“Karpa” i Martin Camajt – një roman antiutopik

0
149

Agron TUFA

Pelini dhe mjalta e mërgimit

Atdheun duhet ta shohësh nga larg që ta çmosh, t’ia ndjesh përmasat dhe peshën… të mungesës dhe të domethënies. Të mungesës dhe asaj se çfarë mund të kishte qenë për ty, çfarë mund të kishe qenë ti e çfarë mund të kishe qenë ti në pjesëtimin e përbashkët të fatit me të. Kjo është tortuara e gjithë intelektualëve shqiptarë të privuar e të përndjekur nga atdheu, i cili në një moment të gjatë të historisë u shndërrua për ta thjesht në një njerkë mizore, shtrigë vrastare.

Pamundësia për t’u kthyer në vendlindje ka rezultuar tragjike për jetën personale të shkrimtarit Martin Camaj (1925 – 1992), por fatlume për letërsinë shqipe. Sepse atë që nuk ka mundur të bëjë fizikisht e ka realizuar nëpërmjet artit të tij.Në asnjë vepër tjetër të letërsisë shqipe nuk gjejmë kaq shumë atdhe, kaq shumë fëmijëri, kaq shumë vendlindje.Vepra e tij është dëshmia më e mirë e përpjekjes për të mos e humbur atdheun, vendlindjen. Aty ai është me të gjitha aromat, ngjyrat, dritëhijet.

Emigrimi i parë i poetit nis qysh i vogël, kur largohet nga fshati për të hyrë në kolegjin saverian të jezuitëve në Shkodër. Fillimi i studimeve në këtë kolegj do të përcaktojë të ardhmen e poetit në shumë drejtime. Është emigrimi i parë prej të cilit lindin dhe emigrime të tjera dhe kjo do të jetë përcaktuese për fatin personal të poetit. Rruga e dijës e çonte gjithnjë e më larg, dhe për ata që e ndjekin me ngulm këtë rrugë kthimi është vetëvrasje. Ja pse pas kolegjit saverian ai duke ndier nevojën e shkollimit do të largohet nga Shqipëria për në Jugosllavi ku do të vazhdojë studimet në Universitetin e Beogradit studime që do t’i mbarojë në Romë në Universitetin La Sapienza ku edhe u doktorua me një studim për Mesharin e Buzukut. Në vazhdën e kësaj rrugë në fillim të vitev 60 ai zhvendoset në Mynih, kësaj radhe jo në rolin e nxënësit por të mësimdhënësit, rrugë që e vazhdoi deri në fund të jetës. Camaj e ktheu katedrën e albanologjisë së Mynihut në një institucion dinjitoz të studimeve në këtë fushë.

Studimet e tij në kolegjin saverian janë përcaktuese edhe nga pikëpamja ideologjike, bindjet e tij ishin në kundërshtim me komunizmin dhe për këtë arsye të kësaj mospërputhjeje ai do të largohej nga Shqipëria duke kërkuar azil politik në vende që kishin më respekt për lirinë e fjalës dhe të medimit.

Martin Camaj është ndoshta i vetmi vazhdues i madh i krijimtarisë letrare në gegnisht, duke e reformuar thellësisht atë, duke e bërë më bashkëkohore me rritjen e aftësisë shprehëse. Camaj do të bëhet vazhduesi më i denjë i veprës së autorëve të letërsisë shqipe në gegnisht nga Budi tek Mjeda e Koliqi, ndoshta i vetmi autor modern shqiptar i denjë për të vazhduar trashëgiminë e ndritur të tyre. E zhvilluar në mënyrë të natyrshme dhe jashtë presionit të letërsisë dogmatike të realizmit socialist, vepra e Camajt është niveli më i lartë i zhvillimit të letërsisë moderne shqipe ose më saktë është ana tjetër e painfektuar e saj.

Gjuha e Camajt është një shqipe letrare e gegnishtes, me një strukturim artistik melodioz, plot kumbe e rrjedha të kthjellta ligjërimi, duke krijuar një strukturë të pasur e vitale me fuqinë leksikore, sa të folklorit, aq edhe të gjedhes letrare gege, të cilën e përpunoi, e shartoi dhe e pasuroi me erudicionin e tij të thellë ndër përvojat e huaja letrare, por edhe me konstruktet mjeshtërore vetjake, edhe si krijues, edhe si gjuhëtar.

Duket se Camaj mërgimtar, në ngjashmëri me personazhin e vet breshkën Drande, bart mbi rrashtën e vet gjuhën, zakonet, ritet, doket – gjithë psiken dhe mentalitetin e bartësve të kësaj gjuhe.

Komuniteti i vogël i emigrantëve shqiptarë që e ka njohur Camajn e përshkruan atë atë si një intelektual tejet të kulturuar, të qytetëruar, e njerëzor por të patjetërsuar nga të jetuarit e gjatë në Përëndim. Njerëz të afërm të tij tregojnë një detaj që na konkretizon krenarinë e tij për vendin e origjinës dhe racën që përfaqësonte. Ndërsa paraqiste dokumentet për te filluar punë si lektor në Universitetin e Mynihut sekretarja duke kryer formalitetet e rastit e pyet për profesionin e të atit. Bari- i përgjigjet Camaj dhe meqë sekretarja e përsëriste pyetjen duke mos u besuar veshëve Camaj përsëriste përgjigjen i patrazuar: – Bari, -zonjë .

Camaj vdiq, në mars të vitit 1992, në Lenggries të Bavarisë. Erika, gruaja e tij gjermane, në përmbledhjen e veprave të tij të botuara në Shqipëri në vitin 1996 nga shtëpia botuese “Apollonia” (ndërsa në vitin 2010 “Onufri” botoi gjithë korpusin e veprës së plotë letrare të Camajt) na ka sjellë fjalët e fundit të poetit: “Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë…gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time:ky vlerësim na afron.Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej.Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”.

Romani “Karpa” si bilanc i krijimtarisë së Camajt

Romani “Karpa” është një vepër përmbyllëse e gjithë krijimtarisë letrare të Camajt, një sintezë dhe bilanc i kërkimeve, tematikave dhe ideve që kryqëzohen në prozën dhe poezinë e tij. Kemi të bëjmë me një vepër poststscriptum në korpusin letrar të autorit, çka nënkupton shkallën e madhe të shumëkuptimësisë së romanit. Jo rastësisht “Karpa” është shkruar fill pas veprës së tij të famshme “Dranja” – një sintezë mes poezisë dhe prozës. Rëndësinë artistike të romanit e vë në pah edhe vetë Camaj në një letër të vitit 1989 drejtuar një miku të tij: “Mbas krijimit të veprës “Dranja”, mora zemër me shkue dhe një hap përpara me “Karpën”: tue shkrue këtë vepër e kam ndie veten shpesh “virtuoz”. D.m.th., jam në gjendje të thom shqip gjithçka due! P.sh., në një periudhë pesë rreshtash me projektue shtresa të ndryshme domethanieje”. Në prozë kam pasë mundësi, pavetëdijshëm, të jem edhe struktural, ndoshta pse edhe në gjuhësi jam strukturalist”2.

Këto probleme të ndërtimit (arkitekturës) së romanit janë çështje të një mjeshtërie e përvoje të lartë, si dhe i ambicies së pakufishme të Camajt për përsosmëri artistike midis formës dhe përmbajtjes, midis gjuhës së pasur e të zhdërvjellët me fraza e sintakstë virtuoze dhe lëndës së ngjizur prej idesh e kuptimesh të shumëfishta.

Ne nuk e dimë pse e titulloi Camaj romanin e tij pikërisht “Karpa”. Dhe titulli i një vepre, është i pandashëm nga çëlësi i tij kuptimor. Karpë, është një fjalë shqipe e substratit latin, që në arealet e gegnishtes ka shumë kuptime, ndër të cilat – shkrep, shkëmb i madh, shkallë dhe kullosë, ara me shkëmbinj, faqe shkëmbore3.

Emri Karpë, në plan të parë, shënon vendin, të cilin autori e krijon për t’i shtrirë personazhet e ngjarjet në thurjen e tekstit. Që në fillim kemi të bëjmë me një aludim me një “vend shkëmbor” ku ndodhin ngjarjet dhe aludimi nëpërmjet shumë epiteteve krenare dhe patetike, për një vend të mbyllur e të izoluar, të rrethuar me armiq, kuptohet së është Shqipëria e kohës së diktaturës komuniste. Nga një fletë dorëshkrimi në gjermanisht, që ka gjetur në arkivin e Camajt studiuesi Hans Joachim-Lanksch, gjejmë të vetmin shpjegim për natyrën kuptimore ambivalente të emërtimit “Karpa”. Shënimi i Camajt, sipas përkthimit të z. Lanksch, është ky:

Karpa si kontrafakturë e nji bote, ndamë në dy aspekte:

a) si botë shqiptare
b) si vepër letrare shqiptare

Ka dhe diçka prej parodie:

“- Na jetonim si pauperi in spiritu në nji vend në të cilin kishte njerëz që e ndjenin veten lakuriq, nëse s’kishin ndonji titull;
– Na jetonim në nji vend në të cilin nuk kishim kurrfarë mundësiet pa biletë hymjeje në xhep;
– Na jetonim në nji vend ku gjindja pa kartë çeqesh ishin fukara, ndërsa ne ishim shumë të pasun pa pasë gja”.

Siç shihet nga këto pak shënime në gjermanisht kemi të bëjmë, ndoshta, me farën e parë embrionale të veprës, të menduar, që në zanafillë, si alegori mbi një vend paradoksal e absurd si Shqipëria në kohën e diktaturës. Vetë Gjyshi, një tiran plak, që e ka përqendruar pushtetin e tij në duart e veta dhe së bijës vejushë, të cilës ia ka vrarë burrin. Si botë shqiptare dhe vepër letrare shqiptare romani “Karpa” shprehet në “burimësinë e vet: izolimi i Shqipërisë dhe drama e njerëzve të saj në sistemin monist, dhuna mbi personalitetin fizik dhe mendor të individit, sedra e fyer, pengesa e lëvizjeve të lira dhe mungesa e komunikimit gjithëkombëtarë, ndarja e trojeve shqiptare me “mur të hekurt” dhe “vetëdija e fjetur” e atyre që udhëhoqën, pastaj haraçi i shmangies së rrugës nga qytetërimi i vërtetë” 4.

Romani i përket zhanrit të letërsisë fantastike, që quhet antiutopi5 dhe një rast të ngjashëm në letërsinë shqipe kemi me romanin “Oh” të Anton Pashkut. Elementët fantastikë në letrësinë shqipe para Camajt kanë një traditë, jo aq të dendur, por ndër to mund të përmendim një shtresë të veprimit fantastik në poemën “Lahuta e Malcis” të Fishtës, novelën “E madhe është gjëma e mëkatit” apo tregimin “Në valët e kohës” të Mitrush Kutelit dhe disa elementë fantastikë në tregimet dhe novelat e Ernest Koliqit. Por elementët fantastikë, simbolikë, mitologjikë e demonologjikë tek Camaj i mbivendosen rrashit të antiutopisë apo utopisë së keqe, për të krijuar shtresa e nyja kuptimore, që kërkojnë përpos një leximi të vëmendshëm, edhe një kulture dhe njohjeje vetiake leximore. Jo më kot Camaj shprehet në “Shënime të përgjithshme mbi një varg librash letrarë”, se “Rryma letrare ashtë e llojllojshme, simbas landës që kam trajtue.

Në të gjitha veprat theksohet simbolizmi që shprehet në prozë si në poezi me mjete autoktone gjuhësore (thanje e frazeologji shqipe popullore) e përftyrime të kulturës popullore shqiptare, si janë fytyrat e besimet mitologjike. Kuptimi i veprave të mia vështirësohet edhe nga rrethana se lexuesit shpesh nuk e njohin këtë kulturë apo pajë shpirtnore shqiptare. U muer vesh se në këtë simbolikë analogjia, aluzioni, përkujtimet e pavetëdijshme shtrihen përtej skajeve të botës shqiptare dhe ndërlidhen me letërsinë e lashtë e të re botnore. Meqenëse nisem prej përvojës jetësore time, pejzazhi i vendlindjes ashtë zgjanue në kohë, por si bazë mbeten viset jugore. Bjeshkë e vrri shndërrohen ma vonë në jug e veri 6.

Subjekti i romanit “Karpa”

Ngjarjet e romanit “Karpa” janë vendosur gati tre shekuj në të ardhmen – në vitin 2338. Subjekti apo fabula e romanit është vështirë të përmblidhet reduktueshëm. Meqenëse aktet e personazheve janë rreptësisht të kushtëzuara nga zbatimi i përpiktë i dokeve zakonore të traditës së ngulitur të vendeve ku janë rritur e jetojnë, ata nuk mund të konfrontohen me këto regulla dhe janë të varur prej tyre, nëse nuk duan të hyjnë në konflikt me autoritetet që i mbikqyrin. Kështu Voni, një barnatar i ri dhe letrar nga qyteti i Agripës së Kobojës (krahina fqinje matanë lumit Drin), dëbohet nga vendlindja për t’u martuar, sipas dokes, në Karpë. Siç pritet edhe nga karpasit, ai do të pritet matanë lumit dhe do t’i caktojnë një tutor, i cili do ta presë e shoqërojë dhëndrrin, derisa të vendosin t’i gjejnë një nuse dhe ta bëjnë pjesëtarë të bashkësisë së Karpës.

 Tutori dhe shoqëruesi i Vonit barbatar, është caktuar kronisti i Karpës, Shkriba, një dijetar i përshtatur me koniukturën autoritare të Karpës. Ai është njëfarë Virgjili që i prin Vonit, barnatar dhe letrar i ri nëpër rrathët danteskë të Karpës. Në këtë pikëpamje romani “Karpa” mund të kundrohet edhe si roman-labirint. Nis kështu udhëtimi i Vonit, por ky është një udhëtim nëpër katakombet e historisë, një e shkuar plot me shtresa dhune, që shtrihen nga bashkëkohësia deri në në lashtësine ilire të neolitit. Piknisja e udhëtimit të Vonit, shkon në të përkundërt me shtrirjen horizontale të ngjarjeve. Ndërsa në qytetin e karpës vdes Gjyshi (udhëheqësi diktator), vendi kridhet në një luftë civile midis popullsisë fiseve të malit dhe qytezës.

Gjëllojnë intrigat dhe skenat e përgjakshme vëllavrasëse, të nxitura nga e bija e diktatorit, për të marrë pushtetin. Simbas dokeve të Karpës, Vonin e fshehin, duke e lëshuar me litar brenda një shpelle në faqen e shkëmbit, për ta mbrojtur nga vdekja e sigurtë gjatë luftës, me qëllim që të përmbushnin premtimin e karapsve për ta martuar me Borën. Bora është stërmbesa e diktatorit, një femër me bukuri të rrallë, gjithashtu një personazh ambivalent; përveç emrit Bora, që e përdor në qytet, ajo mban edhe një emër të dytë, Judita, të cilin ajo e përdor vetëm në Katund. Derisa në Qytezë vazhdon lufta civile, Voni është i detyruar të mbijetojë brenda shpellës me muaj të tërë, nga tetori deri në mars. Gjatë peripecive për mbijetesë dhe gjetjes së një shtegdaljeje nga shpella me anë gërmimesh, Voni ndesh në shtresa qytetërimesh të lashta, në eshtra, vegla, stoli e fragmente enësh nga banorët e lashtë.

Të gjitha shenjat e gjetura flasin për një dhunë të lashtë mbi banorët e shpellës dhe dalja nga shpëlla-labirint ndodh duke ndjekur fragmentet e një masakre, më saktë pozicionet e ikësve drejt një shtegdaljeje. Voni del nga shpella-labirint e gistorisë, në një vend piktoresk e të shenjtë të lumit, në ujrat e të cilëve vinin të vajtonin gratë, për burrat e të afërmit e tyre të humbur në luftë. Duke dëgjuar vajtimin e tyre, Voni merr vesh mbi fatin e luftës dhe të personazheve të tjerë me të cilët ka qenë i lidhur. Së mbrami Voni kthehet në qytet, duke u bashkuar sërish me rrafshin horizontal të ngjarjeve, por me një sekret që e zotëron tashmë: ai ka bërë zbulime personale në shpellë mbi ekzistencën e një cope të Ilirisë. Kthimi i Vonit në qytet shoqërohet me përmbushjen e premtimit: diktatura ka rënë dhe tani në liri ai mund të martohet me Borën, që tash, pas rënies së siktaturës, quhet Judita.

Me kalimin e viteve e shohim Vonin-barnatar të ushtrojë edhe zejen e mbledhjes së barnave, edhe angazhimin për ripërtëritjen kulturore e artistike të Karpës së lirë. Duke udhëhequr fushatën për mbledhjen e koleksioneve të antikuarëve nga e kaluara, Voni ndesh me një libër të mrekullueshëm, të cilin e ka trashëguar Lejda, një bijë e fshehtë e ardhur nga jashtë në Karpë. Ajo është poliglote dhe poete. Nuk kuptohet kush e tërheq më shumë Vonin: libri i mrekullueshëm mbi orkidenë e egër apo vajza e re, po aq magjike sa lulja. Pasioni i ri e bën Vonin të mbyllet në vetvete dhe të tërhiqet se bashku me Lejdën në male, duke u rikthyer sërish në shpellën prehistorike bashkë me vajzën e bukur. Ai çon një jetë prej heremiti, duke mbledhur rrënjë e lule dhe e ka gjetur harmoninë jashtë familjes, në bashkëjetesën me Lejdën përrallore në shpellë.

Kjo është fabula lineare e rrëfimit. Por romani bën një surprizë në kuadrin përmbyllës. E gjithë ngjarja e treguar, del se është leximi i një kronike të lashtë, e shkruar midis viteve 1975-1980 dhe se Voni, së bashku me personazhet e tjerë, janë thelbe të mëparshme të personazheve të një tjetër kohe. Voni i vërtetë dhe përsonazhet e vërtetë të ngjarjes në realitet janë të tjerë. Gjyshi ose diktatori njëjtësohet me autorin e kronikës dhe se gjithçka ka qenë thjesht një ndodhi e hershme e shkruar në trajtë imagjinare. Voni-barnatar që ka ardhë si dhëndër në Karpë martohet në atë shtëpi-muze (Shtëpia e Pemëve të Thata) me një Borë-Juditë tjetër, reale, gjithashtu një bukuroshe e re, bijë e Ajkunës dhe Romancierit. Edhe Lejda është një tjetër Lejdë reale, e cila përbën një thelb të përsëritur, dyjar, të kronikës, një vajzë-ëndërr. Dy versionet e ngjarjes janë të shkrira pahetueshëm dhe ato i sqaron ndërtimi kompozicional i romanit.

Kompozicioni i romanit

Ka një pasazh në romanin karpa kur Kronisti i ri, Romancieri, flet me barnatarin letrar, Vonin. Fjala është për strukturimin e realitetit në art. Pasazhi është mjaft shprehës dhe aludon për tranfigurimin e realitetit në art: “Romancierit s’i shkonte ndër mend se plaku ma i vjetri i bashkësisë jetonte në një botë të pakohë, nda këso jete, mbrenda një rrethi. Dhe rrethi përmbante mbrenda vetes një katedrale gotike, ngarkue me mija statuja. Dhe statujat vetë ishin stolisë me mija gjymtyrë dhe imtësi me përmbajtje simbolesh me i plasë rrashta atij që i delte përballë katedrales dhe përpiqej ta kuptonte pa njohjen e rregulave të arktekturës së saj.

Gjithçka mbrenda një rrethi, trajta ma e përkryeme e të gjitha trajtave. S’ia pritte mendja Romancierit se një botë e tillë ishte mbrenda një vetje, aty para tij, që bante vetëm hije mbi trollin e kasolles”7. Ky pasazh si dhe ndërmendje të tjera të ngjashme në tekst në bëjnë me dije mbi karakterin plural të interpretimit të veprës, mbi karakterin parabolik e alegorik të romanit dhe se idetë e veprës artistike, janë çështje që nuk lypin një kuptim të drejtëpërdrejtë.

Fabula e këtij romani herë-herë del e ndërtuar me strukturë unazore, pa ikur nga elementi i fantastikës magjike, trashëguar nga përrallat e mitet tona. Kështu, në këtë rast del në skenë struktura paralele e dy fabulave që zhvillohen në kohë të ndryshme, por në të njëjtin vend e po me ato toponime që edhe ndërrohen nga çasti në çast. Fabula zhvillohet në një hapësirë të mbyllur që bazohet në funksionimin e shenjave intime, egoiste etj. Atëherë kur vihet në sprovë të romanit, fabula narrative zbeh intrigën e dashurisë e të krimit, që në roman janë inde kryesore të ekzistencës së fabulës, me një mori ngjarjesh të brendshme, që ndryshe cilësohen si motive të përshkrimit, të peizazhit të pashkelur në Karpë. Pastaj, këto motive degëzohen dhe paraqesin shumë episode në fabulë që lë përshtypje sikur ecën në një linjë me rrëfyesin.

Dhe kështu shfaqet modelimi i retradimit në prozë dhe mu për këtë romani duket sikur ndërtohet sipas kërcimit të kalit, (siç pohon Shkllovski) dhe në mëmyrë të ndërprerë arrin në cak. Autori zbulon paragjykimet, dhimbjet, fatëkeqësitë e një shoqërie, që janë tekste të shkruara me stile të ndryshme dhe kështu marrin funksion psikologjik. Teksti i tillë letrar del i fokusuar me elemente sociale, politike etj. Në këtë tematikë shfaqet edhe dimensioni i tejdukshëm artistik, si: alegoria, ironia, sarkazmi, që aludohet në një kohë të hershme ku edhe bëhet lufta mes shmirjakëve dhe qytetarëve. Kështu, nga ky moment romani nis e merr një orientim a zhanër fantastik. Struktura e romanit u nënshtrohet rregullave të kërkimeve shkencore, ashtu si e kanë zbatuar M. Bullgakovi te romani ”Mjeshtrit dhe Margarita”, dhe H.L Borhes në tregimet e tij brilante, që hulumtojnë në hapësirën tokësore e nëntokësore8.

Element tjetër i rëndësishëm i këtij romani është kronika a ditari i shkruar nga kronistë të ndryshëm, që shquhen nga stile a versione të dallueshme. Gjetjet e rralla ilire hyjnë në korpusin e gjërave me interes për historinë. Mes faqeve hetohet interesimi i mangët për gjenealogjinë tonë ku të futurit në labirinte s’është i rastësishëm. Krimbi përçarës punon në tokë e mbi tokë, e keqja, gabimet, fatkeqësitë e ndryshme janë ushqim i urrejtjes e i kryengritjes9.

Romani “Karpa” ka një strukturë në formë rrethi. Vepra fillon me dy kapituj të Kuadrit të parë, mandej fillon Pjesa e Parë me kapitujt përkatës dhe Pjesa e Dytë – pikërisht historia bazë e romanit që e pandehim për të vërtetë, por që na del në Kuadrin e dytë dhe përmbyllës veçse një zhytje e Vonit në leximin e Kronikës së lashtë. Gjyshi që identifikohet me kronikën i drejtohet njërit prej personazheve: “Duhet të nxamë me pyetë… Qitë këtë pyetje e të përgjigjem”. Dhe përgjigja i vjen: “Për shembull, të gjithë jemi skllavë të simboleve”.

Truku me rrëfimin dhe loja me domethëniet

Kompozicioni rrotullar i romanit na ndërmend edhe një procedim tjetër të ngjashëm të Camajt – romanin “Rrathë”, që gjithashtu shtjellon marrëdhëniet e njeriut dhe identitetin e tij në vorbullën e Kohës. Por struktura kompozicionale rrethore e romanit i përgjigjet më së miri ndërfutjes së tekstit në tekst. Tekstit i ndërfuten fletët e kronikës, të cilat bëjnë pjesën më të madhe të romanit. Kjo lojë e tekstit brenda tekstit që ndërlidhet me Vonin, krijon në vend të përfundimit logjik, befasinë. Për t’u njohur me vendin atij i duhet të lexojë kronikën. Kronika ka dy pjesë.

Mirëpo hilja konsiston në faktin që, gjithë atë kohë që ne e shohim në veprim, ai s’ka bërë gjë tjetër, veçse ka lexuar. Lexuesi mashtrohet hipotetikisht. Ai vetëdijësohet dhe e kupton trukun vetëm në fund. Pra, personazhi ka lexuar bashkë me lexuesin, në të njëjtën kohë. Kësisoj bëhen dy lexues, që lexojnë kronikën dhe që mashtrohen njëkohësisht. Voni ose Barnatari, duke e parë veten në funksionim ende pa filluar, e lexon veten e tij të shndërruar në personazh, ashtu si lexuesi, i cili vetëm në fund zbulon se edhe ai paska lexuar një tekst “të kurdisur”. Kur përfundon romani, aty vetëm sa fillon ndoshia “e vërtetë”. Në fakt, boshtin e romanit e përbën teksti i kronikës, ndërsa pjesët anësore e plotësojnë10.

Kronika krijon Karpën. Karpa funksionon si një tërësi. Gjërat që e karakterizojnë janë të çuditshme, dhe krijohen për ta veçuar. Funksioni arrihet me kthimin kokë poshtë të dukurive të përshkruara. Karpa është një monedhë që ka dy faqe. Secili vendbanim ka dy faqe: si e shohin të tjerët dhe si është në të vërtetë. Dy faqet mund t’i konsiderojmë: si e jashtmja dhe brendshmja. Anën e brendshme e përbëjnë ndërtesat, njerëzit dhe ngjarjet. Karpa ka, për shembull, Kopshtin Zoologjik. Aty mbahen kafshët e buta, të dikurshme, shtëpiake. Normalja thyhet menjëherë.

Fillon shtrirjen paradoksi që ka si qëllim shenjimin (kujtoni: Voni vjen dhëndër në Karpë. Por në traditën shqiptare, zakonisht nuset udhëtojnë për tek dhëndri, jo e kundërta). Në këtë Kopsht Zoologjik (një metaforë e zgjeruar e zooparkut për shoqërinë socialistë) egërsohen kafshët e buta dhe përzihen me shtazët e egra tradicionale, kryqëzohet “qeni me ujk, macja me dhelpër… rosa me shqiponjën etj”. Ky shartim krijon një kafshë të re, një lloj derri thuhet (parodi absurde e :njeriut të ri” të socializmit). Vendi sa vjen e izolohet në çdo hap. “Karpa” e Martin Camajt gjatë gjithë kohës paraqet vendin ku paradoksaliteti ishte shndërruar në normë. Në krye të krejt vendit qëndron “terrori, skeleti i plakut”, i cili shkruan dhe kronikën e vendit si t’ia dojë qejfi.

Alegoria arsyeton ekzistencën e secilës pjesë në roman. Karpa shenjon vendin e mbylljes e të diktaturës. Autori rrëfen e përshkruan gjërat, por më shpesh i lë të vetëzbulohen. Nganjëherë edhe gjykon. Kur gjykon diktatorin e vë në barazpeshë me poetin: “Po qe se vdes një poet, mbushen zemrat me ndjesi dhe i jet përmbas fjala artistike dhe i harrohet shpesh jeta me imtësitë e njeriut të vogël. Por çka len përmbas zhdukjes një diktator?”, pyetet ai: “Ky le gjithçka mbas vetes, por sidomos pasigurinë dhe një mori problemesh që mendohej si ka zgjidhë”.

Fjalia e fundit, përveçse përkufizuese, është dhe parashikuese. Kjo ishte ana e Brendshme e Karpës, sepse e Jashtmja reflektonte “bukuri”. “Duka e jashtme… ka qenë prore e rrejshme ndër ne”, thotë Shkriba (njëri nga personazhet kyç të romanit), “edhe sot ata që kundrojnë katundin tonë për së largu, kujtojnë se kanë parasysh një qytet të përparuem me pallate, bile! Djalli i natës, del shenjt në dritë”.

Romani “Karpa” i Camajt krijon vendin e “djallit”, përmes një mjeshtërie artistike. Struktura e romanit mban gjallë interesimin për ngjarjen. Kurse skenat rrëfehen e përshkruhen si të ishin normale. Kjo e shpëton artin e letërsisë prej deklerativës dhe ideologjisë. Vendin e tyre e zë nënkuptimi. Nënkuptimi në letërsi krijohet nga shenjueshmëria, e cila jep artin universal. Të pranueshëm për çdo lexues, në çdo kohë.

______________________________________________________________________________

1 Mark Marku “Mbi Martin Camajn”, Fjala, 2004, nr 168.
2 Martin Camaj “Letër mbi stilin” (Munchen, 22.8.1989), botuar në “Albanika”, nr 3-4, fq. 172, Ëashington, DC, 20024
3 Qemal Murati “Fjalor i fjalëve shqipe në maqedonishten dhe idiomatikë shqiptaro-maqedonase”, fq. 16. Logos-A, Shkup, 2004
4 “Jeta e re” – Revistë letrare, Prishtinë, 1996, f.121
5 Antiutopia (angl. dystopia) – drejtim i letërsisë artistike dhe kinemasë; në një kuptim të ngushtë antiutopia përshkruan një shtet apo shoqëri totalitare, në një kuptim më të gjerë – çdo shoqëri, në të cilën mbizotërojnë tendenca të zhvillimeve negative. Në letërsi, një ilustrim klasik paraqesin romanet e George Orëell “Ferma e kafshëve” dhe “1984″.
6 Martin Camaj: “Shënime të përgjithshme ‘mbi një varg librash letrarë”, një tekst prej 6 faqesh, i përgatitur prej autorit për të shoqëruar botimin e veprave të plota.
7 Martin Camaj “Karpa”, f.199, “Camaj-Pipa”, Shkodër 2003.
8 Yrjet Berisha “Kategoritë dhe bota e personazheve të Camajt”, “Fjala”, 2005
9 Yrjet Berisha, po aty.
10 Zahrie Kapllanaj “Romanet e Martin Camajt”, Seminari Nderkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare” 28/2, Prishtinë 2009, f. 376

2011-01-07

Ky shkrim asht marre prej faqes gazetastart.com

Copyright 2009 © GazetaStart.com