Andrea Stefani / Shqip, 29.11.2009
Nuk është e para herë në këto 20 vjet që Sali Berisha u rikthehet akuzave histerike kundër një lideri të opozitës. Shkak është një tension i madh, por jo se e kanë lënë nervat. Gjithë ai lumë akuzash me nënë e me motër, me kriminelë, me mafiozë dhe me të korruptuar, është një kalkulim i hollë, një taktikë shantazhiste që synon ta terrorizojë psikologjikisht kundërshtarin. Një katarakt të tillë të tërbuar akuzash ka lëshuar Berisha edhe më parë kundër liderit të opozitës, Fatos Nano. E ka akuzuar edhe për vrasjen e Azem Hajdarit. Por më vonë i ka përgënjeshtruar vetë këto akuza monstruoze, duke bërë edhe pakte dhe duke shtrënguar duart me Fatos Nanon, pikërisht me atë që para pak muajsh e akuzonte si “padrino”. Për Berishën nuk ka rëndësi e vërteta.
Fjala si akuzë, si shpifje dhe shantazh, mbetet për të një armë e rëndësishme politike për të mposhtur kundërshtarin, për ta shtypur, për ta bërë të zbythet. Berisha është një shantazhist i shkallës së lartë. Me egërsinë që i shpërthen kohë pas kohe si një vullkan, Berisha tenton të shantazhojë jo vetëm kundërshtarët e tij politikë, por edhe “ndërkombëtarët”. Këta të fundit, me atë që qysh nga marsi i vitit ’97 i tmerron me shumë se çdo gjë tjetër, i shantazhon me destabilizimin e Shqipërisë. Është një taktikë politike tipike për Adolf Hitlerin. Prandaj themi se Berisha është Hitleri i kohës sonë.
***
Berisha duhet ta ketë studiuar me shumë vëmendje Mein Kampf-in. Nuk mund të jetë një rastësi që në taktikat politike të Berishës lexohet shumë qartë zbatimi i asaj përvoje që Hitleri e akumuloi qysh në vitet e rinisë së tij nga vëzhgimi që i bënte lëvizjes së majtë social demokrate dhe sukseseve të saj. Përse e shohim Berishën kohë pas kohe të akuzojë me kaq nerv dhe forcë edhe kundërshtarë me të cilët sapo ka përfunduar një konsensus? Pse i rikthehet pafundësisht dhunës verbale dhe oratorisë së urrejtjes? Sepse e kanë lënë nervat? Jo, por sepse sikundër Hitleri, ai beson se “psikologjia e masave nuk mirëpret asgjë që shfaqet e dobët dhe me gjysmë zemre… sepse sikundër një grua psikika e së cilës përcaktohet më pak nga llumi i arsyetimit abstrakt sesa nga një përgjërim i papërcaktueshëm emocional ndaj një force që duhet të kompensojë natyrën e saj dhe që, për rrjedhojë, do të parapëlqente t’i nënshtrohej një burri të fortë, sesa të sundonte mbi një ngordhalaq, po ashtu masat duan më shumë një komandant, sesa një hartues peticionesh…” (Mein Kampf).
Berisha nis të çirret dhe të ulërasë pikërisht në atë moment kur ndjen se po humbet monopolin e sundimit mbi turmën, kur ndjen se po humbet ekskluzivitetin e politikanit, liderit të fortë, të komandantit të cilit i nënshtrohet turma. Mitingu madhështor i opozitës solli një moment të tillë ndaj dhe shpjegon reagimin e tij histerik si dhe orvatjen e dëshpëruar, por edhe shumë konfliktuale dhe të rrezikshme, për organizimin e një antimitingu nën maskën e festimit të 8 dhjetorit. Antimitingu është më shumë një shantazh edhe për “ndërkombëtarët”, të cilëve do t’ju tregojë se ka ende shumë mbështetje në “popull” dhe se cenimi i pushtetit të tij nuk mund të jetë pa kosto për “stabilitetin”.
***
Përse Berisha lëshoi një lumë akuzash kundër Edi Ramës, duke e sharë “me nënë e babë”, përse ka nxjerrë befas dosje skandalesh të pluhurosura, përse e akuzon për lidhje me grupe kriminale tamam si dikur liderin e opozitës Fatos Nano? Sepse ai ka mësuar nga Adolf Hitleri efektet e ushtrimit të një terrorizimi të poshtër psikik mbi një kundërshtar që nuk është në gjendje as morale dhe as mendore (në këtë rast pandehen si të tillë Rama dhe PS) të përballojë sulme të tilla. Prandaj Berisha, tamam si Hitleri, kur mendon se e kërkon momenti politik, “vjell një rrjetë zjarri gënjeshtrash dhe shpifjesh ndaj kujtdo kundërshtari që i duket më i rrezikshëm, derisa nervat e personave të sulmuar rrënohen…”. (Mein Kampf).
Këtë shpreson Berisha kur i turret sot Ramës, ashtu sikundër i turrej dje Nanos dhe jo pak të tjerëve. Tamam sikundër Hitleri edhe Kryeministri shqiptar, natyra e pandreqshme autoritariste dhe e rrezikshme për demokracinë e të cilit mund të jetë e panjohur vetëm për të verbrit, beson se kjo taktikë shantazhi dhe dhune psikike, e bazuar në një vlerësim të saktë të dobësive njerëzore, ka një siguri matematike për sukses. Dhe, ç’është e vërteta, i ka funksionuar me sukses në rastin e liderit të mëparshëm socialist, Fatos Nano. Prandaj Berisha duket i vendosur ta zbatojë deri në fund taktikën hitleriane të terrorit psikik mbi kundërshtarin si individ apo si masë. Dhe është e dhimbshme të shohësh se, në një kohë që ky lider po shtrëngon në grushtin e tij gjithë pushtetet, e djathta europiane i imponon Parlamentit Europian një rezolutë në të cilën i kërkohet opozitës të ulë kokën para këtij tirani dhe, duke shkelur mbi parimin demokratik të transparencës, duke toleruar dhunimin e ligjit zgjedhor, t’i nënshtrohet shantazhit dhe të hyjë në Parlament!
Duket se për disa parlamentarë europianë parimet e lirisë janë të shenjta vetëm në Europë, por jo në Shqipërinë e varfër. Opozita ka rast të demonstrojë botërisht se nuk është fare kështu, se parimet e lirisë janë edhe më të shenjta dhe duhen mbrojtur edhe në Shqipëri, këtu ku liria dhe demokracia janë më të kërcënuara! Opozita duhet t’i qëndrojë taktikës së bojkotit demokratik derisa pushteti i Berishës t’i nënshtrohet jo presionit të opozitës, por të drejtës dhe ligjit, derisa të zbatojë nenin e Kodit Zgjedhor që detyron hapjen e kutive, atë nen që vetë e miratoi me konsensus me opozitën, por që po vetë e dhunoi tiranikisht pa konsensus me të.
***
Ndërkaq europianët duket se i kanë harruar bëmat e dikurshme të Sali Berishës, që jo rastësisht e bëjnë atë një “Fyhrer” shqiptar. Duket se ashtu sikundër jo pak politikanë të Europës ranë në grackën e fjalëve të Hitlerit që betohej për “paqe”, edhe ca diplomatë dhe politikanë të sotëm të Europës kanë rënë në grackën e fjalëve të Berishës që stërbetohet për “demokraci” dhe “ligj”. Por sikundër ka treguar Erich Fromm, duhet që të jemi të aftë të depërtojmë pas formulimeve racionale, pa i vënë veshin asaj që lideri thotë, por duke bërë kujdes se si e thotë, duke parë fytyrën, gjestet, personin në tërësi. Vetëm atëherë zbulohet karakteri i tij. Vetëm atëherë mund të kuptojmë kur Fromm thotë “se udhëheqësi në fjalë është nekrofil… me të nuk ke çfarë të bësh, nuk mund të jesh kurrë mik”, sepse ndryshe nga një lider biofil që angazhohet me të gjitha forcat për të mbrojtur jetën, dinjitetin njerëzor dhe lirinë, një lider nekrofil “të gjitha energjitë i ka drejtuar drejt shkatërrimit, përvetësimit dhe pushtetit absolut”.
Nuk do ndalem se çfarë të sugjerojnë mimika, gjestet dhe egërsimet e Berishës. Por po t’u kthehesh bëmave, a nuk gjejmë në tërë karrierën e stërgjatë të Berishës, gjakimin dhe shkatërrimin për hir të pushtetit absolut? Sa herë do lejohet të rrënohet shteti dhe Shqipëria për hir të pushtetit personal të këtij njeriu? A nuk ishte e mjaftë viti 1997? Po shtatori i vitit 1998? Po vrasja dhe rrënimi i jetëve në Gërdec për shkak të babëzisë së përvetësimit? Po rrënimi i buxhetit me anë të një korrupsioni dhe papërgjegjshmërie që epshin për pushtet dhe fitime të paligjshme e maskon me patriotizëm? Po shkatërrimi i pavarësisë së institucioneve, opozitës, medias? Po shkatërrimi fizik i Zogut të Zi vetëm si një kapriçio shumëmilionëshe e luftës për pushtet? Janë edhe shumë e shumë të tjera. Berisha është një politikan që gjen forcë te shkatërrimi.
***
Ngjashmëria me Hitlerin e Berishës është në deklarata, bëma madje, në disa raste ai thyen edhe rekordet e Hitlerit. Erdhi nga e majta, si Hitleri. Ka kapur dhe shantazhuar partinë dhe porsi Hitleri, është bërë Fyhrer i pazëvendësueshëm dhe idhull i PD-së. Flet pa fund për “antikomunizmin” si Hitleri, megjithëse është kriptokomunisti më i thekur i mbetur. Ka 20 vjet në krye të partisë dhe të politikës, ndërsa Hitleri qëndroi në krye të politikës dhe shtetit vetëm 12 vjet. Hitleri shfrytëzoi djegien e Rajshtagut (Geringu ka pohuar se nazistët ia vunë flakën vetë), për të sulmuar dhe asgjësuar opozitën, Berisha shfrytëzoi vrasjen e Azem Hajdarit, për të bërë një grusht shteti të dështuar si puçi i birrës në Mynih. Hitleri bëri ca burg për një krim të tillë, Berisha jo. Përflitet se ka gisht në asgjësimin e Hajdarit, që bëhet kështu fatalisht i krahasueshëm me Ernst Remin, shefin e grupeve të sulmit që Hitleri e asgjësoi vetë.
Tashmë është fakt i provuar që ish-badigardët e Berishës janë autorë dhe pjesëmarrës në skemën e vrasjes së Azem Hajdarit. Berisha përdor, si Hitleri, në shkallë të gjerë mitingjet. Po si Fyhreri përdor në shkallë të gjerë mediat, sepse beson te magjia, te ndikimi i oratorisë mbi turmën. Prandaj kritikat që i bëhen, i toleron (si garniturë e fjalës së lirë) më shumë nëpër gazeta që kanë përgjithësisht tirazh të pakët në Shqipëri, por jo aq shumë në ekrane që ndikojnë audienca më të gjera. Jo rastësisht ka adoptuar formula që i japin mundësi t’u flasë përnatshëm, në një formë ose në një tjetër, shqiptarëve nga ekranet. Duket se ka bërë me vetveten betimin e Gebelsit: “Sapo të kemi pushtetin në dorë, ne nuk do ta lëshojmë kurrë. Veç kufomat tona mund t’i nxjerrin prej ministrive”. Strategjia e tij konstante, ylli i tij polar, nordi i tij politik, është kapja e të gjitha pushteteve.
Hitleri doli hapur kundër parlamentarizmit, Berisha synon të kapë shtetin nëpërmjet parlamentarizmit. Ka synuar dhe synon, si Adolfi, të vërë nën thundër gjykatat dhe prokurorinë, për t’i keqpërdorur kundër opozitarëve. Për këtë çështje të madhe u përplas me një President ish-gjeneral, me versionin shqiptar të Hindenburgut. Ashtu si Hitleri, edhe Sali Berisha është një shantazhist i përsosur. Zbulimi i korruptimit të politikanëve nuk i intereson për të luftuar korrupsionin, por për t’i shantazhuar, nënshtruar dhe vënë në shërbim të tij. Jo rastësisht sa herë ashpërsohet lufta politike, nis të tundë para hundës së kundërshtarit dosje disavjeçare të mbajtura fshehur në sirtar (sikundër dosja e “Tajvanit”, por ka edhe shumë të tjera që i mban abuzivisht mbyllur) në shkelje të ligjit dhe devocionit ndaj interesit publik. Si edhe Adolfi, arriti të shantazhojë Perëndimin jo vetëm me destabilitet në Shqipëri, por edhe në Kosovë. T’i tregonte Perëndimit kreditë e tij të shumta politike në Kosovë ishte qëllimi i vërtetë i vizitës së tij në tetor të këtij viti atje, ku dhe për turp Hashim Thaçi i dha medaljen e artë të lirisë këtij shtypësi të lirive në Shqipëri. Themi për turp edhe për faktin e dhimbshëm se qenë po shërbimet e fshehta të këtij Berishe që i morën lirinë Hashim Thaçit, luftëtarit të UÇK-së kur luftonte për lirinë e Kosovës.
Në momente të caktuara Berisha shfaq një tërbim tipik hitlerian ndaj kundërshtarëve politikë. Është urrejtja tipike nazisto-komuniste për armikun e pushtetit. Mezi pret një shkak, një incident (madje akuzohet se i prodhon si Hitleri) që të sulmojë dhe groposë armikun e “popullit” që është përherë opozita. Fon Papeni tregon se në momentet kur digjej Rajhshtagu, mbërriti në vendin e mynxyrës Geringu, që në kulmin e zemërimit dhe gjithë djersë thërriste mesa kish në kokë: “Ky është një krim komunist kundër qeverisë së re”. Të njëjtin brutalitet antiligjor ka shpalosur edhe Berisha në disa raste. Kur vite më parë një bombë shpërtheu para një supermarketi të një firme piramidale, duke shkaktuar disa të vrarë, Berisha, atëherë President i Republikës, sapo mbërriti në vendin e ngjarjes akuzoi opozitën komuniste për një akt të tillë terrorist. Po kështu akuzoi publikisht për vrasjen e Azem Hajdarit edhe Kryeministrin socialist, Fatos Nano, duke u bërë ndërsyesi i turmave fanatike (aspak rastësisht të armatosura) që ndërmorën një sulm mbi godinën e Kryeministrisë në 14 shtator. Kur dështoi, tha: Dolën nga kontrolli! Po s’kishin faj se ju vranë liderin. Ja u vranë apo ja u vrau?
Hitleri u tërbua kur social demokratët gjermanë nuk pranuan të votojnë Aktin e Aftësimit Ligjor që i jepte Hitlerit gjithë pushtetet dhe që në fakt i lejoi të nazifikojë Gjermaninë. Deri në atë moment, rrëfen gazetari Uilliam Shirer, ndërsa bënte premtime se “Akti” nuk do të cenonte as Parlamentin dhe as pozitën e Presidentit, “udhëheqësi nazist dukej tepër i arsyeshëm, madje, thuajse i përvuajtur”. Pyesim sa herë e kemi parë Berishën të luajë rrengun e të “zbuturit”? Por me të ndeshur kundërshtimet e social demokratëve në mbrojtje të parimeve të humanizmit, drejtësisë dhe lirisë – vazhdon Shirer, Asambleja dëgjoi një mostër të gojëtarisë së tij të vërtetë: Ju arritët vonë, por, ja ku erdhët! – ulëriti ai… Nuk kam nevojë për ju… ylli i Gjermanisë po lind dhe i juaji po perëndon. Kambana e vdekjes suaj ka rënë… Unë nuk i dua votat tuaja. Gjermania do të jetë e lirë, por pa ju”.
gojën e Berishës. Më e fundit qe ajo e para pak ditëve, kur u betua se do t’ia shkulte dhëmbët, deri edhe nofullat, me darën e ligjit opozitës. E vetmja gjë që mund të thuhet është: Po çdo dara e ligjit në dorën e Kryeministrit? Rastet e ngjashmërisë së fjalorit të Berishës me Hitlerin janë pafund. Ja një tjetër. Ndërsa kërcënonte Europën me luftë, Hitleri hakmerrej kundër poshtërimit që i kish bërë Gjermanisë Traktati i Versajës, duke deklaruar: Armiqtë tanë nuk do të guxojnë të qeshin më me ne! Kur në vitin 1997 Berisha humbi pushtetin për shkak të aventurave dhe korruptimit, shprehte një mllef hakmarrës, duke deklaruar publikisht për kundërshtarët politikë: do jua ngrijmë buzëqeshjen në buzë!
***
Çfarë i lidh Hitlerin me Berishën? Përse përputhet gjuha dhe mllefi i Berishës me atë të Hitlerit? Berisha nuk ka aspak elokuencën e liderit nazist. Çfarë kanë të përbashkët? Asgjë më shumë sesa karakteri prej demoni autokrat, i cili mezi pret të gjejë një pretekst të groposë kundërshtarët politikë. Është karakteri nekrofil dhe antiliri. Të përbashkët kanë edhe masën e fanatikëve që i mbështet pa rezerva e bashkuar rreth liderit në një solidaritet narcist grupi të çeliktë. Ka mësuar edhe diçka tjetër nga Hitleri. Pas grushtit të dështuar të shtetit të shatorit të vitit ’98, hoqi dorë nga dhuna militare ashtu si edhe Hitleri pas Puçit të Birrës dhe vendosi t’i realizojë qëllimet për një pushtet absolut në rrugë “kushtetuese”. Dhe i avancoi këto qëllime falë konsensusit të mbrapshtë historik me PS-në për ndryshimin e Kushtetutës. Një gabim fatal që e godet opozitën sot si një bumerang dhe e detyron të qëndrojë jashtë Parlamentit deri në momentin kur të dërrmohet strategjia e shantazhit e këtij Hitleri të Shqipërisë.