Kantrimen lexon gabim Shqiperinë

0
45


Nga Andrea Stefani

Mediat vetëm e kanë raportuar, por thuajse nuk i kanë komentuar ato që Tom Kantrimen, zv/ndihmës-sekretar i Byrosë për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, ka thënë në një intervistë për zhvillimet politike më të fundme në Shqipëri. Përse kjo heshtje, aq më shumë nga krahu opozitar, që ka arsye të tregohet i pakënaqur? Sepse, në Shqipëri është krijuar një zakon, sipas të cilit nuk është pragmatike të vësh në dyshim ato që thonë “amerikanët”.

Një zakon që nuk është fare në përputhje as me standardet e demokracisë dhe lirisë amerikane, ku media dhe politikanë nuk lënë pa kritikuar as edhe vetë Presidentin e SHBA-së. Por, aty ku lind një “Zot” i pakritikueshëm, vdes liria e kritikës. Edhe nëse ky “Zot” është një zyrtar i lartë i SHBA-së. Prandaj, duke u qëndruar besnik këtyre standardeve të lirisë, që duam të instalohen edhe në Shqipëri, do përpiqemi të tregojmë se ku gabon edhe një zyrtar i lartë amerikan si Kantrimen.

* * *

Shkak mund të jetë mungesa e informacionit, por në komentet e Kantrimen mbi çka po ndodh në Shqipëri, konstatohen perceptime dhe konkluzione që nuk përkojnë me të vërtetën. Për shembull, Kantrimen pohon se në rastin e djegies së fletëve të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) “ka bërë punën e tij sipas rregullores”. Ndoshta ai nuk do shprehej kështu nëse do ishte informuar edhe për deklaratat e zëvendëskryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi. Dhe sipas Subashit, procesi i djegies së fletëve të votimit është kryer “në shkelje të Kodit Zgjedhor”.

Ndërkaq, zotit Kantrimen duhet t’i bëhet me dije se është tepër e vështirë për opozitën për të marrë pjesë dhe për të dhënë kontributin e saj në KQZ, në një proces që menaxhohet në mënyrë krejtësisht tiranike nga një shumicë që është e vendosur të zbatojë urdhrat e Kryeministrit, edhe duke shkelur Kodin Zgjedhor. Kantrimen këshillon se shqiptarët duhet të jenë në gjendje t’i zgjidhin çështjet “në mënyrë demokratike, me dialog dhe kompromis”. Dhe, sapo kish deklaruar se Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, “sepse përmbushi standardet për një demokraci parlamentare europiane”.

Po si kështu, edhe e paaftë të zgjidhë një krizë me dialog dhe kompromis, por edhe anëtare e NATO-s ngaqë ka përmbushur standardet për një demokraci europiane? Kundërsensi është evident. Dhe, ose Shqipëria është futur në NATO jo aq për standarde demokratike, por për nevoja strategjike të aleancës ose, këto standarde kanë degjeneruar që nga hyrja e Shqipërisë në NATO. Gjë që do qe një kontradiktë në vetvete gjithashtu. Hyrja në NATO të ndikojë për keq në cilësinë e demokracisë?! A nuk është absurde?

* * *

Por ndryshe nga Kantrimen, jo pak vetë që jetojnë në Shqipëri dhe ndjekin zhvillimet politike, por edhe vuajnë koston e tyre, janë të zhgënjyer nga pasiviteti që vetë NATO po tregon lidhur me standardet e rrënuara demokratike në një vend anëtar si Shqipëria. Një opinion i gjerë shpresonte se NATO nuk do interesohej vetëm për trupat shqiptare në Irak apo Afganistan, por edhe do ushtronte natyrshëm presion për më shumë standarde lirie dhe demokracie në Shqipëri. Kjo nuk po ndodh, dhe një autokrat si Berisha po përdor anëtarësimin në NATO si një gjethe fiku “demokratike” për të maskuar aksionet e tij të kapjes së shtetit.

Anëtarësimi në NATO po shërben si një lavatriçe e autoritarizmit berishist. Po ashtu, shumë njerëz në Shqipëri mendojnë se nuk është kriza politike që i ka rrëgjuar standardet e demokracisë, por janë vetë këto standarde të rrëgjuara nga një autokratizëm gjithnjë e më këmbëngulës në pushtet (që vetë diplomatë të SHBA-së i kanë kritikuar kohë pas kohe), burimi i vërtetë i kësaj krize pa mbarim. Është “very nice” të këshillosh që palët duhet të merren vesh, por më parë duhet të kuptosh se njëra palë, Qeveria, kërkon vazhdimisht vetëm të diktojë vullnetin e saj mbi opozitën, jo vetëm duke mos bërë asnjë lëshim, por edhe duke dhunuar të drejtat dhe liritë e opozitës.

Zotin Kantrimen duket nuk e kanë informuar që në Parlamentin e Shqipërisë, shumica sapo ka dhunuar tiranikisht të drejtën që Kushtetuta i njeh pakicës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Është një dhunim që bie në kundërshtim edhe me sugjerimet e Komisionit Europian për të korrigjuar sa më shpejt paaftësinë e demonstruar të Parlamentit për të kontrolluar Qeverinë. Dhe, me se mund të ndalen padrejtësitë e një qeverie, në mos edhe me komisione parlamentare të kryesuara nga pakica?

Apo mos vallë shpresohet se do jetë shumica ajo që do kontrollojë qeverinë e shumicës? Në SHBA ndoshta po, por në Shqipëri ku shumica parlamentare rri sus para Kryeministrit, jo! Ndërkaq, ngritja e këtij komisioni, të detyrueshëm me Kushtetutë, do ishte hapi i parë drejt një bashkëpunimi për një hetim të zgjedhjeve të kaluara, që po nga një rezolutë e Parlamentit Europian, shikohej edhe si premisë për të organizuar punën për zgjedhjet e ardhshme. Dhunimi i të drejtës së pakicës dhe vetë Kushtetutës, për ngritjen e komisionit për hetimin e “materialeve zgjedhore”, është një tjetër sinjal se në Shqipëri po konsolidohet një autoritarizëm putinist që nuk përfill Kushtetutën.

Kjo do të thotë, as më shumë dhe as më pak, pushtet absolut. Dhe, nuk mund të mos habitesh që zotin Kantrimen nuk e kanë informuar fare (besojmë kështu ngaqë nuk flet fare për këtë skandal politik), për këtë dhunim ekstrem! Ndryshe, Kantrimen do ta kish kuptuar se përse opozita e ka tashmë thuajse të pamundur të bashkëpunojë me një pushtet që refuzon edhe një komision hetimor që i imponohet nga Kushtetuta. Që praktikisht, është refuzimi i një zgjidhjeje kushtetuese të krizës. Ne jemi me zotin Kantrimen, që kriza të zgjidhet me konsensus, por ndërkaq pyesim: a mund të ketë zgjidhje më konsensuale se ajo që sugjeron Kushtetuta?

* * *

Në kushtet e sotme, ka vetëm dy rrugë për ta trajtuar krizën. Njëra është që opozita të ulë kokën, të pranojë dhunimin e Kushtetutës, të së drejtës së saj kushtetuese për hetim parlamentar. Kjo do të thoshte disfatë e projektit për një demokraci liberalo-kushtetuese në Shqipëri. Rruga e dytë është që opozita të vazhdojë përballjen me pushtetin autokratik me të gjitha mjetet që ofron demokracia, për të korrigjuar dhunimin që i është bërë Kushtetutës nga një shumicë tiranike parlamentare. Kantrimen porosit që beteja duhet të zhvillohet brenda institucioneve, por nuk i falet të mos shohë se edhe vetë brenda institucioneve (në këtë rast Parlamentit), po ngjizet tirania e shumicës, që sipas Tukëvilit, kërcënonte fatin e demokracisë në SHBA. Zotit Kantrimen, opozita duhet t’i bëjë me dije, e njëjta tirani shumice kërcënon fatin e demokracisë në Shqipëri.

Ndaj besojmë se rruga e përballjes së opozitës me këtë tirani dhe jo nënshtrimi, është në përputhje edhe me standardet e demokracisë dhe lirisë në SHBA, demokraci dhe liri që nuk toleron dhunimin e Kushtetutës nga asnjë pushtet, nga asnjë shumicë, nga asnjë President apo Kryeministër. Liria qëndron tek kufijtë që Kushtetuta u ka vënë pushteteve. Shumica qeveritare ka shkelur kufirin e saj, duke i mohuar pakicës një të drejtë që Kushtetuta e urdhëron. Me këtë akt shumica ka dhënë edhe një provë tjetër të rëndë të një gjakimi autokratik tradicional për Kryeministrin Berisha.

Ndaj, dhe vendosmëria e Qeverisë për të bllokuar hetimin e materialeve zgjedhore duke shkelur edhe Kushtetutën dyshohet, jo pa të drejtë, si pjesë e strategjisë së saj për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme. Dhe, pa institucionalizuar një transparencë që garanton demaskimin e mekanizmit të vjedhjes së votës të instaluar në këto 20 vjet, zgjedhjet e ardhshme nuk do të mund t’i shpëtojnë as ushtritë e mijëra vullnetarëve jopartiakë, që për fat të keq, ekzistojnë vetëm në perceptimet e dezinformuara të zotit Kantrimen për Shqipërinë.