Një histori me “shit qen e blej këlysh”

1
40

Nga Mero Baze

Disa fakte tronditëse për mitmarrjen dhe harbutllëkun e qeverisë po qarkullojnë prej disa kohësh në mjediset mediatike dhe pritet të bëhen publike këto ditë. Emisioni “Fiks Fare”, i cili pritet të hedhë i pari në treg një regjistrim tronditës ku implikohen figurat më të larta të qeverisë Berisha, duket se ka nxitur kryeministrin Berisha të marrë masat për ndonjë krizë të mundshme të qeverisë. Paralelisht me regjistrimin skandaloz të mitmarrjes së një prej krerëve më të lartë të qeverisë Berisha, nëpër redaksitë e gazetave dje filloi të qarkullojë dhe lajmi se partia e çamëve, bile “çamët e bashkuar”, do të hyjnë në qeverinë Berisha për të qenë garant të mos rrëzimit të saj.

Të dyja lajmet janë tmerrësisht të rënda. I pari, siç do ta shohin vetë shqiptarët, tregon se sa poshtë dhe sa vulgare është qeverisja e kryeministrit Berisha dhe koalicioni i tij me LSI. E dyta tregon se sa banal dhe batakçinj janë ata që keqpërdorin një çështje të pazgjidhur historike dhe një emocion kombëtar duke u kthyer në kamardare shpëtimi për një anije që po fundoset në një pellg të ndotur nga hajduteria më e madhe që ka njohur ndonjë herë ky vend.

Por ajo që dua të theksoj në këtë rast nuk është krahasimi i cilësisë së batakçinjve që kanë hyrë në politikë, por tallja me shqiptarët. Përpjekja për tu dukur të sigurt në numra, kur janë baltosur kokë e këmbë me plaçkitjen e vendit, është një atentat i madh që i bëhet sistemit të lirisë në një vend. Një vend i lirë, dhe sidomos një shoqëri e lirë, nuk mund të pranoj kurrë të fyhet deri në këtë shkallë nga një qeveri e instaluar përmes llogarive financiare.

Pas një beteje mbi një vit e gjysmë për t’iu dhënë mundësia të shikojë votën e saj, opozita shqiptare “detyroi” qeverinë të futej në një spirale të re krimi, duke nxituar të djegë fletët e votimit e të kyçë listat e zgjedhësve në arkivë. Sikundër e keni parë, edhe gjesti i asgjësimit të fletëve të votimit është primitiv. Bëhet me benzinë në anë të një lumi, duke i djegur dhe i groposur ato jashtë çdo standardi ekologjik, ndërkohë që dhe administrata e Enver Hoxhës ka pasur disa brumatriçe letrash, që i grinte në bodrumet e Komitetit Qëndror dhe i çonte shiritat e letrës për riciklim.

Sali Berisha që po na sjell plehrat e Italisë për riciklim në Shqipëri, tmerrohet të riciklojë dhe të asgjësojë sipas standardeve evropiane fletët e votimit, vetëm nga ideja e tmerrshme e rikthimit të tyre në jetë përmes fabrikave të riciklimit. Duke djegur primitivisht fletët e votimit, duke asgjësuar listat e votuesve ku u kap krimi elektoral i Ruzhdijes dhe duke u përpjekur “të shesë qen e të blejë këlysh” në qeveri për të ruajtur 72 vota, Sali Berisha po fyen deri në ekstrem instikitet e lirisë së një vendi, i cili edhe pse liria nuk e ka shoqëruar në gjithë historinë e tij, nuk ka qenë kurrë kaq shumë i poshtëruar nga keqpërdorimi i saj.

Nëse presioni i opozitës për transparencën e detyroi Berishën të bëjë një krim kundër provave të krimit elektoral, presioni publik i të kapurve me presh në duar në pazare milionëshe mund ta detyroj atë të prodhojë situata artificiale qeverisëse duke përdorur paratë e paligjshme të mbledhura nga plaçkitja e vendit për të mbrojtur pushtetin e tij. Ky standard nuk duhet lejuar. Opozita, por jo vetëm ajo, por dhe media e mbetur, e ka për detyrë të krijoj një klimë mbytëse për çdo tentativë për të ri-poshtëruar shqiptarët, me lojën e deputetëve të blerë për të mbajtur në këmbë Sali Berishën.

Pushteti i Sali Berishës është duke konsumuar një vepër kriminale publikisht. Ai po korrupton sistemin, po zhduk përfundimisht zgjedhjet e lira dhe lirinë e medias. Po injoron faktin që shqiptarët votojnë duke ua djegur votat buzë një lumi, dhe po përpiqet të injorojë median që flet, duke e zhurmuar atë me paret e pista të krimit dhe kontrabandistëve të oborrit të Familjes në pushtet. Përballë këtij krimi çdokush që vendos të kundërshtojë me çdo mjet qeverinë, është më i ligjshëm se dhuna politike dhe humbja e lirisë për të pasur një qeveri që na përfaqëson.

Sot shumica e shqiptarëve, përfshi dhe njerëz që e kanë votuar atë, nuk ndjehen të përfaqësuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, dhe as fëmijët e tyre e as nga mbesat e Berishës. Qeveria e Shteteve të Bashkua të Amerikës u kujtoi këtë fundjavë shqiptarëve se ata kanë nevojë për një qeveri të pastër dhe të pakorruptuar. Kjo do të thotë që Sali Berisha, edhe pse përpiqet të shfaqet në ekrane me mbesat e veta të pafajshme për tu treguar çifligun e pushtetit të vet, nuk ja ka mbushur dot mendjen askujt deri më sot që nuk është i korruptuar. Mbi të gjitha nuk na ka mbushur dot mendjen që të ndjehemi të përfaqësuar në pushtet nga mënyra se si ai u tregon mbesave të tij historinë e pushtetit.

1 COMMENT

  1. Nje pershendetje falenderimi Mero Bazes me te verteten…

    Te lumte dora nendja kurajua Mero Baze, me qendrimin atdhetar, qe po shfaqni ne keto situate te veshtira per atdheun tone. Do te thoshia qe heroizmi nuk ka “brire”.

    Heronjte e fjales se shkruar si Juve jane te paket. Hallal qumeshti nenes themi ne te moshuarit. Mos u tut se me te vertetat e Tua i ben mire shoqerise sone, fatkeqesisht uzurpuar pushtetet.

    Me sa lexuam sot per ate korrupsionin e fundit te METES zv/kryeminister, duket se se shpejti do te shpetojme nga kjo keq qeverisie koruptuar.

    Jemi larg atdheut dhe te vertetat tuaja me shoke, qe te themi te drejten jane te paket kurajoze, na shtojne jeten sa besimin se ai vend ka bij e bija te verteta, qe i dalin zot. Ketu ne emigracion tej oqeanit, keni mbeshtetes te penes suaj sa te mediave vertet te pavarura qe jane pak.

    Fjala Top dhe shoke pas.

    Guri Naimit D

Comments are closed.