INTERVISTA/ Ngjela: Shqiptarët po tregohen të mefshtë për ta flakur Berishën si një bastard

0
80

Spartak Ngjela kthehet me një libër të ri. Opozita është shndërruar në joproduktive muajt e fundit. Për të gjitha konfliktet e brendshme faji është i Berishës. Vëllimi i dytë i “Përkulja dhe Rënia e Tiranisë Shqiptare”

Nga Renato Kalemi, KLAN, 29 Tetor 2012

Një vit më parë, kur solli në jetë vëllimin e parë të librit autobiografik “Përkulja dhe Rënia e Tiranisë Shqiptare”, Spartak Ngjela bëri zhurmë. Aty ai rrëfente e përshkruante se si një djaloshi në Shqipërinë komuniste, përjetoi të dyja anët e medaljes së një jete që nuk kishin asnjë lidhje me njëra tjetrën. I biri i Kiço Ngjelës, një prej anëtarëve të lartë të Byrosë komuniste, ai mundi të njihte edhe jetën e atyre që jetonin në Bllok, por vrik pas arrestimit dhe persekutimit të babait të tij, u përball me jetën tjetër, atë të burgjeve dhe persekutimit.

Para pak ditësh, Ngjela ka sjellë vëllimin e dytë të librit, ku përshkruan pikërisht vuajtjet si një ish i dënuar politik, një rrëfim i sinqertë, plot ngjarje të vështira, të cilat japin një dozë të mirë për atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. “Nuk pretendoj se kam realizuar ndonjë vepër të madhe, por të paktën mendoj se kam dhënë një dëshmi”, tha ai në prezantimin e librit.

Në këtë intervistë për Klan, avokati dhe kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, shpjegon shkurtimisht arsyet se pse vendosi të botojë një vëllim të dytë të librit. “Tani e ndjeva të arsyeshme dhe të nevojshme që ta botoja”, thotë ai, ndoshta edhe si një çlirim se duhet të fliste për atë periudhë të vështirë të jetës së tij. Por, nga ana tjetër, nuk mund të linte mënjanë edhe komentet për zhvillimet politike në vend, duke qenë se është një kritik i fortë i qeverisë, por në këtë rast edhe i opozitës. Muajt e fundit ai ka qenë disi më pak aktiv në politikë, por thotë se nuk është tërhequr. “Opozita është futur në një filozofi, e cila mua më duket joproduktive.

Nëse nuk del në fushatë që tani, gjithçka ka marrë fund”, shton Ngjela. Sipas tij, është lidershipi socialist ai që po gabon, ndonëse aleanca me PS-në do të vazhdojë sipas të njëjtave kushte si më parë. Nga ana tjetër, kritikon fort ashpër kryeministrin Berisha, të cilin e quan si njeriun që nuk e dëshiron me pasion futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Berisha nuk mund të heqë dorë nga skema e tij sunduese dhe shpërbërëse për Shqipërinë; por, shqiptarët po tregohen të mefshtë për ta flakur si një bastard”. Sipas Ngjelës, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në rastin e grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë. “Berisha kurrë nuk ka për ta dashur të mirën e këtij vendi, prandaj dhe gjendemi në këtë situatë të mbushur me urrejtje dhe konflikte të brendshme”.

– Zoti Ngjela, një vit më parë ju sollët një libër të veçantë mbi diktaturën komuniste, bazuar në jetën tuaj personale dhe mënyrën si e perceptonit atë kohë nga këndvështrimi i dy “vijave paralele”. Prej pak ditësh keni sjellë vëllimin e dytë të librit: “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Libra të kësaj natyre, ose e quajtura “letërsi burgu”, janë botuar menjëherë pas rënies së komunizmit e në vazhdim. Pse pikërisht tani; a ka pasur diçka që ju ka nxitur për ta shkruar?

Librat nuk shkruhen si kërkesë e ndonjë porosie apo mode; librat shkruhen atëherë kur ai që e shkruan e ka përfunduar pjekjen e tij në mendjen e vet, e ka strukturuar dhe kur e ndjen se ka vlerë që të botohet. Prandaj, si rrjedhojë e kësaj që thashë më lart, mund t’ju them se, tani e ndjeva të arsyeshme dhe të nevojshme që ta botoja. Asgjë më tepër.

– Në një nga pjesët e librit të publikuara në media, ju shkruani për periudhën kur u bëtë ministër i Drejtësisë dhe aty gjetët si vartës, pikërisht persekutorin tuaj. A ju ka rastisur që të tilla skena ose situata të jenë përsëritur me të tjerë persekutorë tuajët pas viteve ’90?

Skena të tilla kanë qenë dhe janë të zakonshme për të gjithë ish të burgosurit politikë.

– Përveç periudhës së diktaturës, pra nga vitit 1957 deri në vitin 1990, në vëllimin e dytë të librit keni përfshirë edhe refleksione për periudhën 20 vjeçare të tranzicionit. Përse keni vendosur të rrëfeni edhe për këtë periudhë? Në ç’këndvështrim i keni trajtuar ngjarjet e këtyre viteve në jetën tuaj?

Historia është rrjedhë, nuk është segment i shkëputur kohor. Prandaj që, duke qenë se unë në mendimin tim e kam të analizuar çështjen se tirania shqiptare, pavarësisht nga forma, vijon të jetë prezente, sigurisht që do të më ishte dashur që të flisja edhe për këtë periudhë. Ne kemi një histori të dhimbshme, e cila kurrë nuk na ka dhënë deri tani mundësinë për të krijuar një zhvillim shoqëror real. Pikërisht, kjo është thënë në librin tim; dhe këtë do ta gjeni të analizuar gjerësisht duke e parë nga disa këndvështrime.

– Si një ish i përndjekur dhe i dënuar politik, çfarë ndjetë kur një grup prej 20 vetash që kërkonin dëmshpërblimin e viteve të burgut hynë në grevë, ndërsa dy prej tyre tentuan të vetëvriteshin, duke i vënë zjarrin vetes? Le të kujtojmë se jo të gjithë bashkëvuajtësit e tyre i kanë përkrahur…

Duhet të kujtoheni se ata ish të burgosur politikë kanë kërkuar një gjë të ligjshme: detyrimin civil që shteti iu ka borxh. Nëse e kërkuan këtë me formë të lartë vetësakrifikimi, kjo është puna e tyre. Shteti është i detyruar që të shpërblejë dëmin që ua ka njohur si detyrim. Kjo është esenca e kësaj çështje; por juve keni hyrë në spiralen banale që ka hapur Sali Berisha, një person abuzues, i korruptuar dhe aventurier komunist. Ai kurrë nuk ka për ta dashur të mirën e këtij vendi, prandaj dhe gjendemi në këtë situatë të mbushur me urrejtje dhe konflikte të brendshme.

– Muajt e fundit keni qenë disi i tërhequr nga jeta aktive politike, ndoshta edhe për faktin se vëmendja juaj ka qenë e përqendruar tek libri i ri. Cila është marrëdhënia juaj aktuale me Partinë Socialiste, me të cilën keni bashkëpunuar vitet e fundit? Jeni ende pjesë e opozitës së bashkuar?

E keni gabim. Unë nuk jam tërhequr, por opozita është futur në një filozofi, e cila mua më duket joproduktive. Duhet akt politik dhe njerëzve iu duhet dhënë shpresë për të ardhmen. Nëse nuk del në fushatë që tani, gjithçka ka marrë fund. Njerëzit duan të dëgjojnë zërin e opozitës; kurse ajo hesht. Në këtë pikë, nuk jam unë që jam tërhequr, por lidershipi socialist, i cili po gabon. Për sa i përket aleancës sime me Partinë Socialiste, ajo vazhdon ashtu siç është vendosur qëkurse është bërë. Megjithatë, mendoj se gjithçka do të ndryshojë dhe opozita do të dalë në fushëbetejë për të fituar zgjedhjet e vitit 2013.

– Dy javë më parë, Brukseli vendosi të na japë statusin e kushtëzuar të vendit kandidat, duke e lidhur “kushtëzimin” me plotësimin e tre kushteve deri në dhjetor dhe me mbajtjen e zgjedhjeve të lira në 2013-ën. Për ju është një sukses apo dështim?

Pse tregoheni të pavëmendshëm: nëse ka një njeri që nuk e dëshiron me pasion futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ai është Sali Berisha. Ja, kjo është çështja, të tjerat janë sekondare. Berisha nuk mund të heqë dorë nga skema e tij sunduese dhe shpërbërëse për Shqipërinë; por, shqiptarët po tregohen të mefshtë për ta flakur si një bastard. Të gjitha të tjerat do të jenë normale. Pa u rrëzuar qeveria Berisha, as mos ju shkojë mendja se do të ketë një qeveri shqiptare që të punojë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por, unë mendoj se Saliut i ka ardhur fundi; dhe Shqipëria shumë shpejt do të jetë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian.

– Shqipëria e sotme, ajo e 100 viteve Shtet, a është ajo që duhej të ishte?

Kjo është një temë shumë e gjatë. Për ta ditur mendimin tim, mund të lexoni të dy volumet e botuara të librit tim me titull: Përkulja dhe Rënia e Tiranisë Shqiptare.