FILLON RËNIA…

0
34


Luis Tanushi, 15.01.2011

Dorëheqja e zv.kryeministrit Ilir Meta paraditen e djeshme ka habitur pothuajse të gjithë politikëndjekësit që jetojnë në Shqipëri dhe ata që e ndjekin nga jashtë.

Një ditë pas skandalit ai deklaroi me përgjegjësi të plotë që do të jepte dorëheqjen, por në vitin 2013. Të njëjtën gjë përsëriti edhe mbrëmjen e së enjtes nga studioja e një emisioni televiziv. I pyetur a kishte menduar dorëheqjen Meta u përgjigj: “Absolutisht nuk e kam menduar. Unë jam një politikan që kam dhënë dorëheqje disa herë.

Kam qenë kryeministër dhe për një arsye politike kam dhënë dorëheqjen, kur mund të bëja kompromise. Kam dhënë dorëheqje dhe nga ministër i Jashtëm dhe zv.kryeministër. Pse tani jo? Sepse nuk dua të vendos në politikën shqiptare një standard jo demokratik, pra një standard antidemokratik…”.

Kërkesa për dorëheqje

Burime pranë Berishës pohuan dje se kjo deklaratë e Metës ka vënë në pikëpyetje të mëdha kryeministrin. Menjëherë pasi ka përfunduar emisioni, Berisha ka telefonuar Metën dhe e ka njoftuar për një bisedë më të gjerë mëngjesin e djeshëm. Sipas të njëjtave burime, në mëngjes Berisha ka komunikuar sërish me Metën duke i kërkuar seriozisht që të jepte dorëheqjen.

Kryeministri dhe zëvendësi i tij kanë diskutuar gjatë për rrezikun e publikimit të materialeve të tjera komprometuese për anëtarë të kabinetit Berisha. Nga ana tjetër ndërkombëtarët kishin nisur që të ushtronin presion mbi kryeministrin duke i kërkuar që Meta të mos shkonte përpara prokurorisë dhe më pas gjykatës me statusin e ministrit.

Atij i është kujtuar se kërkesa kryesore për marrjen e statusit të vendit kandidat ishte lufta kundër korrupsionit dhe për këtë arsye nuk mund të qëndronte në qeveri një ministër i akuzuar kaq hapur për një akt korruptiv.

Për të mos shkaktuar largimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni, gjë që do të sillte edhe humbjen e mazhorancës në Parlament, Berisha i ka premtuar Metës se pakti do të ishte në fuqi edhe pas dorëheqjes së tij.

“LSI do ketë postet që ka pasur, nuk ka asnjë ndryshim. Por ti nuk mund të rrezikosh të gjithë qeverinë. Duhet ta mendosh seriozisht dhe duhet të gjesh një mënyrë për tu larguar”, mësohet t’i ketë thënë Berisha, Metës. Pak minuta më pas, Meta, nga selia e LSI-së, deklaroi dorëheqjen.

Negociata për zëvendësim

Pa humbur shumë kohë Ilir Meta ka nisur negociatat me stafin e tij për të përcaktuar zëvendësuesin në postin e ministrit të Energjetikës. Për postin e zv.kryeministrit Meta ka vendosur menjëherë emërimin e Edmond Haxhinastos, një person i afërt i tij, me të cilin kishte punuar në disa detyra të ndryshme. Problemi ishte emërimi i ministrit të Energjetikës.

Burime të LSI-së pohuan se fillimisht ishte menduar emërimi i Sokol Dervishajt. Por kjo kandidaturë ka hasur në kundërshtimin e dy deputetëve të tjerë të LSI-së, Lefter Koka dhe Nasip Naço. Dy të fundit mësohet ti kenë thënë kryetarit të tyre Meta se nuk do t’i japin më votën nëse shohin që anëtarë të thjeshtë emërohen në poste ministrore ndërsa ata si deputetë mbesin në vendnumëro.

Pasi është konsultuar edhe një herë me stafin e tij, Meta ka vendosur emërimin e Nasip Naços në postin e ministrit të METE. Kjo kandidaturë ka gjetur edhe pëlqimin e Kokës, i cili ka postin e kryetarit të grupit parlamentar.

Për të mbyllur emërimet, Meta ka menduar edhe për të ardhurin e fundit, Vangjel Tavo. Ish-deputeti i PS-së është emëruar nënkryetar i Kuvendit dhe do të drejtojë seancat sa herë të mungojë Jozefina Topalli.

***************************************

Ilir Meta jep dorëheqje, ’emëron’ Naçon, Haxhinaston, Tavon

Menjëherë pas dorëheqjes së Ilir Metës nga dy postet që mbante atë të Zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë janë propozuar edhe emrat e parë nga kryesia e LSI. Sipas burimeve nga LSI mësohet se është propozuar në postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Nasip Naço i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit të parlamentit. Ndërkohë që në vend të tij, numrin dy të parlamentit të jetë Vangjel Tavo.

Ndërsa ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, propozohet që të marrë përsipër edhe postin e zv.kryeministrit. Por këto propozime do t’i paraqiten kryministrit Sali Berisha, i cili pritet që të jap miratimin e tij për këto poste, duke bërë që të mbeten sërish të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

*****

Zv. Kryeministri, njëherësh Ministër I Ekonomisë, Tregtise dhe Energjitikes Ilir Meta jep dorëheqjen e parevokueshme në të dyja postet e tij në qeveri. Në një konferencë për shtyp Meta bëri publik vendimin duke e quajtur një vendim personal.

“Jap dorëheqjen e parevokueshme si ministër i Ekonomisë dhe si zëvendëskryeministër. Dorëheqjen ia kam komunikuar kryeministrit Berisha dhe pas këtij momenti jam në dispozicion të prokurorisë për hetim”-tha Meta

Sipas Metës, Shqipëria nuk mund të merret peng nga krimi i organizuar dhe monstra si Dritan Prifti, për të cilin u shpreh se ka një të kaluar kriminale.

Dorëheqja e ministrit Meta vjen 3 ditë pas publikimit të video-skandalit.