Në Shqipëri, shpresa është një përrallë e bukur

0
60

Agjensia e Lajmeve SOT – Komente dhe Analiza

Nga Kolec TRABOINI

Të drejta janë gjithçka që tha sekretarja amerikane e shtetit dhe mikja e madhe e popullit shqiptar zonja Hillary Clinton, që politikanët shqiptarë duhen vënë interesat e Kombit mbi ato të partive, dhe ndërsa ajo fliste, të gjithë bënin nxënësin e bindur në klase duke pritur me padurim të mbarojë ora e mësimit për t’ju lëshuar sherreve.

Sepse kjo formulë shpëtimtare ka efekt në kushtet e Amerikës e jo të Shqipërisë ku politika krijon kaos, ndaj as nuk pritet që këto këshilla të çmuara të kenë një jehonë sado të vogël tek kokëfortët e politikës shqiptare. Televizionet e mediat veç fryjnë tullumbace euforike në erë, fjalë-fjalë-imzot fjalë siç shkruante Shekspiri. Sikur gjithçka pas kësaj vizitë do të shkasë si në vaj, duke harruar këta fjalë fjalëfluturakë se vaji humbet në lakra.

Le të jemi realist. Si u mundka që në një vend ku veprohet me mentalitet feudal këtu e 20 vjet, pas një fjalimi të ndryshojë gjithçka. Nuk mendoj se jetojmë në kohën e përrallave ku gjërat ndërrohen me magji. Kjo histori klanesh korruptive do të vazhdojë. Opozita do të tërhiqet paksa, për të bërë të mundur miratimin e Statusit (dhe mirë do të bëjë) dhe këtë situatë pozita do ta deklarojë si fitoren e vet të madhe, se opozita u tërhoq u tërhoq se ne kishim të drejtë.

Mos u mërzisni se pas një jave gjithçka do të rinis nga e para mbi shinat e vjetra. Edhe zgjedhjet një riciklim do të jenë gjithashtu. Të vjedhësh vota në Shqipëri është një nder. Të vjedhësh para me korrupsion të nderojnë më tepër. A nuk i shihni si dalin të korruptuarit nëpër tribuna. Madje po të jesh shumë i zoti në vjedhje të bëjnë edhe ministër. Nga ana tjetër jemi shqiptarë zamani, kur jemi në maj të kalit nuk zbresim pa na rrëzuar e thyer qafën.

Megjithë euforinë me të cilën e shoqërojnë politikanët e komentatorët këtë ngjarje që gjithsesi është pozitive për shqiptarët, ngado që ta shohësh e ngado që ta sjellësh në një gjë duhet ta jemi të qartë e të mos kemi iluzione, dy orë vizitë nuk mund ta ndryshojnë Shqipërinë dhe shqiptarët. Kësisoj ndryshimesh, siç thamë, mund të ndodhin veç në përralla. Vetëm Zoti e shpëton Shqipërinë mirëpo gojët e liga thonë se ai që duhej të ndryshonte i pari, ka folur me Zotin dhe ka marrë pëlqimin e tij që gjërat do të mbetën ashtu siç kanë qenë?!

Megjithëse në kushtet e kaosit shqiptar, me politikanë të papërgjegjshëm që e drejtojnë këtë vend si një feude, shpresa tashmë është bërë një përrallë e bukur, ne vazhdojmë të ëndërrojmë e besojmë se kjo qeverisje e keqe që i ktheu në vuajtje këto 20 vjet tranzicion shqiptar se shpejti të marr fund si një kujtim i hidhur që kurrë mos ardhtë më.