
Nga Mero Baze, 8 janar 2011
Një organizatë veteranësh, që përfaqëson ish- ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë kërcënime verbale ndaj një gazetari të njohur në Kosovë, Halil Matoshi, për shkak të qëndrimit të tij kritik kryesisht ndaj kryeministrit Hashim Thaçi, me të cilin identifikohen politikisht këta “veteranë”. Kërcënimi ndaj Matoshit pasoi fjalorin e rëndë ndaj liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili u etiketua si “spiun i Serbisë”.
Sulmet ndaj një gazetari kritik dhe ndaj një lideri opozitar, kur vijnë me adresë të qarta nga garniturat e pushtetit, janë një lakmues i keq për degradimin e demokracisë në një vend. Në momentin delikat që po kalon Kosova, nga demonizmi që i është bërë nga media botërore raportit të Dik Martit, ndihmuar dhe nga reagimi foshnjor i shqiptarëve, një sinjal i dytë i këtij lloji është një noterizim i akuzave në shumicë të pavërtetueshme të atij raporti.
Për një perëndimor që ka dyshimet e veta për pamjen makabër me të cilin vizatohen disa klane të UÇK-së në atë raport, kur dëgjon se të njëjtat klane po kërcënojnë me mbyllje goje dhe dhunë verbale ndaj kritikëve të kryeministrit Thaçi, kanë shumë herë më tepër arsye të besojnë atë çfarë u ka mbetur në mendje nga fushata më e egër ndërkombëtare kundër Kosovës që ka ndodhur ndonjëherë.
Nëse do të futeshim për një moment në logjikën e akuzuesve të kolegut tim Matoshi apo opozitarit Albin Kurti, pra nëse do të më lejonin qoftë dhe për një sekondë të mendoja me logjikën e tyre, tani duhet të isha duke shkruar se këta veteranët e UÇK-së janë bashkëpunëtorët më të mirë të serbëve, pasi po vazhdojnë tu japin atyre argumente përse mund të kenë ndodhur vrasje të tilla gjatë luftës dhe përse disa klane të UÇK kanë qëndruar pas vrasjeve politike. Por unë nuk do t’ia lejoj vetes të mendoj si ata, dhe jam fare i qartë se ata e bëjnë këtë turp thjesht si njerëz që nuk dinë ç’bëjnë.
Të pafuqishëm të përballojnë debatin politik, të pafuqishëm për të përballuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, të pazotë për të konkurruar për një shoqëri të hapur dhe demokratike, dhe mbi të gjithë të paaftë për një shoqëri konkurruese, ata po ngjizin pa vetëdije, bile në mënyrë të sinqertë, në Kosovë disa koncepte fashiste për raportin mes individit dhe lirisë. Ata kanë filluar të justifikohen për rrallimin e oksigjenit për lirinë e medias dhe liritë politike në Kosovë, siç justifikoheshin në gjyqin e Nurembergut krerët nazistë, të cilët donin të konsideroheshin të pafajshëm për shkeljen e lirive, pasi ata ishin sjellësit e lirisë në Gjermani.
Liria e prodhuar nga lufta e UÇK-së dhe ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë është liria më simbolike e njerëzimit, pasi ajo është dhe ndoshta për një kohë të gjatë do të mbetet e vetmja luftë botërore për të drejtat njerëzore në botë. Asnjëherë NATO dhe Perëndimi nuk kanë rrëmbyer avionët dhe nuk kanë dërguar ushtritë në një front, në emër të lirive njerëzore. Lufta e Perëndimit për çlirimin e Kosovës ndërroi konceptin për sovranitetin e një vendi, pasi provoi se një shtet mund të humbasë sovranitetin e tij të dhunshëm mbi një territor, nëse është i paaftë të respektojë liritë themelore të atyre qytetarëve.
Unë e di që disa nga ata që quhen sot veteranë të UÇK, edhe pse në moshë të re, ndjehen të lodhur nga këto leksione dhe i bien shkurt, duke u përpjekur t’i mbyllin gojën gjithkujt. Kjo është një kulturë që fatkeqësisht në Kosovë zuri rrënjë bashkë me përpjekjet e disa klaneve të UÇK, për të dominuar politikisht luftën dhe për të vjelë prej saj frytet e pushtetit. Sot në Kosovë në mënyrë të paprecedentë janë ende të pahetuar dhe të pagjykuara të gjitha vrasjet delikate me karakter politik, ku përfshihen gazetarë, këshilltarë politikë apo dhe figura politike.
Mos-hetimi i tyre dhe mos-dënimi i askujt për ato krime, ka krijuar një kulturë të së drejtës për të vrarë dhe dhunuar fizikisht apo verbalisht kundërshtarin. Shumë gazetarë në Kosovë, por dhe në Shqipëri, heshtën kur ato krime ndodhën në emër të “imazhit” të Kosovës, por sot ky imazh po rrënohet jo aq shumë se ato krime ndodhën, por se ato krime nuk u hetuan dhe nuk u gjykuan kurrë, duke na ekspozuar para botës si një shoqëri tribale.
Trimërimi i njerëzve të tillë, që kërkojnë t’u mbyllin gojën gazetarëve kritikë, si Matoshi apo opozitarëve si Kurti, nuk është e rrezikshme se mund të rrezikojë jetët e atyre që po sulmohen, por është e rrezikshme se po shërben si argument për të gjithë ata që duan të besojnë se Kosova është një vend ku krimi dikton politikën dhe median. Ky është një problem i madh dhe serioz, përtej fatit fizik dhe politik të Halil Matoshit dhe Albin Kurtit.
E di që ngjarje të tilla ndajnë shoqërinë dhe gjenden plot njerëz që thonë se Matoshi e meriton drurin, apo Albin Kurti plumbin, por Kosova nuk e meriton këtë turp. Ndjellësit e dhunës së re politike në Kosovë janë ndjellësit e rinj të fatkeqësisë së Kosovës dhe ne duhet t’i ndërgjegjësojmë ata, edhe nëse besojmë realisht se e bëjnë ngaqë s’dinë të bëjnë gjë tjetër në jetë, veç të vrasin dhe kërcënojnë.







