Drama italo-shqiptare e prillit 1939 filloi në Foxha

0
67

Arjan Kallço

Hymë tashmë në muajin e madh për shqiptarët, muaji i dy festave që në gjithë këto vite na ka parë gjithmonë në debate të pavlera lidhur me dy datat e Festave tona kombëtare. Mesa duket politika e nxehtë shqiptare, prodhuesja e të gjitha sherreve, nuk do të bien kurrë dakord për këto data, duke mbajtur peng kështu vendin dhe të rreshtuar sipas krahëve në dy skalione. Lufta më e fundit botërore i përket shekullit të kaluar, por shqiptarët gjenden gjithmonë në luftë, por tashmë të vetëm me vetveten. Koha kalon dhe të pandreqëshmit po notojnë ende në llucën e revanshizmit poltik, duke përballur mes tyre dy ideale të kundërta : rast i paprecedentë në botë. Nga moria e temave që menduam të shkruanim me prof. Benvenuton, kaluan muaj nga ndarja nga jeta e së bijës, ishte edhe periudha e pararendëse e pushtimit të vendit, periudhë për të cilën kishte ngjarje të reja të palexuara më parë.

Ngjarjet që bëjnë epoka, po t’I shpjegojmë edhe filozofikisht, nuk mund të ndodhin në një ditë, por kanë pas një kohë të gjatë përgatitjesh dhe vlerësimesh që synojnë realizmimin e tyre. Këkrohen deri në detaje shkaqet, rrethanat, ecuria, interpretimi e deri tek rezultati final që duhet ta përmbyllë një synim të qartë dhe të menduar mirë. Këtë bënë edhe të dy palët në bisedime dhe pazare të asaj kohe, Musolini dhe Zogu me qëllim që gjithçka të dukej si një kërkesë e natyrshme e shqiptarëve për mbrojtje dhe për drejtësi historike. Në ferrin e luftës një vend si Shqipëria do të binte shumë shpejt viktimë e përleshjeve të rradhës midis fuqive të mëdha të kohës, pasi gjendja brenda vendit ishte katastrofike.

Me krahinën e Puljas, me qytetin e Foxhës, apo edhe të tjera, siç e kemi theksuar edhe në artikujt e tjerë, na lidh një histori tepër e veçantë që nga koha e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit. Por që historia të përsëritej pikërisht në udhëkryqin e Ballkanit, kjo duket se ka pas qënë e shkruar në shekuj. Por çfarë ndodhi realisht që kjo krahinë të përmendet përsëri në historinë tonë? Duket se aty mori udhë ideja e pushtimit të Shqipërisë nga fashistët e Musolinit dhe nga tradhtia e klikës së Zogut. Po t’i referohemi dokumentave apo edhe ditarëve të njerëzve që përcaktuan fatin e Shqipërisë, do të shohim se gjithçka u përgatit më së miri për të realizuar synimin final : pushtimin e vendit.

Gjatë udhëtimit në kthim nga Roma, ku kishte shkuar që të takonte Ministrin e jashtëm Çano lidhur me përcaktimin e disa çështjeve poltike, ekonomike dhe ushtarake mbetur pezull midis Italisë dhe Shqipërisë, Jakomoni u befasua më datën 15 mars 1939 në stacionin e Foxhës nga një telefonatë urgjente e Çanos që i tha se në fushën ndërkombëtare kishte ndodhur diçka që nuk mund t’ia thoshte në telefon. Jakomoni iu përgjigj se do të shkonte ta takonte mbretin Zog dhe do t’i telegrafonte nga Tirana pas bisedës me të.

Kur mbëriti aty mësoi lajmin se trupat gjermane natën kishin filluar pushtimin e Bohemias dhe e kuptoi motivin e telefonatës tepër të shqetësuar së Çanos, pra ishte përshpejtuar dhe ishte përcaktuar kështu një shtysë lidhur me një veprim force të ushtrisë italiane në Shqipëri. Nga ditari i Çanos më datën 15 mars 1939 duken disa pavendosmëri të Musolinit ndaj vendit të vogël përballë Italisë : e shikonte si një përgjigje ndaj pushtimit gjerman të Bohemias, por ndruhej se ajo nuk do të mund të kundërbalanconte në opinionin publik përshtypjen e ekspansionit të Raihut në një nga territoret më të pasura të botës.

Pa e ditur se cila ishte situata dhe se çfarë mendonte Musolini, Jakomoni nuk e mori parasysh komunikimin me telefon që bëri me Çanon, filloi bisedat sipas porosive të marra në Romë. Më 18 mars Legata telegrafonte : Lidhur me porositë tuaja, sapo mbërrita, fillova bisedat intensive që të qetësoja situatën shumë të turbullt, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në Europën qendrore. Deklaratat që më bëri gjenerali Zef Seregi, Ministër i Shqipërisë në Itali, si përgjigje ndaj fjalëve të mia qetësuese, janë karakteristikë e gjendjes së vendit. Ai më tha se po shkonte në Romë me fuqi të plota të mbretit që të përmbyllte një marrëveshje që, edhe pse e respektonte formalisht integritetin dhe pavarësinë e Shqipërisë, na kënaqte ne plotësisht. Ai është i sigurtë se Shqipëria është me ne.

Mehmet Konica, këshilltar i njohur i mbretit, deri pak ditë më parë kundër Italisë, u shpreh në një bisedë me atasheun ushtarak se, nëse mbreti nuk do t’i bënte propozime Italisë, duke e lidhur me ne përfundimisht dhe pa rezerva vendin, nëse nuk do ta shpëtonin nga humnera ku po shkonte, ai dhe të tjerët do të dinin t’ia impononin mbretit porpozimin që duhej. Libohova edhe pse konfirmonte veprimtarinë antiitaliane të shumë Legatave të huaja, më siguroi se nuk kishte asnjë tratativë poltike apo financiare me ndonjë fuqi tjetër.

Më 20 mars 1939 Jakomoni, sipas protokollit, takoi mbretin Zog dhe biseda zgjati mbi dy orë. Të nesërmen i telegrafoi Romës lidhur mesa kishte biseduar kokë më kokë me mbretin: Mbreti m’u duk se e admironte veprimin e Gjermanisë dhe se po afrohej për të momenti që ta realizonte ëndrrën e tij të pushtimit të Kosovës nën Jugosllavi. Nëse Roma do të vendoste një veprim kundër Jugosllavisë, ai, në momentin kur të ishte vendosur se zbarkimi ishte gati, mund të fillonte veprime bandash me të cilat synonte që brenda dy ditësh do ta marshonte deri në Nish.

Edhe pse dukej se po e ndiqte me interes mbretin në planin e tij, i kërkoi që t’i runate për momentin të pandryshuara raportet me Jugosllavinë dhe të mjaftohej që ta mbante të gjallë karakterin shqiptar të popullsisë së Kosovës. Ai më siguroi se kjo do të ishte sjellja e tij. Duke m’u lutur që t’ju transmetoj këtë siguri, përsëriti edhe një herë shpresën që Italia ta ndiqte shpejt Gjermaninë në veprimet e saj në Europën lindore. Italia mendonte apo e kishte në plan që i gjithë konfigurimi aktual politik i Ballkanit duhet të binte dhe t’i hapej rrugë një federate të shteteve, nën udhëheqjen e Italisë. Por Jakomoni kishte edhe lajme të tjera për Zogun që synonin pikërisht edhe marrëdhëniet ekonomike, konçensionet e mara nga Musolini, për të cilat edhe e falenderonte.

Ai e nisi për në Romë gjeneralin Seregi dhe shpresonte se misioni i tij mund të ndihmonte që të krijohej midis dy vendeve një situatë që, edhe pse e shpëton sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë, mund t’i kënaqë plotësisht interesat e Italisë. Qëndrimi i mbretit ushqeu besimin e Legatës italiane së cilës i propozonte që të gjente në situatën ndërkombëtare një pretekst, përballë vetes dhe nacionalistëve shqiptarë, kështu do të ishte më e lehtë lejimi i praninë së forcave italiane në Shqipëri. Këtë besim e konfirmoi edhe me zgjedhjen e një gjenerali si Ministër i dërguar i Shqipërisë në Romë dhe me bisedën që kishte patur me vetë

të dërguarin e Çanos, Jakomonin. Në bisedën e tyre me mbretin ishin shmangur saktësime lidhur me zbarkimin e fashistëve në Shqipëri, sepse dukej e domosdoshme të qetësoheshe Tirana zyrtare, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në Europën qendrore. Po atë ditë gjenerali Seregi komunikoi me kolonelin Gabrieli dhe më datën 21 mars Jakomoni i telegrafonte përsëri Romës : Gjenerali shqiptar saktësoi se duke parë ngjarjet e afërta ndërkombëtare, mbreti mund të kërkojë praninë e trupave italiane në Shqipëri. (vazhdim)

Arjan Kallço dhe akademiku italian Emilio Benvenuto