Një gazetar e përmbysi presidentin e Tunizisë

0
35


Ilir Yzeiri, 16.01.2011

Ai quhet Taoufik Ben Brick dhe është gazetar i pavarur. Është një nga…ose ishte një nga opozitarët më të rreptë të presidentit të larguar në drejtim të paditur Ben Ali. Ishte i vetmi që mbante një qëndrim të ashpër dhe e denonconte pa mëshirë regjimin e instaluar nga presidenti tunizian përmes botimeve në mediat franceze. Dhe dhuna e pushtetit të Ben Alisë veproi edhe mbi të. Iu sajua një ngjarje banale, u arrestua dhe rrezikonte deri në 5 vjet burg. Ngjarja ishte kjo: ai akuzohej se kishte dhunuar një grua pasi e kishte gërvishtur makinën e saj në një sherr banal të imagjinuar, pra kishte goditur një femër. Pas kësaj ngjarjeje gjithë bota mediatike dhe ajo politike u sensibilizuan dhe i dolën në mbrojtje gazetarit të lënduar dhe të burgosur padrejtësisht.

Taoufik Ben Brick ka shkruar edhe libra kundër presidentit të tij autoritar dhe të korruptuar të cilin ai me ironi e quante jo Ben Ali po Ben Avi ( à vie – i përjetshëm, fr.). Pasi doli nga burgu ai u largua nga vendi dhe qëndroi në Paris. Është e njohur letra e hapur që ai i dërgoi presidentit Sarkozi, të cilit i kërkonte që të bisedonin për gjendjen e mjerë të lirisë së shtypit dhe krizën e thellë në Tunizi. Pra, tri ditë pasi ishte liruar nga burgu në të cilin qëndroi 6 muaj, ai i shkroi presidentit francez. Ai u lirua më 27 prill 2010.

Nga ajo kohë Tunizia nuk ishte më e qetë dhe për pasojë, sot, presidenti i korruptuar, njeriu që ka shkatërruar opozitën në atë vend dhe që ka vjedhur votat ose më saktë njeriu që “fitonte” mbi këdo, sot ka ikur pa nam e pa nishan.

Edhe në vitin 2009, pra pas zgjedhjeve të vjedhura në Shqipëri unë e pata krahasuar Sali Berishën me Ben Alinë. Sali Berisha ka 20 vjet që na rri nëpër këmbë e na shfaqet kudo ashtu si Ben Ali. Sali Berisha do të mbahet mend nga shqiptarët se ai instaloi sistemin e vjedhjes së votave në hapësirën shqiptare. Nën shembullin e tij, sot edhe Kosova është zhytur në batak demokratik dhe ish- luftëtarët e dikurshëm, armiq potencialë të Sali Berishës, janë bërë sot aleatët më të zellshëm të tij sepse prej tij mësuan si të rrinë në pushtet duke vjedhur votat.

Mirëpo edhe përballë Sali Berishës, ashtu si përballë Ben Alisë është një pjesë dinjitoze e medias sonë, janë disa gazetarë me kurajo dhe me integritet, ndër të cilët unë do të përmendja Mero Bazen. Mero Baze nuk ka reshtur asnjë ditë së bëri publike ato që di, ato që investigon dhe ato që atij i vijnë si lajme nga agjenci të rëndësishme. Dhe Sali Berisha kurrë nuk ka qenë më lakuriq sesa sot. Ai provoi ta shkatërronte Mero Bazen, por nuk ia doli dot. Natyrisht ne nuk jemi Tunizia, nuk jemi vend i Afrikës së Veriut, por ne jemi gjitonë me mafien dhe Berisha ka përdorur të gjitha metodat mafioze për ta trembur, për ta shkatërruar ekonomikisht, për ta eliminuar shtypin kritik, por nuk ia ka dalë.

Ashtu ka bërë edhe me Shekullin, botuesin e së cilës nuk le rast pa e sulmuar publikisht, duke i përmendur së fundmi nga salla e Kuvendit, vdekjen dhe testamentin. Kryeministri ynë u detyrua të fyejë edhe dekanin e gazetarisë investigative, Filip Çakulin. Pas kësaj ai duhet të mendohet mirë.

Por denoncimet e përditshme të medias dinjitoze e kanë shpartalluar tashmë njeriun më të korruptuar të hapësirës shqiptare, Sali Berishën. Shtypi shqiptar që kundërshton Berishën dhe media me frymëzim qytetar është sot më e besueshme se kurrë. Në anën tjetër është Albin Kurti i cili po e mban gjallë frymën e mosnënshtrimit ndaj mafies së pushtetit në Kosovë, që po kërkon të “berishizojë” sistemin demokratik atje.

Ben Ali thonë se u nis me avion për në Francë dhe ka përfunduar në Arabinë Saudite. Natyrisht ne nuk jemi vend afrikan dhe unë ende shpresoj se, pas zemërimit në rritje të shqiptarëve për kryeministrin që po u vret ëndrrat dhe po instalon shkatërrimin e institucionit të votës sa në Shqipëri aq edhe në Kosovë, ai, Sali Berisha pra, do të gjejë kurajon që të dorëhiqet.