tonë, si vend në tranzicion (shënim i redaksisë: pushteti i Fatos Nanos). Ju bëjmë me dije, se TEC-i po të ishte zgjidhje, Greqia nuk ia linte Shqipërisë. E vetmja alternativë e mundshme e ndërtimit të TEC-it për Greqinë është Korfuzi, por atje ka qeveri që mbron interesat e saj kombëtare e të popullit të vet, jo si qeveria shqiptare e cila për interesa përfitimesh të paligjshme deri mafioze, lejon edhe krime gjigande ekologjike që shkatërrojnë jetën dhe natyrën.

Në mbyllje të pasqyrimit tonë, ju kujtojmë se Vlora dhe Shqipëria kanë alternativa të tjera për prodhim energjie. Ka burime natyrore, diell, erë, ujë etj. Këto asnjëherë nuk është menduar të evidentohen, të projektohen e të realizohen, duke pritur zgjidhje të të tilla shkatërruese, sepse dihet që “AMBO” me këtë ndërtim vrarës, të lejuar nga kapot e qeverisjes shqiptare, shikojnë interesat e fitimit dhe të kombit të tyre. Ndalimi i menjëhershëm i kësaj katastrofe ekologjike me pasojë helmimin e jetës njerëzore e të natyrës, ka nevojë për ndërhyrjen e një shteti të fuqishëm si SHBA.

Ja qëndrimet e shteteve, të cilëve iu kërkua ndërtimi i TEC-it
Kompania “AMBO”, për të siguruar ndërtimin e TEC-it në fjalë, “trokiti” në dyert e disa shteteve. Kudo ia mbyllën dyert, duke kundërshtuar futjen në mjedisin dhe turizmin e tyre të këtij “helmi gjigand”.

Siç dihet, kompania ndërtuese “AMBO” kërkoi që TEC-in ta ndërtonte në Turqi, në Bullgari, në Greqi, ose Maqedoni. Ndërsa Shqipëria nuk ishte në interesat e saj, mbasi po flitej për projektin e importit të plehrave italiane, ishte në plan për vitin 2006 të ngrihej fabrika e demontimit të municioneve në Gërdec dhe ekzistenca e shumë vatrave masive ndotëse me rrezikshmëri deri vdekjeprurëse për jetën e banorëve. Pasi ndeshi refuzimin kategorik të katër shteteve, kompania “AMBO” trokiti në derën e Shqipërisë. Prej qeverisë shqiptare, ata gjetën miratimin e menjëhershëm.

Ish-opozitari i “ndershëm” i viteve 1997-2005 e ka kundërshtuar e sulmuar ashpërsisht ndërtimin e kësaj “vepre vrastare, të miratuar e të ndërtuar prej bandës së mafies qeveritare shqiptare, në bashkëpunim me mafian ndërkombëtare”. Siç vepron përherë, pas ardhjes në pushtet në vitin 2005, kryeministri i “duarve të pastra” Sali Berisha u bë nxitësi dhe mbështetësi kryesor për të ndërtuar TEC-in e Vlorës, duke përdorur edhe dhunë policore kundër banorëve të Vlorës e ambientalistëve. Sali Berisha u bë palë me “mafiozët që do ndërtonin TEC-in, të cilin e kishte shpallur “Vrasës gjigand”. Po përmendim në vijim, qëndrimet e shteteve ku u kërkua ndërtimi i këtij TEC-i:

TURQIA: – Larg nga turizmi ynë, bëjeni në vendin tuaj!
BULLGARIA: – Në territorin tonë, vetëm mund të kaloni transit!
MAQEDONIA: – Mos e zini as në gojë, nuk shkatërrojmë liqenin!
GREQIA: – Mos u afroni në Korfuz, çojani Shqipërisë, ata e pranojnë!