FRD: Lirak Bejko, viktimë e mjekut të punësuar si kryeministër

0
67

TemA Online, 4 Nëntor 2012

Partia “Fryma e Re Demokratike”, ka bërë përgjegjëse qeverinë për vdekjen e ish të përndjekurin, Lirak Bejko ndërsa ka ftuar qytetarët në një heshtje nderimi e për të marrë pjesë në funeralin e tij.

Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesit e departamentit të ish të përndjekurve politik në FRD thanë se përgjegjes për ngjarjen janë ata që zhgënjyen ish të prendjekurit, që u premtuan Evropën moderne dhe më pas lëshuan vrerë ndaj tyre.

“Me vdekjen e tij ne kemi humbur një mik dhe një viktimë të dy regjimeve, një emër që bën krenar shoqërinë shqiptare. Lirak Bejko ia kushtoi jetën e tij ëndërrës për liri dhe demokraci. FRD-ja s`ka asnjë mëdyshje se nëse qeveria do të pranonte të dialogonte Liraku do të ishte i gjallë. Ai ishte viktimë e dy regjimeve, e shurdhërisë së qeverisë.

Ai është viktimë e mjekut të punësuar si kryeministër dhe humbi rastin të sillet si shtetar. I bëjmë apel qytetarëve të bashkohen në një heshtje nderimi për të nderuar Lirak Bejkon, për të marrë pjesë në funeralin e tij, për të dhënë shembullin që shqiptarët janë të aftë ta kuptojnë demokracinë dhe vlerën e saj dhe të bëjnë gjithçka për një demokraci funksionale dhe një Shqipëri europiane” theksuan përfaqësuesit e FRD-së.