Nga Mero Baze
Fotografia e seancës së ditës së hënë, mes të tjerash është dhe një fotografi origjinale për raportet mes Sali Berishës dhe partisë së tij. Çdo lider në botë, që i bie fati i keq të jetë në atë pozicion, që ishte ai të hënën në mbrëmje para publikut shqiptar në sallën e Kuvendit, i llogarit mirë jo vetëm gjestet dhe fjalimet, por dhe raportet e tij me bashkëpunëtorët dhe shpërndarjen e peshës së përgjegjësisë së betejës tek të gjithë. Por fotografia e asaj seance deshifronte qartë shkretëtirën dhe hipokrizinë, që ai ka prodhuar me politikën e tij personale në PD.
Në momentin më të vështirë, më degradues për të, kur dhe fyerjet dhe sharjet i mbaruan, një sms e familjes në celularin e Lulëzim Bashës mjaftoi që ai të ndërpriste të vjellat e tij kundër opozitës. U qetësua befas, lejoi Bashën të komunikonte me Topallin dhe të mbyllej seanca. Ishte në të vërtet gjëja e duhur që duhet të bënte minuta më parë, por që askush nuk po guxonte t’ia thoshte. Në krahun e tij të djathtë rrinte Genc Pollo, me dy duar para fytyrës për të mbuluar kënaqësinë që i prodhonte degradimi i armikut të tij të heshtur, tashmë shef i tij.
Nga ana tjetër Ridvan Bode, që herë pas here ngrihej e dilte jashtë me fytyrën e tij të vrerosur, që dukej sikur ia parandjente zemra, që kjo seancë po i shkurtonte ditët e pazareve të tij. Gjakftohtë dhe i palexueshëm rrinte Arben Imami, njeriu që ka guxuar të marrë armët kundër tij. Nervoze ishte Majlinda Bregu për shkak të batutave erotike të disa djemve të opozitës, por dhe ajo nuk kish lidhje me fjalimin e Berishës, por me hallet e veta.
Ngjitur me Berishën rrinte Lulëzim Basha, i ngrirë, pa nerva dhe gjak, me sy të zgurdulluar përfund sallës, ku piskamat e plagosura të Ilir Metës ishin përgjigjet e vetme ndaj sjelljeve të ashpra të opozitës. Edhe pse vetëm 20 centimetra larg Sali Berishës, Basha nuk guxoi asnjëherë ta ndalte apo t’i bënte ndonjë gjest që t’i krijonte idenë se po i turpëronte të gjithë. Vetëm kur Familja i nisi sms që të ndalte çburrërimin e mëtejshëm të Sali Berishës, ai veproi menjëherë.
Të gjithë ne që i njohim këto 20 vjet ata personazhe e dimë mirë se çfarë mendojnë në ato momente. Përveç Jozefina Topallit që e ka të ndaluar të mendojë, por vetëm të ndjejë politikisht për Sali Berishën, të tjerët ishin të ftohtë akull në distancën e tyre me kryetarin. Nuk mund të flisnin dot pasi secilit mund t’i përmendeshin aferat e veta dhe heshtën, duke krijuar kështu një kontrast real mes tyre dhe kryetarit.
Por a i vlen Berishës një PD e tillë?
Seanca e djeshme dëshmoi se Berisha po paguan çmimin e dhunimit të asaj partie mbi kurriz të vet. Qeveria e PD-së, e përbërë në tërësi nga njerëz të cilëve Berisha ka dashur t’u mbyllë gojën duke i bërë ministra, shihej qartë që në shumicë përçmonte atë që bënte kryeministri, por u shijonte, dhe vazhdon tu shijojë karrigia ku janë ulur, dhe heshtnin me cinizëm. Përveç Pollos që nuk e fshehte dot gëzimin për atë që ndodhte, të tjerët ishin të kënaqur me portretin e tyre indiferent.
Grupi parlamentar i PD-së, në shumicë një bashkësi e tredhur politikisht dhe e qartë në besnikërinë e vet ndaj Berishës, nuk dinte si ta mbronte. Dikush tentonte të duartrokiste, pastaj shihte nga shoku në krah dhe pushonte. Dikush tentonte të ngrihej në këmbë të imitonte të fortët e opozitës, pastaj dekurajohej dhe ulej. Dikush tentonte të qeshte me ato që thoshte Berisha, por kur dëgjonte ato që i thoshin deputetët e opozitës, ulej prapë në vend.
Pafuqia e tyre reale qëndronte tek fakti se ata nuk e dinin çfarë mendonte Berisha atë çast. Ata nuk dinin si ta ndihmonin kryetarin e tyre, i cili në një nga gjendjet më të rënda psiqike që ka qenë ndonjë herë para publikut shqiptar, po rrezikonte realisht pushtetin e tyre. Askush prej tyre nuk reagoi, së paku t’i shkonte pranë Berishës dhe t’i thoshte “Boll se na fundose!”. Në atë moment njihen miqtë e mirë, politikanët e mirë dhe njerëzit e sinqertë. Në atë sallë dje Berisha kishte në krah hipokritë dhe përballë eunukë. Të dy i bënë keq po njësoj: e lanë të dukej i marrë.
Çdo parti tjetër e madhe nuk do të kishte shkuar deri këtu. Do dilte dikush t’i mbante dorën, dikush t’i ulte zërin e mikrofonit apo t’i thoshte në një nga tre pushimet: Boll! Nuk e bëri dot askush. Disa u gëzuan, shumica u mërzitën, por të gjithë heshtën. Të vetmit që e duan vërtet edhe kryeministër, edhe normal, janë njerëzit e familjes së tij, të cilët u alarmuan pasi u ikën milionat nga duart dhe e ndalën. Dhe ai i dëgjoi ata me të cilët ndan pushtetin, dhe jo ata me të cilët ndan sallën e Kuvendit. Ata ishin të pafuqishëm për ta ndalur, pasi nuk janë në pushtet.