Vilma dhe Greta Zenelaj themelojnë në Hollywood shtëpinë e filmit ‘Colored Films’

0
50


ELBINO, 16.01.2011

Vilma mbërriti për herë të parë në Amerikë më 1996-ën për të ndjekur studimet e mesme në Grants Pass, Oregon. Më pas, ajo do të fitonte një bursë studimi në “Waldford College” dhe shumë shpejt do të ribashkohej me familjen e saj, e cila falë lotarisë amerikane u shpërngul në Miçigan të SHBA-ve. Kjo bëri që ajo të zhvendosej në Miçigan dhe të vazhdonte studimet në “Wayne State University”.

Në vitin 2000, Greta gjithashtu do të lëvizte drejt Amerikës, por këtë herë destinacioni ishte Kalifornia, ku motrat do të ndiqnin pasionin e tyre, aktrimin dhe regjisurën me mbështetjen e plotë të familjes, e cila, gjithashtu, vendosi të linte pas Miçiganin dhe momentalisht jeton jo larg L.A., në qytetin e Venis po në Kaliforni. Pas një vizite të shkurtër në Shqipëri më 2007-ën, Vilma dhe Greta kanë vendosur të rikthehen sërish këtë verë. “Shqipëria kishte ndryshuar shumë. Një pjesë e mirë e miqve tanë ishin larguar, por ne na mungon dhe është vendlindja jonë aq e bukur, për të cilën gjithmonë ndjejmë mall”, – na treguan ato.

Vitin që shkoi, ne shumë herë prezantuam emra të panjohur bashkatdhetarësh, për publikun shqiptar, të cilët dalëngadalë po krijojnë një karrierë modeste në Hollivud. Sot, sërish prej Hollivudit dhe botës së filmit, ju prezantojmë motrat Vilma dhe Greta Zenelaj, të cilat kanë themeluar ndoshta të parën shtëpi filmi shqiptare në kodrën e famshme. Mban emrin “Colored Films” dhe këtë vit do të prodhojë projektin e tyre të tretë. Për më tepër, lexoni intervistën.

Elbino – Vilma, Greta, përshëndetje! Si po ia kaloni këto ditë, me çfarë po merreni?

Vilma – Përshëndetje Elbino! Po ia kalojmë shumë mirë. Jemi duke u bërë gati për vitin e ri…
Greta – Kemi disa projekte në mëndje, për të cilat kemi filluar punën tashmë.

Sapo mësova për shtëpinë tuaj filmike “Colored Films” dhe sinqerisht u gëzova shumë. Ndoshta është një hap i vogël, por është një hap shumë i rëndësishëm! Më në fund, për të parën herë shqiptarët kanë shtëpinë e tyre filmike në Hollivud. Duhet të ndiheni shumë krenare…

Vilma – Jemi shumë krenare dhe shumë të lumtura që po ndjekim dhe po realizojmë ëndrrën tonë, aq më tepër që jemi dhe në Hollivud, ku shqiptarët janë të paktë. Duhet që të ketë më shumë prej nesh këtu dhe ne gjithmonë mirëpresim bashkëpunimin me artistët e tjerë shqiptarë, të cilët janë në industri dhe kanë të njëjtin pasion dhe dëshirë.

Si filloi gjithçka dhe e kujt ishte ideja për krijimin “Colored Films”?

Vilma – Ne u shpërngulëm në Los Anxheles në vitin 2003, për të ndjekur pasionin tonë për aktrimin. Unë vura re se aktrimi nuk ishte për mua dhe isha më e interesuar për atë çka ndodhte mbrapa kamerës, mbrapa skenës. Gjithmonë kam pas shkruar poema, histori, hartime dhe në 2008-ën përfundova skenarin tim të parë “What Do I Do Now?” (Po tani ç’të bëj?”) dhe vendosa që jo vetëm të merresha me prodhimin e tij në film, por dhe ta drejtoja atë. Ishte një provë e vështirë, por shumë shpërblyese, pasi më bëri të bie në dashuri me regjizurën dhe aty gjeta “rrugën” time.

Greta – Ashtu siç tha edhe Vilma, kur erdhëm këtu (L.A), tetë vjet më parë për të ndjekur karrierën si aktore, filluam të merrnim leksione aktrimi, të punonim me agjentë, të shkonim në audicione dhe unë kam marrë pjesë në disa filma me metrazh të shkurtër e disa reklama. Pas pesë vjetësh, filluam të kuptonim shumë mirë sesi gjërat funksiononin në këtë industri. Kishim shumë miq, të cilët, gjithashtu, po krijonin, prodhonin filma. Vilma dhe unë kuptuam se dhe ne dëshironim të tregonim historitë tona. Unë kam përfunduar shkollën për gazetari dhe gjithmonë kam shkruar. Që atëherë… nuk e hodhëm më vështrimin pas.

Filmi juaj i fundit “Into The Woods” është horror. Mund të na tregoni disi më tepër rreth tij dhe personazhit tuaj në film?

Greta – Në fakt, është triller i frikshëm. Një çift i martuar shkon për pushime në pyll ku bie pre e një personi tjetër, që gjithashtu ndodhet aty për pushime. Personazhi im quhet Eva. Ajo është e martuar me Steve dhe është shtëpiake. I pëlqejnë gjërat e mira në jetë dhe nuk është shumë e gëzuar me idenë e Steve për të shkuar në këtë udhëtim, por ai është qejfli dhe ajo për ta bërë atë të lumtur vendos të shkojë me të, vetëm për të vërtetuar më vonë, se kishte të drejtë në radhë të parë.

Greta, teksa po flasim, jam duke ndjekur reklamën e “Into The Woods” dhe vërtet dua ta shikoj këtë film! Interpretimi juaj duket mjaft i mirë… si kanë qenë fillimet tuaja si aktore?

Greta – Faleminderit! Siç thashë dhe më parë, me aktrim (seriozisht) fillova të merrem kur erdha në L.A., por kur kam qenë në Shkodër kam marrë pjesë në grupin e të rinjve në teatrin e qytetit për disa vjet. Më pëlqen të interpretoj, pasi është një tjetër mënyrë e të vetëshprehurit, por në nivele të ndryshme.

Ishte “What Do I Do Now?” roli juaj i parë kryesor, apo keni interpretuar dhe në filma të tjerë?

Greta – Po ky ishte roli im i parë kryesor në një film, por kam interpretuar dhe në filma të tjerë më përpara, si p.sh., “Day of The Dead” etj.

Deri tani ju keni prodhuar dy filma “What Do I Do Now?” (i cili nga reklama duket një komedi shumë e mirë”) dhe “In The Woods”. Po më tej?

Vilma – Tani jemi duke u përqendruar në një histori, e cila bazohet në ngjarje të vërteta. Për momentin nuk mund të tregoj më tepër duke qenë se është në fazat e para të prodhimit, por mund t’ju them që personazhi kryesor është shqiptar. Kemi kohë që dëshironim të bënim një film të tillë, ndaj dhe jemi shumë të kënaqura për këtë projekt.

“What Do I Do Now?” fitoi dy çmime në “Festivalin Ndërkombëtar të Filmit” në Nju Jork, një për “Komedia më e mirë” dhe një për “Përzgjedhja Zyrtare” (e jurisë)… si u ndjetë? Dua të them, ishte filmi juaj i parë dhe bam! Direkt të vlerësuara me çmime!

Vilma – E shkëlqyer dhe e pabesueshme! Kështu mund ta përshkruaja atë ndjenjë. Ishte një eksperiencë që na bëri të ndihemi të vlersuara, por dhe që na motivoi për të vazhduar me projektin tjetër “Into The Woods“. Kjo na tregoi se nëse fokuson mendjen dhe pasionin në çka do që dëshiron në jetë, puna jote do të vlerësohet prej publikut dhe profesionistëve, pavarësisht se nga vjen.

Jam i sigurt që shumë prej lexuesve tanë, tashmë po ndihen kurioz të dinë se ku dhe kur do të kenë mundësinë t’i shikojnë këta filma?

Vilma – Për momentin, filmat janë ende duke u shfaqur nëpër festivale filmash, ndaj dhe nuk i kemi distributuar ata akoma. Faqet tona të internetit, rregullisht furnizohen me të rejat më të fundit në lidhje me prodhimet tona dhe aty do të gjejnë informacionin e duhur në lidhje me publikimin dhe blerjen e tyre.

Ju jeni regjisore e këtyre filmave, ndërsa motra juaj Greta interpreton në to. A funksionon mirë? Unë kam provuar të punoj me tim vëlla dhe …një JO e madhe hahahaha! Por ju të dyja… kam përshtypjen se punoni shumë mirë bashkë.

Vilma – Hahahaha! Unë dhe Greta kombinohemi shumë mirë bashkë. Jo vetëm motra, por jemi dhe mike shumë të mira e kemi qenë të tilla që në vogëli. Personalisht, nuk e imagjinoj dot jetën pa të. Duke qenë se e njohim njëra-tjetrën shumë mirë, mundemi të kuptohemi dhe në ndryshimet tona në lidhje me idetë në projektet ku punojmë. Gretës i pëlqen aktrimi dhe mua regjisura. Duke qenë se historitë i punojmë së bashku, kjo na ndihmon që t’i kuptojmë sa më mirë personazhet dhe e bën më të lehtë punën për mua si regjisore kur e drejtoj Gretën në film. Funksionon për së mbari, sidomos kur jemi në sheshin e xhirimit.

Një gjë që më pëlqen tek ju, është se të dyjave ju jepet mundësia që të merrni pjesë në çdo detaj të filmave që realizoni. Skenari, aktrimi, drejtimi, prodhimi… ju jepni fjalën tuaj dhe vendimin tuaj për gjithçka dhe kjo është diçka që nuk të jepet shpesh në jetë, e lërë pastaj në profesion…

Greta – Nuk do të pranonim ndryshe! Është mirë ta kesh atë lloj lirie, që prej idesë së parë e deri në finalizim. Më krijuese në atë mënyrë… Duke qenë se ne të dyja i njohim mjaft mirë historitë e filmave që prodhojmë, bën që të mos kemi asnjëherë keqkuptime. Gjithmonë kemi një ide shumë të qartë rreth historisë që duam të përcjellim tek publiku.

Kur filloni të krijoni një histori filmi. A e dini se cilin personazh do të interpretoni më vonë, apo e vendosni pasi skenari të ketë përfunduar?

Greta – Varet, por më së shumti ne shkruajmë histori, të cilat kanë për protagoniste një femër. Në fund të fundit jemi femra dhe kuptojmë më mirë botën e tyre sesa të meshkujve. Njeriu shkruan rreth asaj çka di dhe ne kemi një ide të mirë se cili personazh do të luajë në më të shumtën e rasteve.

Në Amerikë ka shumë shqiptarë, të cilët po përpiqen të futen në botën e filmit. A keni takuar apo keni në plan të bashkëpunoni me ndonjë në të ardhmen?

Vilma – Po. Ne kemi takuar Aldo Shllakun, i cili është një kompozitor (për vijën muzikore të prodhimeve filmike) dhe producent. Kemi biseduar për të bashkëpunuar me të në të ardhmen. Shpëtim Zero është një tjetër shqiptar i talentuar, i cili dizajnon gardërobën për filma të ndryshëm dhe kemi shumë dëshirë të punojmë me të në filmin tonë të ardhshëm. Gjithashtu, ka shumë shqiptarë të tjerë të talentuar që ne nuk i kemi takuar personalisht, por që kemi kontakte të vazhdueshme nëpërmjet e-mail dhe facebook.

Mendoni se në një moment, do të zgjeroheni dhe në territorin shqiptar? Ndoshta dhe të prodhoni një film shqiptar?

Vilma – Atëherë… filmi ynë i tretë flet për shqiptarët, por sigurisht që ne dëshirojmë të xhirojmë në Shqipëri dhe të bashkëpunojmë me artistët aq të talentuar shqiptarë me filmat e të cilëve ne u rritëm.

OZM! Greta, kisha tërë kohës që po mendoja dhe më në fund m’u kujtua! Nuk po mbaja mend ku ju kisha parë apo me kë po më ngjanit dhe nuk e di nëse jua kanë thënë këtë më parë, por më ngjani shumë më Holly Hunter kur ka pasur flokët e zeza, sidomos tek “The Piano”. Sigurisht më e bukur, por a s’po të duket ashtu?

Greta – Wow, është një kompliment i këndshëm! Jam fanse e madhe e saj, ajo është një aktore e mrekullueshme, por mua më kanë thënë që dukem më shumë si Demi Moore apo Salma Hayek. Vilmës i kanë thënë që duket më tepër si Holly Hunter. Faleminderit për komplimentin!

Hahahaha! OK! E nëse një ditë, do të merrnit Oskar, a e keni bërë gati fjalimin? Unë e kam gati timin hahahaha…

Greta – Ajo është diçka e mirë për t’u menduar, por nuk kam shkruar gjë. Nëse ndodh, patjetër që do jetë një fjalim ku do të falënderoja njerëzit që më kanë ndihmuar në karrierën time, sidomos familjen që ka qenë përkrah meje në çdo hap.

Çfarëdo që të bëni, unë jam më se i sigurt se ju do të keni sukses. E shikoj që tani, kur në vitet e ardhshme … “Colored Film Presents”, të shfaqet kudo në ekranet e teatrove Amerikanë 🙂 Suksese dhe ju uroj veç më të mira!

Vilma – Faleminderit shumë dhe ishte kënaqësi bisedimi me juve! Dhe ne jemi shumë optimiste për atë çka e ardhmja do të sjellë.
Greta – Faleminderit! Ishte vërtet kënaqësi!