TemA Online, 2 Nëntor 2012
Në mënyrë indirekte, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi konfirmoi në Kuvendin e Kosovës se janë përgjuar telefonat e lëvizjes Vetëvendosje në ditën e protestës kundër bisedimeve politike me Serbinë.
I pyetur nga deputetja e kësaj lëvizje, Albulena Haxhiu, për nenin 31 të Ligjit për policinë, i cili ndalon këtë të fundit të mbledhë e të ruajë informata për personat që kanë të bëjnë me bindjen politike, fetare e filozofike, ministri Rexhepi tha se njësitet e inteligjencës marrin informata vetëm për ato çështje që ndikojnë në prishjen e rendit publik.
Debati mes deputetes Haxhiu dhe ministrit Rexhepi vazhdoi edhe për faktin se policia e Kosovës në strukturën e saj ka edhe departamentin e inteligjencës.
Pyetja e deputetes së Vetëvendosjes ishte nëse për këtë është e informuar Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Presidenca dhe komisioni parlamentar për siguri.
Ministri Rexhepi konfirmoi se ky njësit ekziston brenda departamentit të hetimeve dhe se oficerë të tij nuk duhet të ngatërrohen me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Sipas tij, qasja më e re e policisë ishte ajo e udhëhequr nga inteligjenca, raporton TCH.
Ministri shtoi se derisa në të kaluarën policia ka qenë vetëm vepruese, tani është vetë pranuese e informatave dhe në këtë mënyrë parandalon situata të padëshirueshme.
————–
Vetëvendosje padit Bajram Rexhepin
TemA, 2 Nëntor 2012
Sot deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! dorëzuan padi penale në Prokurorinë komunale të Prishtinës në Prishtinë kundër Ministrit të Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, kundër Ilir Qapallekut, truprojë e Kryeministrit, truprojave të tjerë të kabinetit qeveritar, policëve të njësisë speciale dhe kundër eprorit të njësisë speciale përgjegjës për njësinë speciale që ka intervenuar, raporton KTV.
Kjo padi është lidhet me ngjarje e datës 17 tetor 2012 ku deputetët e Vetëvendosje-s, Albin Kurti, Visar Ymeri, Albulena Haxhiu, Albana Gashi, Afrim Hoti, Afrim Kasolli, Liburn Aliu, Rexhep Selimi dhe Glauk Konjufca, janë ndaluar për të hyrë në hapësirat e kompleksit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.







