Dick!

0
50


Arian Galdini, 06.01.2011

Dhurata më e molepsur që na u bë neve shqiptarëve për festat e fundvitit, krahas batak-politikës së ‘udhëheqësive ramizoshente’ të majta e të djathta të këtyre 20 viteve postkomunizëm e tranzicion lëngues për në demokraci, ka qenë pa asnjë mëdyshje raporti i senatorit zviceran, Dick Marty. Aq e molepsur ka qenë kjo dhuratë, saqë një miku im deputet konservator britanik, ndërsa bisedonim në një nga kafenetë e Portcullis, pjesa e re e Parlamentit britanik, pak ditë pas publikimit të raportit më tha plot shqetësim: ”Kam frikë se Perënditë dashakeqe jua hodhën ‘mollën e sherrit’ juve shqiptarëve dhe jua prishën festën”.

Miku im, e njëkohësisht mik i sinqertë i kauzës sonë kombëtare, i druhej mundësisë së hapjes së një loje të ashpër për pushtet, sidomos duke pasur parasysh situatën delikate paszgjedhore, ku ndër të tjera liria dhe drejtësia e zgjedhjeve të para politike në Kosovën e pavarur ishin ekzekutuar pa gjyq, ashtu sikurse ka së paku 14 vite që ndodh edhe në Shqipëri. Shqetësimi i dukshëm që pikasej lehtazi në plotësinë dhe intensitetin e vështrimit të mikut tim, më la krejt të pafjalë dhe më zhyti në hone të thella reflektimi.

U largova nga takimi i përhumbur dhe nuk po e ndieja se ndërkohë ia kisha nisur të rendja gati-gati me galop drejt zyrës së një miku tjetër, për të përfituar aty nga mundësia që të shfrytëzoja njërin prej kompjuterëve, që sikurse e bukurthonë në Kosovë, të kyçosem në internet. Ia nisa me gazetat e Kosovës, e më pas ato të Shqipërisë, shtypin ndërkombëtar, e kështu me radhë. Ankthi që më kishte kapluar deri në momentet para se të ulesha në atë poltron të parehatshëm të njërës prej asistenteve në zyrën e njërit prej njerëzve më influencë në politikën britanike, filloi zbaticën emocionale duke ma tharë kureshtjen e thelluar habinë.

Politikanët e Kosovës, partitë politike në Kosovë, institucionet shtetërore të Kosovës, mediat e Kosovës, politikanët e Shqipërisë, partitë politike të Shqipërisë, institucionet e Shqipërisë, mediat e Shqipërisë, partitë politike shqiptare në Maqedoni e kështu me radhë, të gjithë së bashku, pa asnjë përjashtim, si kurrë më parë, për asnjë çështje më parë, ishin të njëzëshëm në reagimin e tyre kundër raportit të Dick-ut. Befasia ime e asaj dite ia nisi një udhe të ditëpasditshme, ndërsa reagimet e ‘patriotëve të mëdhenj’ ngrinin brenda meje tallaze shastisjeje nga një realitet i sapozbuluar shqiptar, që më e pakta mund të konsiderohet si psikoedelik.

Më tutje, i sapozbritur në aeroportin “Nënë Tereza” u përballa me zemëratën e babait tim, ish-oficer i nderuar në Ushtrinë Shqiptare, i cili, ndërsa kishte dalë të më priste, nuk u kujdes fare të më pyeste se si i kisha kaluar këto dy javë e gjysmë jashtë Shqipërisë, por menjëherë zbrazi drejt meje të shara të forta me të mbara e të prapme për anti-shqiptarin, pro-serbin, të çmendurin, të ligun e të ligjve Dick Marty. E njoh atdhedashurinë e sinqertë dhe ëndrrën e madhe dhe të kahershme për bashkim kombëtar të babait tim, por kësaj radhe vështrimi i ashpër plot zemërim dhe indinjatë patriotike i njeriut që më ka bërë kokën, më bëri të strukem në sediljen e parë të makinës e ta hulumtoj çdo fjalë që ai nxirrte nga goja, plot kërshëri, por edhe me harlisje humori.

Tradhtia që më bënte mua buzëqeshja e pakontrolluar ndërsa im atë shfrente e lebetiste kundër Dick Marty-t, ia ftohu vështrimin dhe për një hop zëri i tij metalik filloi të kumtonte ironi e mërzi ndaj meje. E në çastin që mbërritëm në shtëpi e unë po bëhesha gati të zbrisja nga makina, babai më bën pyetjen fatale: ‘Po ti që ke gjakun tim, a ndihesh ndopak i fyer dhe lënduar nga ky raporti i këtij zviceranit të marrë, apo jo’? Ktheva kokën, ia ngula sytë fort tim ati, iu avita për ta përqafuar dhe lehtazi i pëshpërita: ‘Ka qenë rrugë e gjatë, jam i lodhur. Kemi kohë të flasim për këto gjëra kaq të rëndësishme’.

Mrrolja e fytyrës më rrëfeu se babai im nuk e pëlqeu thjeshtësinë e përgjigjes sime. Më tej ditët e tjera në mëmëdhe më çakërdisën me bisedat patriotike anti-Dick që dëgjoja nga tavolina në tavolinë, kafe pas kafeje, mik pas miku. Televizionet, gazetat buçisnin e buçasin plot pathos patriotik kundër Dick-ut. Më në fund, mbrëmjen e së hënës së fundit të 2010, ndërsa ndiqja batak-teatrin parlamentar, që në pandehmën time ishte thjesht sendërtimi i pareshtur i një kronike të një dështimi të paralajmëruar, vendosa t’i bëj telefonatë deputetit konservator britanik, mikut tim, me të cilin kisha bërë bisedën e parë për raportin e Marty-t. ‘Frika jote nuk gjen terren as në Shqipëri, e as në Kosovë, miku im, – i thashë. – Ke frikëra të shëndetshme ti, por këta, frikërat i kanë tjetërsoj.

Nëse ka qenë e tillë, dashakeqësia e Perëndive me raportin e Dick-ut nuk ka prishur festën, por ka trazuar ndërgjegjet. I ka bashkuar frika e ‘sojit në rrezik’ dhe janë bërë të gjithë bashkë, e të gjithë janë strehuar në një patriotizëm të pashoq’. Nga ana tjetër e telefonit pati pak heshtje, e më tutje ia behën fjalët që unë i prisja plot ngazëllim: ‘Kanë frikë. Frika i ka bërë bashkë. Ka nisur të trokasë një kohë e re në Ballkanin Perëndimor. Kush i ka lyer duart me zullume, nuk mund të vazhdojë të mbajë peng demokratizimin dhe europianizimin e vendit të vet.

Kanë frikë nga raporte e reagime të tjera nga institucione serioze perëndimore, që mund të nxjerrin në pah të dhëna e fakte për përfshirjen e zyrtareve dhe politikanëve të Ballkanit Perëndimor në punë të pista. Ndryshimi po troket’. Mbylla telefonin, dëgjova batuat e fundit në Parlament, ndërkohë që klon-deputetët e PD-së dhe PS-së lexonin fjalimet e parapërgatitura në zyrat e partive përkatëse, duke sharë në mënyrë uniforme njëri-tjetrin dhe lëvduar po kësisoj ‘udhëheqësin e pagabueshëm dhe të lavdishëm’ përkatës, dhe pasi u sigurova se nuk do të më çudisnin me ndonjë marrëveshje të mundshme, fika televizorin e rashë të fle.

Pak fjalë kam sot. Dick-u i poshtër na e bëri raportin. Por, nëse ne shqiptarët e mirë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të Zi, qëmtojmë për merak ndërgjegjet tona, a nuk gjejmë ne tek fjalët e Dick-ut, fjalë e akuza, baltë e llum që ne ia kemi thënë vetë pa asnjë kursim njëri-tjetrit? Në fund të fundit, Dick-u, si anti-shqiptar e pro-serb që qenkërka, nuk ka bërë as më shumë e as më pak, por punën e tij si i tillë. Dhe, duket se e ka bërë mirë, efektivisht e plot zell punën e tij prej përbaltësi të imazhit të shqiptarëve. Po ne vetë?

Ne, që Dick-u na bëri të dëshmohemi plot pathos si ‘patriotë të ekzaltuar’, sa pro-shqiptarë jemi në të vërtetë? Sa pro-Kosovë, pro-UÇK, pro-shtet kosovar, pro-Shqipëri, pro-shqiptarëve të Maqedonisë, pro-shqiptarëve të Malit të Zi, pro-institucione, pro-demokraci, pro-liri, pro-sipërmarrje të lirë, pro-zgjedhje të lira e të ndershme në Kosovë e Shqipëri, jemi? Nëse Dick-u që na përbalt qenka pro-serb e anti-shqiptar, po ne shqiptarët e mirë që kemi 20 vite që artin e përbaltjes ndaj njëri-tjetrit e kemi kthyer në mënyrë jetese, në modën e ditës, në monedhën e vetme funksionuese, ne çfarë jemi?

Asgjë nga ato që ka thënë Dick-u nuk ka qenë jashtë fjalorëve të akuzave e përbaltjeve që ne ia kemi përplasur turinjve e pas shpinës, në foltoret e Parlamenteve, mbledhjet e qeverive, mikrofonat e televizioneve dhe zibojën e gazetave, njëri-tjetrit. Unë nuk e di fare nëse Dick-u i beson ato që shkruan, nuk e di e as më intereson fare qëllimi i Dick-ut, sepse unë besoj fort në parimin se ashtu si 100 lepuj nuk bëjnë dot 1 luan, ashtu edhe 100 dyshime nuk bëjnë dot një fakt. Por, unë e di se këtu nuk është standardi i Dick-ut që duhet të diskutohet me fjalime e analiza prej patriotësh të rrejshëm. Këtu është standardi ynë, që na gremis kur ballafaqohet me të vërtetat e hidhura.

Raporti i Dick-ut është një asgjë e madhe, nëse ne e krahasojmë me marrëzinë 20- vjeçare luftë prej barbarësh për pushtet, përplasje, konflikte, kriza të pareshtura, përbaltje, mohim, përçmim, tirani shpërfilljeje, batërdi elektorale, vjedhje të shtetit, vjedhje të privatit, vjedhje të votave, dehumanizim të kundërshtarit politik, korrupsion politik, financiar dhe moral, agjiprop mediash të palira, bjerrje të lirisë e demokracisë, arrestim të hapësirave publike, vrasje të konkurrencës së lirë, murosje të virtyteve dhe talentit, ngritje në sistem të amoralitetit, servilizmit, uniformimit, bindjes etj. Strehimi në patriotizëm të rrejshëm nuk është se na e ndreq situatën e amullt, dekadente dhe shpresëvrasëse ku na ka kandisur mosndergjegja politike, sociale dhe morale e ‘udhëheqësive’ tona të majta e të djathta.

Shqiptarët e moçëm thonë: ‘Nuk mbulohet dielli me shoshë’, ne sot nëse duam të nisim një proces të sinqertë transformues, ndërgjegjësues dhe çlirues, mund të njëmendësohemi, ndërsa themi plot dinjitet se nuk mund të mbulohen zullumet me patriotizëm të rrejshëm. Koha për ndryshim po troket në Ballkanin Perëndimor. Liria dhe shpresa janë në veprim. Koha e re volit që beteja për dinjitet e shqiptarëve të pikësynojë pa asnjë ngurrim de-gansterizimin dhe de-putinizimin e politikës dhe institucioneve në mënyrë që virtyti, talenti dhe liria ta bëjnë punën e tyre perëndimizuese.