Preç Zogaj, 06.01.2011
Përafrimi i pozicioneve është kushti dhe standardi i çdo negociate të suksesshme për zgjidhjen e një krize.
Sot, kur Shqipëria politike po futet në të panjohurat e dështimit të madh për zgjidhjen e krizës dhe kur horizonti politik duket më i zymtë se më parë, do të ishte e detyrueshme që Berisha dhe Rama të tregonin para publikut hapat që kanë hedhur dhe lëshimet që kanë bërë për të shkuar drejt marrëveshjes.
Në të vërtetë, përveç premtimeve boshe dhe lëvizjeve “pe gjase”, sa për të kaluar radhën, Berisha nuk ka çfarë të tregojë; realisht ai nuk ka hedhur asnjë hap konkret përpara në shërbim të kompromisit. Por nuk është mjaftuar as të rrijë vendnumëro, ama. Ka lëvizur, por prapa. Ka hedhur hapa, por prapa!
Ka ndodhur një gjë e panjohur dhe e padëgjuar me krizën shqiptare. Megjithëse ka pasur një ndërmjetësim intensiv dhe të kualifikuar ndërkombëtar, megjithëse kërkesa për hetimin e zgjedhjeve është shprehur në nivelin e një rezolute të Parlamentit Europian, megjithëse miqtë dhe partnerët ndërkombëtare janë investuar pa pushim për afrimin e palëve, distanca mes tyre ka mbetur gjithnjë e pandryshueshme për arsye se çdo hapi përpara të opozitës, qeveria i është përgjigjur me një hap prapa.
Opozita ka lëshuar e ka lëshuar, derisa ka përfunduar në pozicionin e vjetër të qeverisë. Por edhe atje opozita nuk është takuar dot me qeverinë, sepse, ndërkaq qeveria është zbythur në pozicionin e mohimit të çdo lloj hetimi që ka lidhje me zgjedhjet.
Shprehja grafike e lëvizjes së palëve në fushën e krizës shqiptare, ku qeveria largohet sapo opozita afrohet, është fotografia tragjikomike e krizës dhe krizave që kërcënojnë zgjedhjet dhe demokracinë në vendin tonë.
Më thoshte këto ditë një intelektual i pavarur: Qeveria që kundërshton pa pushim “nuk lejohet, nuk lejohet” ka detyrimin t’u thotë opozitës, publikut dhe ndërkombëtarëve se çfarë lejohet. Çfarë lejohet të hetohet, sipas saj? Pretendim i drejtë, i hollë. Por kam frikë se në këtë historinë e hetimit të zgjedhjeve qeveria “di” një gjë që të mos hetojë asgjë, asnjëherë, në asnjë mënyrë.
Kaq e vërtetë është kjo, sa duke dashur të mbulojë me gjethe fiku akrobacitë e veta të pajustifikueshme, kryeministri i ka vënë kazmën vetë Ligjit organik për hetimin parlamentar; ka hedhur nga vaska bashkë me ujin edhe foshnjën.
Po të ishte ndërtuar ligji i hetimit parlamentar sipas “parimeve” të fundit të Berishës, ku shumica vendos se kush quhet fakt dhe kush quhet dyshim, se çfarë janë faktet që mund të hetohen dhe çfarë janë dyshimet që nuk mund të hetohen, hetim parlamentar nuk do të kishte më në Shqipëri dhe demokracia do të privohej nga një mjet i pazëvendësueshëm i transparencës dhe kontrollit parlamentar.
Nuk mund të ketë kurrë më hetim parlamentar nëse i duhet marrë dora shumicës edhe për pikat dhe presjet e projektit të paraqitur. E kemi thënë edhe më parë dhe e përsërisim se hetimi parlamentar është e vetmja dispozitë kushtetuese dhe i vetmi ligj organik ku pakica merr atribute shumice në kuptimin që pakica nuk mund të pengohet me forcën e kartonëve të hetojë një çështje të caktuar apo mënyrën e zbatimit të ligjeve që nxjerr vetë Kuvendi. Ligji për hetimin parlamentar është mjeti i opozitës.
Opozita shqiptare sot është thirrur në kauzë të mbrojë parimin kushtetues të hetimit parlamentar nga marrja peng dhe nga deformimet që i ka bërë e vazhdon t’i bëje shumica, qeveria, kryeministri.
Kryethagma e fundit e kësaj fushate të shpëlarë, që vazhdon që prej një viti, është loja e fjalëve me fjalët “fakt” dhe “dyshime”. Kryeministri Berisha s’pushon së përsërituri se nuk mund të pranojë të hetohen dyshime dhe se kërkesa e PS-së nuk referon asnjë fakt.
Diskutimet se ku mbaron dyshimi dhe ku fillon fakti në një hetim parlamentar, mund të tirren deri sa të kemi frymën. Juristët, dhe jo vetëm ata, qeshin kur dëgjojnë sa “kategorik” është Berisha në këtë pikë. Ky, sigurisht, ngatërrohet me qëllim në një debat shterpë.
Komisionet hetimore ngrihen për një çështje të caktuar. Jo për një fakt të caktuar, por për një çështje të caktuar. Këtë e dinë gjithë deputetët. Nocioni “çështje” është i gjerë dhe përfshin edhe faktin, edhe dyshimin, edhe indicin, edhe interesin publik.
Të gjithë komisionet e derisotme janë ngritur për çështje të caktuara. Ligji e ka zgjidhur në favor të parimit dhe dëm në të… këtë problem. Për ta bërë edhe më konkret shpjegimin le t’i referohemi raportit të OSBE-ODHIR-it për zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Në listën e gjatë të parregullsive që ka evidentuar ky raport janë edhe këto: Numërimi i keq dhe shumë i keq në një të tretën e vendit, përdorimi politik i administratës dhe i fëmijëve të shkollave, zhbalancimet në Televizionin shtetëror në favor të qeverisë, mungesa e transparencës në financimin e fushatave.
Ka edhe të tjera. Të gjitha këto janë në kundërshtim me kartën e Kopenhagenit për zgjedhje të lira. Në Shqipëri janë fenomene që përsëriten nga zgjedhjet në zgjedhje. Raporti në fjalë i evidenton këto dukuri, por nuk shkon më tej.
Çfarë e pengon Kuvendin e Shqipërisë të hetojë se cilat pika të Kodit dhe Udhëzimit për numërimin janë shkelur në një të tretën e qendrave të numërimit? Mos vallë e pengon diskutimi pa kokë dhe pa bisht se çfarë është fakt dhe çfarë është dyshim? E bëri veza pulën apo pula vezën?
Aspak. Hetimi i kutive në qendrat e shënuara me “keq” dhe “shumë keq” nga vëzhguesit ndërkombëtarë, do të çonte në krijimin e një përfytyrimi të saktë për natyrën e shkeljeve, për personat përgjegjës e të tjera e të tjera. Minimalisht, këto persona nuk mund të caktohen sërish numërues.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për parregullsitë e tjera.
Argumenti s’ka vend aty ku thjesht nuk duan. Së shpejti, me kalimin e pushimeve të dimrit, qeveria shqiptare do të duhet të shpjegohet me Europën dhe SHBA për qëndrimet tallëse në lidhje me krizën njëvjeçare. Deri atëherë, qeveria ka ende pakëz kohë për të udhëhequr zgjidhjen në vend të konfliktit.