Nga Eduard Zaloshnja, 27 tetor 2012
Nga ç’thonë e ç’shkruajnë, njerzit që dëshirojnë të ndodhë sa më shpejt rotacioni i pushtetit në Shqipëri mund të ndahen në dy grupe. I pari, që duket se është më i madhi, përbëhet nga njerëz që shpresojnë se rotacioni mund të ndodhë pas 9 muajve nëpërmjet zgjedhjeve, pavarësisht manipulimeve të mundshme nga ana e Berishës & Co. Më i njohuri ndër ta është Edi Rama, i cili, pas mbarimit të zgjedhjeve lokale të 2011-ës, deklaroi se nuk do të kërkonte t’i vinte zjarrin Shqipërisë për të rrëzuar Saliun, por do të luftonte që ta hiqte atë nga pushteti me anë të votës.
Ndërsa grupi i dytë përbëhet nga njerëz që nuk besojnë se Berisha mund të hiqet nga pushteti me votë, pavarsisht se sa përpjekje mund të bëjnë opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për të minimizuar manipulimet e Berishës & Co. Më i njohuri ndër ta është Skënder Gjinushi, i cili vazhdimisht deklaron se, për sa kohë Berisha është në pushtet, nuk mund të zhvillohen në Shqipëri zgjedhje që të rezultojnë me rotacion pushteti.
Njerzit e grupit të parë, duke mos besuar se Berisha mund të hiqet nga pushteti para zgjedhjeve, duket se i kanë përqëndruar energjitë dhe fokusimin mendor të zgjedhjet. Secili sipas mënyrës së vet, po punon e shpreson që ato të sjellin rotacionin që aq shumë e dëshirojnë. Dhe pyetja është se ç’alternativë ofrojnë njerzit e grupit të dytë.
Një alternativë është rrëzimi i Berishës në Kuvend. Por që të ndodhë kjo duhet që opozita të paraqesë një kandidat për kryeministër (nëpërmjet një mocioni mosbesimi), i cili të sigurojë të paktën 71 vota në Kuvend. Dhe mendja ta do se opozita i ka bërë përpjekjet që të marrë përkrahjen e 71 deputetëve për një mocion mosbesimi ndaj Berishës, por nuk ia ka dalë mbanë…
Një alternativë tjetër është ajo e protestave masive. Por kjo rrugë u provua për dy vjet pas 2009-ës dhe nuk dha rezultat. Mësimi prej atyre protestave ishte se Berisha nuk pyet prej tyre dhe vetëm kryengritja e armatosur do të mund ta rrezikonte pushtetin e tij para zgjedhjeve të 2013-ës. Por një kryengritje e armatosur do ta çonte vendin pothuaj automatikisht në luftë civile. Dhe për më tepër, një përmbysje e pushtetit me dhunë do të prodhonte një qeveri që me gjasa nuk do të njihej nga komuniteti ndërkombëtar. Në 14 shtator 1998, praktikisht, PS-ja u rrëzua nga pushteti me kryengritje të armatosur, por ndëryrja energjike e komunitetit ndërkombëtar e ktheu në pushtet brenda një nate. (Ndryshe qe puna ne 1997, kur patem nje revolte popullore nga poshte-lart…)
Dhe pavarësisht se partizanët e rrëzimit me dhunë të Berishës i dinë të gjitha këto, vazhdojnë të këmbëngulin se është e kotë që të shpresohet se Berisha mund të hiqet nga pushteti me votë. Duke e ndjerë se janë pakicë në atë që është quajtur me eufemizëm si popull opozitar, ata shpresojnë tek ndonjë Avni Rustem i kohëve moderne, ose te ndonjë grevë urie që mund të bëjë ndonjë grup shoqëror i margjinalizuar. Por as bëhen vetë Avni Rustemë e as dalin në mënyrë masive për të përkrahur ndonjë grevë urie…
Sidoqoftë, njerëzit që parashikojnë se Berisha nuk do të hiqet nga pushteti me votë, ndoshta pa dashje, një punë e bëjnë. Ata e thonë dhe e shkruajnë këtë gjë sa herë të munden e ku të munden, duke ndihmuar kështu që profecia e tyre të kthehet në një profeci vetëpërmbushëse. Sa më shpesh të thonë e shkruajnë këta njerëz se është e kotë të shpresosh për një rotacion pushteti nëpërmjet zgjedhjeve, aq më shumë votues të vakët të opozitës mund të dekurajohen për të vajtur në kutitë e votimit në ditën e zgjedhjeve. Dhe shërbim më i mirë se ky si zor se mund t’i bëhet Berishës…