
Albin Kurti
Nuk ka zhvillim ekonomik pa koncentrim të kapitalit. Kosova është vendi ku kapitali qarkullon teksa koncentrohet gjetiu. Por kjo nuk do të thotë që Kosova është vend i dekoncentrimit të kapitalit. Sepse dekoncentrimi i kapitalit rezulton me koncentrime të vogla. Kosova është veçse vend i qarkullimit të kapitalit – vend ku kapitali vjen për të mos mbetur.
Mesatarisht gjysmë miliardi euro në vit është kapitali që hyn në Kosovë nga mërgata jonë. Për çdo muaj qindra mijëra nga familjarët tanë prej Perëndimi sjellin në Kosovë dhjetëra milionë euro për të ndihmuar familjet e tyre. Ata që dikur e mundësuan luftën çlirimtare, sot janë kushti i paqes sociale në Kosovë. Ata punojnë ditë e natë pa pushim, kurse pushimin e tyre e bëjmë ne në Kosovë. Ata s’kanë kohë për pauzë të kafes, porse në Kosovë ka kafe pa fund me njerëz që pauzojnë pa pasur punë.
Shpejtësia me të cilën ky kapital i mërgatës nxirret jashtë Kosovës është e krahasueshme me shpejtësinë me të cilën ky kapital arrin në Kosovë. Sepse deficiti tregtar është i krahasueshëm me vetë buxhetin e Kosovës. Kosova importon mallra dhjetëfish më shumë sesa eksporton. Protektorati ndërkombëtar na e pati premtuar ekonominë e tregut, mirëpo ne përfunduam në treg pa ekonomi. Në Kosovë s’para prodhohet gjë. Prodhuesit e vegjël nuk i ndihmon shteti dhe i rrjep pushteti.
Pjesa më e madhe e investimeve publike shkon në infrastrukturë. Asfalt gjithandej Kosovës për qarkullim sa më të mirë. Thuajse ne duhet të jetojmë në rrugë duke qarkulluar e pa u ndalur. Po u ndale – mjerim, po qarkullove – parajsë. Kapitali që qarkullon pa ndalim sikur imitohet prej njerëzve. Dhe, për të qenë imitimi i plotë na nevojitet edhe liberalizimi i vizave. Sepse kapitali del vazhdimisht jashtë Kosovës, për dallim prej njerëzve që vazhdimisht mbesin brenda saj.
Me investimet publike enorme në infrastrukturë qytetarët inkurajohen t’i braktisin banesat e tyre pa ngrohje dhe pa energji elektrike, pa ujë dhe pa parqe të gjelbëruara, për të blerë kamp-shtëpiza si rimorkio veturash me të cilat do të mund të qarkullojnë nëpër asfaltin gjithmonë fringo të ri anekënd Kosovës. Aty do të mund edhe të ushqehen e të flenë, pasi të jenë parkuar përkohësisht nëpër shiritat anësorë të autostradave. Me këtë logjikë, mirëqenia e qytetarit është reduktuar në mirëqenie të udhëtarit. Gjersa udhëtojmë nga një vend në tjetrin do të ketë rehati e luks, sepse nuk do të ketë gropa në rrugë dhe udhët do të jenë të gjera. Po u ndale ndokund, vaj halli. Prandaj, nuk duhet të ndalesh. Duhet të qarkullosh vazhdimisht dhe pafundësisht. Aktualisht Kosova ka katërfish më shumë pompa të benzinës sesa i nevojiten. Por, kur qytetarët do të qarkullojnë pandërprerë dhe masivisht, atëherë pompat e tepërta ndoshta do të dalin të jenë edhe mangët. Do të duket që pompat e shumta nuk ishin pasojë e kurrfarë mungese planifikimi, por mishërim vizionar i frymës së kohës. Jo nxënës e studentë, jo prodhues e punëtorë, jo arsimtarë e mjekë. Dhe jo shkolla e spitale, jo fabrika e qendra kulturore, jo kullosa e pyje. Vetëm shoferë e bashkudhëtarë të këtyre shoferëve. Makina që qarkullojnë pa pushim në asfaltin e lëmuar që shtohet gjithandej Kosovës. E këtillë është ardhmëria sociale dhe ekonomike e vendit tonë.
Regjisori dhe filozofi meksikan, Manuel de Landa, i frymëzuar nga Gilles Deleuze, bën një dallim interesant ndërmjet shtetit kombëtar dhe metropoli(si)t. Shteti i një kombi ka të bëjë me kontrollin e territorit dhe kufijve të territorit. Metropoli ka të bëjë me kontrollin e trafikut dhe të fluksit. Shtete të kombit janë shumica e shteteve të Europës si Gjermania, Italia e Franca. Metropole janë Amsterdami, Hong Kongu e San Francisko. A nuk i përngjan Kosova jonë shumë më tepër një metropoli ku kemi qarkullim dhe kontroll të trafikut sesa një shteti ku kontrollohen kufijtë dhe territori? A nuk është Kosova një këso zone e ‘deterritorializuar’ me polici që mbikëqyr trafikun dhe pa ushtri që do ta mbronte territorin dhe kufijtë e tij?
Shqetësimet për trafikimin në Kosovë janë absurde. Kosova s’është fare vend duke qenë vend trafiku. Si një aeroport i madh me check-in e check-out, ku të gjithë vijnë e askush s’rri. Shumë më saktë është të thuhet që Kosova është vend transit sesa që shoqëria kosovare është shoqëri në tranzicion. Madje, nëse kishte diçka që mungoi në Kosovë është pikërisht tranzicioni socio-ekonomik: prej socializmit vetëqeverisës, me rregullore të UNMIK-ut, kaluam direkt në kapitalizëm neoliberal. Nuk pati kurrfarë tranzicioni në formën e ndonjë procesi të lëmueshëm të kalimit gradual prej një shkalle në tjetrën. Ankesat për tranzicion të stërzgjatur janë lajthitje: nuk mund të përfundojë diçka që nuk ka filluar.
Vetë Kosova, pra, është një këso metropoli, por ama një metropol disi rural. Ngado që të udhëtosh nëpër Kosovë gjithandej sheh shtëpi banimi dhe askund nuk mund të shohësh natyrë; nuk sheh shumë tokë bujqësore të punuar, por as vendbanime të urbanizuara. Pra, nuk sheh me tamam fshatra, por as tamam qytete. Një përzierje e çuditshme që e bën gjithë Kosovën t’i ngjajë një paralagjeje të madhe të një qyteti që mungon.
Kryeqytet kanë shtetet kombëtare. Kryeqytetet janë vende të grumbullimit. Prishtina nuk është kryeqytet. Sepse Kosova është metropol rural. Prishtina është pikë grumbulluese, por në masën në të cilën kjo është e nevojshme që Kosova të mos jetë pikë grumbulluese. Pushteti në Prishtinë aq shumë e ka decentralizuar territorin mbi baza etnike e partiake saqë e ka ‘deterritorializuar’ Kosovën, ndërkaq, në anën tjetër, e ka centralizuar paranë e Kosovës mbi baza klanore e të cilën, megjithatë, e nxjerr me shpejtësi jashtë vendit.
Kosova e këtillë ka vija të rrjedhës dhe jo vende të grumbullimit. Ka linja të transportit e jo lokacione të destinimit. Depot e magazinat nuk mbledhin, por mbledhin për të shpërndarë sa më shpejt. Elementi që duket i kundërt për nga karakteri me tërësinë është aty për ta rritur eficensën e trafikut që paraqet vetë tërësinë. Me shprehjet e Deleuze, trafiku është ‘trupi pa organe’, ose edhe një organ i vetëm, por i asnjë trupi që do ta përmbante atë.
Nga 32 kamionë që i numërova përgjatë rrugës Prishtinë-Pejë vetëm katër a pesë sosh ishin me targa të Kosovës. Të tjerët ishin nga Serbia, Maqedonia apo Mali i Zi me shkurtesat e qyteteve të atjeshme: NI, KV, NP, BG, SK, PG… Kishte disa kamionë edhe nga Greqia e Turqia. Asfalti ynë i rrugëve kombëtare, përderisa nuk kemi fabrika prodhuese kombëtare e as kontroll të territorit e kufijve shtetërorë, është në shërbim të fabrikave të shteteve të tjera të kombeve të tjera. Kosova është bërë si një kazino ku vijnë paratë për të shkuar me shpejtësi. Pa sovranitet për shtetin, pa prodhim për ekonominë dhe pa kufij për territorin. Vetëm me trafik mbi asfaltin pa kufi.
Viti 2010, në të vërtetë, ka zgjatur shumë. Ai ka filluar më 1999-n. Viti 2011 duhet të jetë jo vetëm fundi i një viti, por fillimi i një periudhe tjetër: i popullit subjekt, i shtetit sovran, i shoqërisë së mirëqenies dhe i ekonomisë së zhvilluar. Le të na bashkojë kjo përpjekje.
Gëzuar!







