Alfabet i ri, për prakticitet, jo për antishqiptarizëm

0
62


Bashkim Kopliku, [Sot, 11.01.2011]

Piqem me shumë gjëra të shkrimit “Antirilindasit në gjuhësi: trashëgimtarët e kauzës së cirilicave në alfabetin shqip”, të shkruar në Sot të datës 9.1.2011, nga Kastriot Myftari. Por më duhet të bëj edhe korrigjimin e disa pasaktësive që ka në atë shkrim, që t’i hap rrugë edhe një propozimi tim për Alfabetin e sotëm të shqipes.

Në vijim po korrigjoj disa nga pasaktësitë e Shkrimit, dhe pastaj po jap një propozim për ndryshimin/përmirësimin e mëtejshëm të alfabetit që përdorim sot, duke synuar që alfabeti ynë të shkruhet vërtetë me shkronja krejtësisht latine. Kjo gjë do ta bënte alfabetin tonë më praktik në shkrimin e shqipes standarde: do të mund të shkruhej gjuha e sotme shqipe, me çdo lloj pajisje shkrimi në botë, natyrisht dhe me pajisjet e shkrimit të anglishtes, me të cilat sot shqipja nuk shkruhet dot.

Në vijim po korrigjoj:
Citim nga Shkrimi:
“Në vitin 1879, kur në Stamboll u mblodh një grup rilindasish shqiptarë, për të vendosur për një alfabet unik […]. Por befas dolën disa pjesëmarrës në mbledhje dhe propozuan që përveç karaktereve (gërmave) latine, alfabeti shqiptar të kishte edhe karaktere greke dhe sllave. Argumenti i mbështetësve të alfabetit mikst ishte […] Qartësisht, halli i mbështetësve të alfabetit mikst ishte që fusnin një element sllav dhe helen në gjuhën shqipe. Duke qenë alfabeti shqiptar mikst, nuk do të ishte e vështirë që të bëheshin huazime nga këto gjuhë në shqip, si dhe të adaptoheshin struktura të këtyre gjuhëve. Mbështetësit e alfabetit mikst qenë natyrisht njerëz të paguar të Serbisë dhe të Greqisë.”

Korrigjimi:
Alfabeti i Stambollit kishte futur 11 shkronja jolatine, me synimin që çdo shkronjë (germë) e Alfabetit të përfaqësonte një nga 36 tingujt e gjuhës shqipe, të pranuar për t’u shkruar. Bëhet fjalë për 9 dyshkronjëshat e alfabetit të sotëm, si dhe për shkronjat e sotme “ë” dhe “ç”. Alfabeti i Stambollit shmangte ngatërresat që sjellin dyshkronjëshat edhe sot, në fjalë të tilla si Mithat (mithat apo mit-hat?), apo karrigja (karrigja, apo karrig-ja, e që u bë sot karrigia) etj. Pra kanë qenë në radhë të parë motive thjeshtë gjuhësore, në bazë të Alfabetit të Stambollit, dhe jo “antishqiptarizmi”.
Alfabeti i sotëm, që u pat propozuar si alfabet alternativ në Kongresin e Manastirit, u pranua gjerësisht në praktikën e shqipes së shkruar, thjeshtë sepse për Alfabetin e Stambollit gjendeshin me vështirësi ato 11 shkronja jolatine, kurse shkronjat e alfabetit të sotëm ishin në alfabetin francez. Në atë kohë (fillimi i shekullit të XX-të) Franca ishte superfuqi, mbase ajo me më influencë në Ballkan.
Sot gjendemi para një vështirësie të ngjashme me para 100 e sa vjetësh: me zi gjejmë shkronjat “ë” dhe “ç” në kompjuterë, në menytë elektronike, në mjetet nga më të ndryshmet që shërbejnë për të shkruar.

Citim nga Shkrimi:
“Kongresi, i cili ishte duke dështuar për shkak se asnjëra nga palët nuk tërhiqej, u mbyll me një kompromis. Kongresi vendosi që gjuha shqipe të shkruhej në dy alfabete, në një alfabet latin dhe në alfabetin mikst. Në shkolla do të ishte i detyrueshëm mësimi i të dy alfabeteve.”

Në Kongresin e Manastirit u vendos që gjuha shqipe të shkruhej në radhë të parë me Alfabetin e Stambollit, dhe vetëm ku kishte vështirësi në gjetjen e atyre “11 shkronjave jolatine”, të mund të shkruhej edhe me alfabetin e dytë të miratuar, atë të sotmin, që në fakt i ka të gjitha shkronjat jo tamam latine, por më mirë të themi franceze. Bëhet fjalë gjithnjë për dy shkronjat “ë” dhe “ç” që nuk gjinden në alfabetin latin, por rrjedhin prej tij duke i shtuar pika apo bishta (shenjat diakritike).

Në vijim po jap një propozim që synon që shqipja e sotme standarde të shkruhet krejtësisht me shkronja latine—lexuesi me siguri që do të dallojë ngjashmërinë e propozimit tim, me atë të Patër Gjergj Fishtës me shokë, të bërë para mbi 100 vjetësh.

Ndryshimi i alfabetit të shqipes.
Kam kohë që kam hedhur në publik, propozime që shqipja të shkruhet me shkronja që i ka “çdo vend i botës”. Shkrimet e para për këtë problem, datojnë në vitin 2004.
Në vijim po ju sjell vetëm propozimin e përditësuar:

Alfabeti i Ri”,
ndryshim që kërkon aprovim zyrtar:
1. Ndryshohet shkrimi i tre tingujve (fonemave) të “alfabetin e vjetër”: tingulli që shkruhet në alfabetin e vjetër, me shkronjën /ë/, do të shkruhet në Alfabetin e Ri, me shkronjën (grafemën) /f/; dhe përkatësisht /ç/ me /ch/ dhe /f/ me /ph/.
2. Ka vetëm 25 shkronja, e pikërisht: a b c d e f g h i j k l m n o p q r s t u v x y.
3. Nuk do të ketë “dyshkronjësha”, të konsideruar si shkronja të veçanta, por si takime dy shkronjash. Pra, dyshkronjëshat e alfabetit të vjetër (ekzistues), dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh, në alfabetin e ri nuk trajtohen si shkronja të veçanta, por si takime dy shkronjash të veçanta që japin po ato tingujt (fonemat) e njohur të alfabetit të vjetër. Alfabeti i Ri do të transmetojë po 36 tinguj (fonema), por me 25 shkronja, dhe me 11 takime dy shkronjash (9 që krijonin dyshkronjëshat në alfabetin e vjetër, si dhe dy takimet e reja, “ch” dhe “ph”).
4. Renditja alfabetike e shkronjave është standard, si në shumë gjuhë me bazë alfabetin latin.
Ja një shembull shkrimi me alfabetin ekzistues:
“kokëfortësia është ves, ndryshimi është virtyt; kjo është çështja!“,
dhe po teksti i mësipërm, i shkruar me Alfabetin e Ri:
“kokfphortfsia fshtf ves, ndryshimi fshtf virtyt; kjo fshtf chfshtja!”

Çdo njeri që di të shkruaj e të lexojë shqip me njërin alfabet, për punë sekondash arrin të shkruajë e të lexojë me alfabetin tjetër, qoftë “të vjetrin” (ekzistuesin), qoftë “të riun”. Pra, ndërrimi i alfabetit nuk dëmton leximin e shkrimeve të kaluara, bile fare mirë mund të bashkekzistojnë për ca kohë, alfabeti i ri me të vjetrin.

Alfabeti Alternativ”,
për e-maile etj., sa pa u aprovuar Alfabeti i Ri.
Kur ka vështirësi të shkruhen shkronjat “ë” ose “ç”, të shkruhen përkatësisht “ee” ose “ch” (në asnjë mënyrë të mos zëvendësohen me “e” ose “c”!).

Sa herë i kam bërë publike propozimet e mësipërm, nuk kam marrë asnjë kundërshtim gjuhësor e praktik, por vetëm sharje, fyerje (si “antishqiptar” etj.), saqë besoj se jam fyer më shumë unë sesa Patër Gjergj Fishta me shokë, kur propozuan ndryshimin e jo vetëm të dy shkronjave (siç propozoj unë), por të 9 shkronjave të Alfabetit “standard” të shqipes së kohës së tyre. I bie që ne shqiptarët, këta 100 e sa vjet të kemi ecur mbrapa në tolerancën ndaj ndryshimeve për përmirësim.