T’i përgjigjemi sot Forumit Shqiptaro- Amerikan për Demokraci për të kujtuar Lirakun!

0
50

Nga Shinasi Rama, 3 Nëntor 2012

Mbrëmë vonë mora një e-mail nga një grup djemsh e vajzash te reja të Forumit Shqiptaro-Amerikan për Demokraci. FSHAD organizon një vigjilje përkujtimore të heshtur para Misionit të Përhershëm të shtetit shqiptar në OKB në përkujtim e në nderim të Lirak Bejkos.

Vigjilja do të mbahet sot në darkë në ora 17:30 para zyrave të Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë OKB-së në Rrugën 79 në Manhattan. Edhe pse gjysma e Manhattan nuk funksionon si duhet, edhe pse janë të vetëdijshëm që shumë njerëz nuk do të vijnë, edhe pse e dinë se do të jenë vetëm një grusht njerëzish, FSHAD ka vendosur që të shprehë me vendosmëri kundërvënien e tyre qytetare ndaj së keqes qe ka mbërthyer për fyti shtetin dhe kombin shqiptar, dhe që sipas tyre është paria sunduese e Tiranës. Si edhe herët e tjera, unë do t’iu bashkëngjitem me shumë respekt këtyre djemve e vajzave që, në mënyrë qytetare e të kulturuar, shprehin kundërvënien e tyre ndaj parisë kriminale të Tiranës, shprehin kundërvënien ndaj kapjes së shtetit prej mafies së klaneve të saj dhe japin një shenjë të qartë se këta nuk pajtohen me gjendjen ku jemi.

Por, veprimtaria e FDASH është diçka që duhet shënuar dhe analizuar me kujdes. Kjo veprimtari duhet parë e shkëputur nga vigjilja e sotme dhe duhet analizuar ër vlerat që bart, për mendësinë që i frymëzon veprimtarët e FDASH, dhe për kontributin që ata mund të japin. Vigjilja që këta organizojnë sonte është në përkujtim të Lirak Bejkos dhe të aktit të tij vetëflijues. Edhe përkundër mundësisë së qartë se do të ketë shumë pak njerëz që do të marrin pjesë, kjo vigjilje është një tregues shumë i qartë i vendosmërisë së tyre për të vazhduar në këtë rrugë të kundërvënies ndaj parisë së Tiranës.

Së pari, kjo vigjilje duhet analizuar në lidhje me gjendjen ku jemi. Në shtetin shqiptar gjendja është aq kritike sa ka pak gjëra që të habisin. Shteti është i kapur, sundimtarët e parisë janë të organizuar në klane mafioze, shoqëria është e kriminalizuar, partitë politike janë banda hajnash, administrata është e stërkorruptuar, ekonomia është nën kontrollin e hekurt të oligarkisë dhe shkalla e dorëzimit të të gjithë shoqërisë para së keqes është e pakrahasueshme. Shteti shqiptar nuk është një shtet normal.

Edhe kur ndodh diçka që duhet mbajtur mend, nuk kalojnë pak orë dhe ndodh diçka që deri pak më parë nuk ishte e imagjinueshme. Në këtë kontekst, vetëflijimi i Lirak Bejkos ishte një veprim që duhej të shtynte të gjithë shqiptarët që të reflektonin. Mirëpo, askush nuk po reflekton. edhe protesta e të përndjekurve politikë gjatë vizitës së sekretares amerikane të shtetit u mbyt me dhunë, dhe gazetarët u morën me kravatën pink të kryeministrit dhe jo me protestën e atyre njerëzve që kërkonin asgjë më shumë se të drejtën e tyre dhe që u futën me forcë në furgonët e policisë. Dhuna e policisë ishte simptomatike e regjimit kriminal të Tiranës. Prandaj, konsistenca dhe vendosmëria e këtyre djemve e vajzave të FDASH për të mos u ndalur është e lavdërueshme dhe duhet inkurajuar me shumë dashamirësi.

Së dyti, ajo duhet analizuar në lidhje me gjendjen e bashkësisë shqiptaro-amerikane. Bashkësia shqiptaro-amerikane është e paralizuar dhe e paaftë për veprim shoqëror-politik që të mund të influencojë si diasporën ashtu edhe shoqërinë në trojet amtare. E shumta që ndodh është një drekë a darkë ku ftohen mbështetësit e njërës palë që duartrokasin zyrtarin e radhës. Këto veprimtari shiten në trojet kombëtare si “mbështetje e diasporës.”

Në fakt, niveli intelektual i këtyre të vetëquajturve përfaqësues të diasporës është i vajtueshëm, përkushtimi i tyre shoqëror është i mjerueshëm, idetë që sillen janë qesharake, dhe mjafton të thuhet se ata që vetëshiten si përfaqësues të diasporës janë disa individë që nuk mund ta lidhin një fjali bashkë. Diaspora është peng i politikës në Tiranë dhe organizatat e saj janë zjarre të shuara, jo vatra të idesë kombëtare. Prandaj, dalja e një grupi djemsh e vajzash që mendon ndryshe, që kanë nivel dhe që janë të bindur në rrugën e vet është një risi që duhet përshëndetur e inkurajuar. Aq të shqetësuar duken palët sa në një manifestim ku ishin rreth 40 vetë, kishte nja dhjetë makina me tipa nga të gjithë shtresat e shoqërisë shqiptare që silleshin rrotull vendit të manifestimit duke ndjekur me shumë interes e nga larg çka po ndodhte.

Së treti, kjo veprimtari, dhe zgjidhjet që ata parashtrojnë duhen analizuar në lidhje me rolin e mundësitë e alternativave në politikën shqiptare. FDASH ka paraqitur një numër materialesh që tregojnë se këta e kanë një ide mjaft të qartë se ku duan të shkojnë dhe si e shohin të ardhmen. Ajo që duhet theksuar këtu është fakti se këta janë të vendosur që të ndahen nga mendësia sunduese e deritanishme, të të shohin të gjithë palët e parisë si pjesëtarë të së njëjtës shtresë e si përgjegjës për dështimin e deritashëm. Ndryshimi i tyre me të tjerët është se këta kanë vendosur të përdorin mjete demokratike dhe të shfaqin hapur mospajtueshmërinë e tyre me sistemin e parisë. Por, në numrin e alternativave që dalin herëpashere, FDASH përbën një alternativë ndryshe. Në mos tjetër, sepse ajo buron nga brenda bashkësisë shqiptaro-amerikane, një bashkësi që ka një potencial të jashtëzakonshëm intelektual, atdhetar dhe burime të fuqishme materiale.

Në përfundim, kjo vigjilje në përkujtim të Lirak Bejkos, një hero i kohëve moderne shqiptare, e organizuar nga FDASH është një organizim që iu bën nder këtyre djemve e vajzave. Organizimi i kësaj vigjiljeje na bën nder edhe në të gjithëve. Duke treguar se ka një grup që nuk pajtohet me gjendjen ku jemi, duke iu kundërvënë sjelljes kriminale të parisë së Tiranës, duke kundërshtuar trajtimin që iu rezervua të përndjekurve politikë, që janë e mbesin të përndjekur politikë, dhe duke argumentuar se të gjithë jemi të mbajtur peng nga ana e parisë, si dhe duke synuar të punojë për një të ardhme ndryshe, FDASH po jep një shembull që nuk duhet anashkaluar.

Në mos qofshim të zotët të bëjmë tjetër, le të sjellim secili që do të vijë në këtë vigjilje një qiri për ta ndezur në kujtim të një jete që u shua në protestë kundër të keqes, dhe si një shenjë shprese. Një popull që ndez qoftë edhe vetëm një qiri përpara përfaqësisë së shtetit e shqetëson shumë shtetin. Drita e një qiriu të vetëm i tregon shtetit se terri i qëllimshëm që synon me imponue nuk mundet me kenë terr. Njerëzit që shohin njëri tjetrin në dritën e qiriut të protestës janë me u pasë frikë. Prandaj edhe unë do të jem sonte në atë protestë të organizuar nga FDASH, në përkujtim të Lirak Bejkos dhe të të gjithë shqiptarëve që janë e që duhet të ndjehen të përndjekur nga paria terroriste e Tiranës.