Nga “luan” në “lepur” për 13 orë

0
39


Nga Mero Baze

Ilir Meta nuk do të hyjë dot më si ministër në zyrën e Ministrit të Ekonomisë dhe ky është një lajm i mirë. Përkundër përbetimit të tij se do të jepte dorëheqje në vitin 2013, ai nuk mbushi dot as 13 orë dhe u largua. Përkundër lavdërimeve të shefit të tij të madh se ai ishte i “kristaltë”, ai prapë u largua. Nuk kam ndërmend ta fsheh aspak gëzimin që ai njeri s’do të ketë më punë me zyrat e shtetit tim, por ende kam një shije të hidhur nga ajo që ndodhi edhe me ikjen e tij. Si rrallëkush në historinë e politikës shqiptare, ky njeri ka të shëmtuar si ngjitjen në pushtet, ashtu dhe ikjen.

Të shëmtuar gati si puç ka pasë shpalljen e tij kryeministër për herë të parë, të shëmtuar dhe bazuar mbi vjedhjen e votave ka pasë kurorëzimin e tij kryeministër për herë të dytë, të shëmtuar dhe perverse e ka pasë rezistencën ndaj fushatës së katarsisit të rivalit të tij Fatos Nano në vitin 2001- 2002, të shëmtuar e ka pasë ikjen nga kryeministër, të shëmtuar e ka pasë futjen në koalicion me Sali Berishën dhe po aq të shëmtuar ikjen e tij dje.

Por tek kjo e fundit dua të ndalem pak më gjatë. Si një gazetar dhe qytetar i këtij vendi u angazhova pa u menduar dy herë, jo vetëm në diskreditimin publik të tij, por dhe në protestat e shoqërisë civile kundër tij dhe formalisht kam arsye të ndjehem krenar që ai më ka sulmuar publikisht për këtë çështje. Por Ilir Meta dhe shefi i tij nuk e kanë betejën me mua, edhe pse merren nga mëngjesi në darkë me mua. Ata e kanë betejën me qytetarët shqiptarë. Ata duhet të sqarojnë shqiptarët për të qenë transparent se çfarë ndodhi duke u gdhirë dita e djeshme, që ata nga liderë të përbetuar për të mos konsideruar skandalin, u kthyen në pula dhe sakrifikuan Ilir Metën.

Unë vetë nuk dua sqarime se kam një përfytyrim për ta. Por qytetarët e duan atë sqarim. Shumë prej tyre e morën seriozisht kryeministrin kur tha se kaseta është e falsifikuar dhe Ilir Meta nuk ka bërë asnjë vepër penale. Shumë prej tyre e besuan Ilir Metën kur tha se nuk do të japë dorëheqje deri në vitin 2013. Shumë prej tyre ndoshta kishin dhe dëshirë që kaseta vërtet të mos ishte e vërtetë. Po cili ishte ai mekanizëm që i detyroi këta dy burra “të fortë” dhe të “pathyeshëm” që të erren “luanë” dhe të gdhihen “lepuj”?

Qytetarët shqiptarë duan të dinë realisht se kë kanë sot në krye të vendit: dy “luanët” e djeshëm që nuk dorëzoheshin apo “lepurin” e sotëm që ja mbathi nga zyra? Pikërisht tek kjo perde e errët që ndan trimërinë e tyre nga frika, arrogancën nga përunjësia, dhe korruptimin nga transparenca, gjendet çelësi i ikjes së Ilir Metës dje si lepur nga zyra e tij. Ai është vendimi më i errët i marrë prej kupolës së mafies shqiptare, një vendim i marrë në kushtet e mungesës së respektit për veten dhe publikun. Për një inkonsekuencë të tillë 13 orëshe, nga gjeste luani në sjellje lepuri, një qeveri duhet të jap shpjegime më shumë se sa pjesët e transmetuara dhe të patransmetuara në një kasetë.

Për një ndrysim të tillë drastik të qëndrimit të qeverisë ndaj një debati të madh publik, sakrifikimi i Ilir Metës bëhet dhe më i errët se sa harbutllëku për ta mbajtur atë në pushtet me zor. Mungesa e shpjegimeve përse s’donte të ikte dhe përse iku me bisht në shalë, është një makth që mban peng pushtetin e sotëm. Në asnjë rast tjetër më shumë se sa tek ky rast nuk shihet dhe nuk kuptohet se në krye të shtetit tonë kemi dy “luanë” që nuk i marrin vet vendimet as për veten e tyre. Ata janë thjesht peng të dikujt që i komandon si lodra. Në darkë u thotë qëndroni, në mëngjes u thotë mbathjani.

Dhe kjo shihet qartë pasi diçka nuk ka funksionuar. Shihet qartë tek nervozizmi i Sali Berishës, që quan çakall një gazetar legjendë të anti-konformizmit në Shqipëri si Filip Çakuli, përpara Çakallit real të ekonomisë shqiptare, i cili për 7 minuta në një zyrë, flet për 7 milionë euro sikur ta ketë Shqipërinë çiflig të tij. Kjo shpjegon nervozizmin e Ilir Metës ndaj lëvizjes qytetare që i zuri për dy ditë rresht zyrën, drejtuar nga një grup djem e vajzash simpatikë të lëvizjes Mjaft, që dëshmuan më shumë dinjitet dhe integritet se shumica e elitës fallco të Tiranës që zgjedhin të heshtin para së keqes.

Kjo shpjegon deformimin në thelb të organizatave joqeveritare në Shqipëri, që marrin fonde për të luftuar korrupsionin, dhe kur një i kryekorruptuar u kap me presh në duar, u zhdukën nga skena për katër ditë dhe nuk i gjeje dot as në telefon. E gjithë kjo na bind se planet e kupolës i prishën qytetarët dhe impakti negativ që pati në opinion ajo që shqiptarët panë dhe dëgjuan. Kjo na bind se vendimin që Ilir Meta të ikte nga zyrat duket se nuk e ka marrë as Meta dhe as Berisha, por dikush që i ka të dy si lodra në duart e saj. Ky është një lajm i keq, që nuk na lë të shijomë deri në fund ikjen e një lepuri nga zyra.

E rëndë është se këta ikin dhe vijnë, jo se kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve, por se kanë detyrime ndaj botës së errët të mafies, e cila shpreson se duke prerë kokën e Ilir Metës do të shpëtojë garantin e saj të madh në pushtet. E rëndë është se zemërimin qytetar nuk e masin këta, por ata ku kjo kupolë pushteti është peng. E rëndë është se mekanizmi i ndryshimit këtu nuk kalon nga qytetarët tek pushteti, por nga qytetarët tek mafia. Dhe frika e madhe është mafia që kur rrezikohet ndryshon partnerët, por jo pushtetin. Ndaj duhet beteje me rrënjë kundër saj, që në këtë vend vendimet t’i marrin njerëz të lirë, dhe politikanë të lirë.