Strategu i fushatës së Romney kuroi imazhin e Berishës në 2005 i rekomanduar nga Fazlliç, – shkruan revista amerikane

0
75

ResPublica.al, 29 tetor 2012

Një shkrim i publikuar në revistën amerikane “The New Republic” thotë se kryestrategu i fushatës së kandidatit republikan, Mitt Romney, ndihmoi Sali Berishën të vinte në pushtet në vitin 2005. Artikulli bën edhe një historik të përmbledhur të historisë politike të Berishës duke e quajtur atë një “aparatçik i diktaturës staliniste”.

Në artikullin e Penn Bullock lexohet ndër të tjera: “… Romney mburret pas dyerve të mbyllura me faktin që këshilltarët e tij po përdorin taktika që i kanë përdorur edhe në zgjedhje të huaja. Këshilltarët që vlerësoi më së shumti ishin kryestrategu i fushatës së tij, Stuart Stevens dhe Russ Schriefer, ndihmës i Stevens për një kohë të gjatë. Dhe përpara se të merrte përsipër fushatën presidenciale të Romney, ekuivalenti i Karl Rove, Stevens, ka ndihmuar që të vijnë në pushtet dy njerëz të fuqishëm, duke i drejtuar ata në fitore në zgjedhje të mbushura me parregullsi dhe dhunë.

Stevens, të cilit “The New Republic” i bëri një profil në gusht, thotë se e shijon politikën si erën e napalmit në mëngjes. Një artikull muajin e shkuar në “Politico”, që e portretizonte Stevens si objekt të kritikave vicioze, e përmendte kalimthi se ai ka punuar në Shqipëri dhe në Kongo. Por nuk i përmendte emrat e liderëve, për të cilët ka bërë fushatë: Sali Berisha, kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti kongolez, Jozef Kabila, figura autoritariste, që kanë alarmuar grupet e të drejtave të njeriut dhe Departamentin amerikan të Shtetit…”

Autori thellohet më pas në artikull në angazhimin e Stevens në fushatat e Berishës dhe Kabilës dhe shkruan se “firma menaxhoi thuajse çdo aspekt të fushatave të tyre, që nga fushatat multimediale të nivelit të lartë, tek mbledhja e fondeve, zhvillimi i politikave, kërkimi në thellësi i strategjive politike, planet e taktikat mediatike- pak a shumë të gjitha shërbimet që Stevens ofron për Romney”.

Bullock shkruan ndër të tjera se “Stevens iu rekomandua Berishës nga një ndërmjetës boshnjak, Damir Fazlliç, të cilin Departamenti i Shtetit e përshkruan si një ‘hije’. “Kabllogramet e Departamentit të Shtetit thonë se ai punoi ngushtësisht me Berishën në fushatë dhe mori mbrojtje ligjore nga qeveria e tij, – shkruhet në artikull. Autori i ka kërkuar koment edhe vetë Fazlliçit por ky “nuk iu përgjigj kërkesës sonë për koment”. A.N.

Artikulli i plotë:
http://www.tnr.com/blog/plank/109214/stuart-stevens-shady-pa

Profil i Stuart Stevens:
http://www.tnr.com/article/magazine/politics/105738/stuart-s