Nga Mero Baze, 1 Nëntor 2012
Një ditë më parë u përpoqëm të analizojmë mesazhet paraprake të Sekretares Klinton, që deshifroheshin përmes protokollit të saj për vizitën në Tiranë dhe qëndrimeve paraprake. Tani që Sekretarja Klinton u largua nga Shqipëria, mesazhet paraprake të saj përmes protokollit jo vetëm që janë realizuar, por janë forcuar nga qëndrimi i saj publik në parlament dhe në takimet me Berishën dhe Ramën.
Siç pritej, zonja Klinton nuk bëri deklaratë pas takimit me Berishën, i rezervoi një kohë të gjatë takimit me Edi Ramën, më të gjatë për shembull se Bujar Nishanit, me këmbëngulje të ambasadës së SHBA në Tiranë u fut në Kuvend Bamir Topi, Ina Rama, Kreshnik Spahiu dhe Myslym Pashaj, të cilët Berisha i ka konsideruar puçistë dhe mban qëndrim armiqësor ndaj tyre.
Por mesazhet paraprake të Sekretares Klinton u forcuan shumë nga fjalimi i saj në parlament. Teza kryesore e fjalimit të saj ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe nevoja për një rezultat të besueshëm që të pranohet nga palët. Kjo ka qenë temë bisede dhe në takimin me Berishën dhe Ramën dhe thuajse porosi e vetme e saj në takimin privat me stafin e ambasadës së SHBA në Tiranë, të cilës ia la si detyrë kryesore monitorimin e zgjedhjeve.
Ka shumë skepticizëm në mënyrën se sa mund ta frenojë SHBA Sali Berishën të prekë zgjedhjet, por nuk ka pikë dyshimi që trajtimi i tij si një hajdut votash 9 muaj para zgjedhjeve është një shuplakë e rëndë për autoritetin e qeverisë dhe përpjekjet e tij për të manipuluar me mbështetjen ndërkombëtare në manipulimin e votave. Fakti që SHBA dërgon Sekretaren e Shtetit në një vend aleat të saj, dhe se ajo ka si problem madhor në raportet mes dy vendeve zgjedhjet e lira, do të thotë se qeveria aktuale, dhe konkretisht kryeministri aktual, është një person i pabesueshëm për ta lidhur më mundësinë për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në asnjë vend tjetër të rajonit, as në Bosnjë, Kroaci, Maqedoni, Serbi biles as në Kosovë, zgjedhjet e lira nuk janë një çështje madhore në raportet mes tyre dhe SHBA. Vetëm ne vazhdojmë ta turpërojmë këtë vend aleat, duke qenë edhe partnerë të tij, edhe servilë deri në fund ndaj administratës së tij, edhe tentojmë ta përdorim gjithë këtë afërsi apo servilizëm për të na lejuar të vjedhim vota, në vend që ta përdorim për të forcuar demokracinë.
Mesazhi i dytë i fortë i zonjës Klinton, që përforcoi mesazhet e saj paraprake, ishte beteja kundër korrupsionit. Në përkufizimin e saj për korrupsionin, zonja Klinton theksoi se ai “shteron burimet, bllokon rritjen ekonomike, është mburojë për udhëheqës të paaftë dhe joetikë, dhe ndoshta më e keqja, krijon një kulturë pandëshkueshmërie që iu gërryen njerëzve vullnetin për të përmirësuar jetët dhe komunitetet e tyre”.
Zonjës Klinton do t’i mjaftonte një sekondë të bënte një pauzë, të ngrinte kokën, të kërkonte me sy Ilir Metën, Fatmir Mediun, Sali Berishën apo Ridvan Boden, Genc Rulin apo Genc Pollon dhe do të shikonte se secili prej tyre ishin në atë moment të prerë në fytyrë, me plot grimasa servilizmi dhe hutimi, sikur nuk bëhej fjalë për ta. Në atë fjali ishte koncentrati i gjithë pisllëkut të politikës shqiptare e hajdutëve që nuk ndëshkohen, i fëmijëve të familjes në pushtet që nuk hetohen, i hajdutëve që kapen dhe zhduken provat, i atyre që vrasin për të vjedhur dhe bëjnë sikur nuk ka ndodhur gjë. Falë Zotit ajo nuk i njeh me fytyrë, por vetëm nga dosjet, dhe e mbante kokën tek letra që kish përpara.
Mesazhi i tretë i fortë i saj ishte partneriteti politik në të mirë të vendit. Për ta bërë më të prekshëm, ajo solli si rast rivalitetin e saj me Presidentin Obama dhe bashkëpunimin e tyre. Jozefina Topalli nuk di çfarë pati, por filloi të duartrokiste fort në këtë moment, ndoshta nga ndjenja e fajit që konfliktin politik brenda llojit e kishte sjellë deri në sallën e parlamentit, duke përjashtuar nga prania në sallë kryeprokuroren Ina Rama, të cilën e kishte zëvendësuar me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, ish- presidentin Topi, që e kishte zëvendësuar me pasardhësin e pasardhësit të mbretit Zog, Kreshnik Spahiun dhe Myslym Pashën, që i kishte zëvendësuar me gjeneralët që shitën detin.
Sekretarja Klinton ia solli asaj atje me imponim, dhe me sa duket kjo i digjte shumë zonjës Topalli, që tentonte të duartrokiste më shumë se të tjerët, që të mos kuptohej se ai mesazh mes të tjerash ishte për të si më e keqpërdorura në politikën shqiptare për gjueti shtrigash në favor të skemave konfliktuale të plakut të lig të politikës shqiptare, i cili nuk ka qenë kurrë më fytyrëprerë se sa dje pas takimit me Sekretaren Klinton.
Dhe si për ta bërë më të qartë se ajo kërkonte përgjegjësi nga qeveria shqiptare për aktet e saj, përforcoi deklaratën e fortë të ambasadorit Arvizu bërë disa javë më parë gjatë grevës së ish- të përndjekurve politikë, kur tha se një qeveri nëse nuk është e aftë të dialogojë dhe të marrë përgjegjësit e veta, duhet të ikë. Zonja Klinton e përforcoi atë duke theksuar se kur zotimet nuk mbahen, duhet që politikanët të mbajnë përgjegjësi.
Sekretarja Klinton u largua nga Shqipëria dhe ndoshta njeriu më i lehtësuar pas kësaj është Sali Berisha. Pas takimit me Sekretaren e pamë të hutuar, fallco dhe me makthin e njeriut që mezi priste të mbaronte ai teatër, ku atij i duhej të sillej si mikpritës. Prej sot ai do të vazhdojë të bëjë çdo gjë kundër asaj që u tha. Do të shkarkojë këtë javë ose këtë muaj Ina Ramën, do vazhdojë konfliktin me opozitën, do të quajë “faqezi” Spahiun dhe Pashain, do të quajë puçist Bamir Topin, dhe natyrisht nuk ka ndërmend të lejojë zgjedhje të lira, të cilat e nxjerrin në pension. Makthi i tij i vetëm është si të gënjejë dhe të duket i dëgjueshëm me ta deri ditën e zgjedhjeve, edhe pse u duk qartë që Sekretarja Klinton i la të kuptojë se as e kanë besuar si demokrat dhe “burrë shteti” dhe as do ta lejojnë të sillet ende si autokrat që vjedh zgjedhjet në emër të SHBA.
Në vendin ku vidhen zgjedhjet, sot u fol vetëm për ndëshkimin ndaj hajdutit. Ose më qartë, në shtëpinë e varurit u fol vetëm për litarin.







