Nuk mund të kalohet nga feudalizmi në modernitet

0
47


Intervistë me Mark Markun

1. Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Përgjigje: Zoti e di

2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
Përgjigje: Është e pasur, por krahasuar me gjuhët e kulturave të mëdha nuk është njësoj e rafinuar (kultivuar)

3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
Përgjigje: Esencialisht janë neutralë. Rrethanat i bëjnë të mirë ose të këqinj.

4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
Përgjigje: Uroj të ketë interesa të tjera. Por nëse jo, “Big Brotheri” nuk është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë.

5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Përgjigje: Ashtu siç i kanë ndërruar besimet për arsye pragmatiste, po për arësye pragmatiste, shqiptarët kanë gjetur një harmoni të tillë, që u bën të mundur të mos e kenë besimin një problem më shumë në jetën e tyre plot probleme. Gjithësesi, është një gjë e mirë.

6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Përgjigje: Përveç ndryshimeve dialektore që vihen re mes krahinave të ndryshme shqipfolëse nuk shoh ndonjë ndryshim tjetër. Ndoshta shqiptarët e Kosovës janë më pak të deformuar nga ideologjia komuniste.

7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
Përgjigje: Nuk është një, janë disa. Numrat e njerëzve të familjes.

8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Përgjigje: Jo, vrasjet nuk duhet të ndodhin kurrë. Megjithatë duhet vënë vetja në pozitën e një kryetari shteti, që e ka bërë një gjë të tillë për të kuptuar rrethanat e vrasjeve të tipit për arësye shtetërore.

9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti, apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Përgjigje: As vetë Noli nuk e dinte se ç’po bënte. Nga mënyra si u organizua i ngjante më shumë një grushti shteti.

10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
Përgjigje: Po, për fat të keq komunistët shqiptarë e shndërruan në një luftë civile. 40 vjetët e pushtetit komunist nuk ishin asgjë tjetër veçse zgjatim i kësaj lufte (lufta e klasave).

11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Përgjigje: Masivizimi i arsimit dhe elektrifikimi i vendit, megjithëse edhe këto arritje do të ishin më të mëdha po të mos ishim një vend komunist.

12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
Përgjigje: Nuk besoj se do të merrja pjesë në luftë me armë. Por as pushtimin nuk do ta pranoja. Gjykuar nga botëkuptimi im i sotshëm do të isha rreshtuar me forcat nacionaliste.

13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
Përgjigje: Nisur nga rrethanat, i kuptueshëm, megjithëse për mua është gjesti më pak i lavdishëm i Zogut.

14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
Përgjigje: Po, nuk ka asgjë të keqe. Ai megjithatë ekziston.

15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Përgjigje: Papa Benedikti XVI.

16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Përgjigje: Dëshmi e faktit se një vend nuk mund të kalojë direkt nga feudalizmi në modernitet.

17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
Përgjigje: Po natyrisht, nëse do të shtrohej çështja: ose jeta ime, e fëmijës, gruas apo e prindërve të mi ose e kërcënuesit.

18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Përgjigje: Jo. Ndikimi otoman është ende i fortë. Megjithatë mendoj se jemi populli më evropian nga popujt e Lindjes (përjashto Greqinë, Poloninë, Çekinë, Hungarinë, Kroacinë dhe Slloveninë).

19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
Përgjigje: Në mbrojtjen e Konstandinopojës.

20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
Përgjigje: Me Fishtën, Konicën dhe Mjedën.

21: Cili është libri që po lexoni?
Përgjigje: ‘Tropic of Cancer’ i Henry Miller-it. Fatkeqësisht është ende i papërkthyer në shqip.

22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
Përgjigje: Në disa aspekte kombi anglez, në disa të tjera kombi francez.

23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
Përgjigje: Nuk e di si do reagoja, po me siguri nuk do pajtohesha me një gjë të tillë.

24. Keni frikë nga vdekja?
Përgjigje: Kushdo që e di se ç’është jeta, ka frikë nga vdekja.

25. Ç’është Atdheu?
Përgjigje: Është dashuria që ti nuk e zgjedh, thjesht i nënshtrohesh.