Kur të jep mend dhe Taçi… e kur Vjollca Vokshi bëhet perëndi

0
58

Mimoza Dervishi, 06.01.2011

Taçi është një biznesmen qeveritar, shoqërues i “parë” i Liri Berishës, pronar i një televizioni pa zë në Tiranë, por mbi të gjitha është një njeri që ka goditur një koleg gazetar vitin që shkoi në prani të dy kolegëve të tjerë. Kjo ngjarje më detyroi të shkoja në protestë para Kryeministrisë bashkë me 400 kolegë dhe njerëz të shoqërisë civile. Aty dëgjoja që nëse ndonjë gazetar nuk ishte prezent, kjo ndodhte sepse kishte marrë ndonjë 2 mijë lekësh nën dorë nga ky person, në formën, të kuptohemi, të reklamës për gazetën përkatëse. Protesta jonë ishte kundër dhunës ndaj gazetarëve, dhunës që ushtrojnë njerëzit pranë pushtetit, e cila mua, që në atë moment kthehesha në Shqipëri pas 10 vitesh, më goditi shumë herë më keq sesa ajo dhunë e ngjashme që kisha provuar kur kisha lënë Shqipërinë. Ndaj, revolta ime ishte dyfish.

Kur para dy javësh botova në “Shqip” artikullin: “Media si fatkeqësi natyrore”, e vetmja gjë që nuk kisha parashikuar, ishte që mbi llumin ku është zhytur media, kaq shpejt do lulëzonin analistë të “rinj” dhe “ikona” të vjetra.

Taçi është një i tillë, që na shfaqet në formë editorialesh tashmë në gazetat kryesore të Tiranës. Pa i hyrë pasurisë së dyshimtë të tij, mua më mjafton fakti që ky njeri fare afër pushtetit godet gazetarin Mero Baze, më kritikun ndaj zullumeve të qeverisë sot, për t’ju thënë se ky është një turp që nuk mbahet. Sikur të kishte kërkuar ndjesë dhe të shfaqej si i penduar në artikullin në fjalë, ndoshta nuk do e merrja mundimin të shkruaja. Do më dukej një hipokrizi e pështirë, gjithsesi, por të paktën nuk do bëja me faj as kryeredaktorët që kanë botuar shkrimin e tij, dhe as gazetarët që heshtin përballë kësaj gjëme. Është gjëmë e madhe, sepse një agresor dhe armik i medias guxon të na japë mend dhe të na tregojë se si duhet të shkruajmë. E gjitha kjo përmes fjalive të tij gjysmake e pa bosht, që nuk e di pse më vinin era naftë, nga ajo që të përzien zorrët se është e përzierë dhe me gjëra të tjera.

Menjëherë pas burgimit të vonuar, lirimit dhe Lirisë autike, ai u bë pronar i një televizioni të dorës së dytë në Tiranë. Ky ishte lajm i trishtuar, sado që televizionin as e shihte, as e sheh kush. Njerëz të tillë thjesht bëhen megafonë të pushtetit dhe pasi kanë bërë e ç’kanë bërë, duan të vishen dhe me “imunitet” gazetari për të mbrojtur zullumet e tyre. Kjo është histori jo e pazakontë në Shqipëri sot, madje është kthyer në normalitet. Por, është dramatike. Ato kohë dëgjoja që paradhoma e TV ‘Alsat’ ishte mbipopulluar nga familjarë të Taçit, dhe ma do mendja që kështu vazhdon. Ka mundësi që kronikën e zezë aty e bën gjyshja, dhe këtë shkrimin që i pashë Taçit tek “Panorama” t’ia ketë redaktuar vjehrra. Nuk po i hyj fare çfarë niveli ishte ai shkrim, koment apo analizë (hajt u bë deti kos), quajeni ç’të doni. Do ishte turp i madh po të merresha me këtë punë.

Por, nuk rri dot pa folur dhe pa thënë se ndjehem shumë e ofenduar që një njeri i tillë, i përfolur për para të pista dhe skandale edhe përtej kufijve të Shqipërisë, një agresor i fjalës së lirë dhe dhunues ordiner fizik i gazetarëve, të guxojë të na japë mend e të na tregojë se çfarë imazhi duhet të përcjellim ne për botën. As propagandë komuniste s’ia vë dot emrin çorbës së shpifur që kishte katranosur. Por, ajo që më merakos është se ky dhe të ngjashëm nuk e kanë hallin tek koha për bashkim, as tek imazhi i vendit, që njerëz si ky e kanë përdhosur njëherë e mirë, por synimi është të na tregojë që tani ka ardhur koha e tij, madje dhe mediatike.

Të gëlltisim gjithçka: bëmat e Taçit, aferat e tij korruptive, grushtet, petkun e tij të shpifur mediatik dhe ta lëmë të lirë atë dhe të tjerë. Mos guxojmë të flasim e të kritikojmë, se përkeqësojmë imazhin pozitiv që Shqipëria duhet të ketë nëpër botë. Dhe, imazhi i Shqipërisë sot është pikërisht fytyra e Taçit, biznesmen, gazetar, kolumnist, bamirësist, ç’doni më. Të gjitha di t’i bëjë, madje të lëshojë edhe mesazhe bashkimi, madje të kritikojë aq pak zëra sa kanë mbetur në media.

Ndjenja e tmerrshme që provoja kur lexoja editorialin “taçist” vinte menjëherë pas ndjesisë aspak të këndshme që më ishte krijuar tek lexoja një lajm tjetër, shumë- shumë të madh:

Ladies and Gentlemen: Vjollca Vokshi is back. Vetë ajo, Vjollca Vokshi kishte mbërritur në Tiranë dhe vetë ai, Berisha e kishte takuar dhe lëvduar. Ishte krijuar një ceremoni e tërë si për t’i dhënë një shans dyshes se famshme të 1997-ës të lundronin në nostalgjinë e të shkuarës së lavdishme që dogji Shqipërinë. Ai nga goja e tij nxori pak a shumë fjalinë se, Vjollca kishte themeluar gazetarinë që kishim sot në Shqipëri. Për herë të parë i dhashë të drejtë!

Ikonë e shkuar, ikonë e përshkruanin gazetat. Megjithatë, s’ma do mendja që të gjithë gazetarët apo kryeredaktorët janë aq të rinj në moshë, sa mos e mbajnë mend se kush në të vërtetë ishte Vjollca Vokshi. Ishte thjesht një spikere pa shkollë apo talent gazetari, por me dhuntinë që të mbante mend përmendësh dhe të bënte teatër para kamerës. Shpejt u bë njeriu më i rëndësishëm i televizionit të vetëm në Shqipëri: “vriste” e “priste” si t’i donte qejfi dhe ishte tmerri i korridoreve për këdo që punonte aty ato kohë. Arsyeja? Shumë e thjeshtë: E kam thënë dikur me një fjali të vetme në një nga numrat e ish-gazetës “Koha Jonë” në 1997-ën, dhe e ndiej për detyrë ta përsëris prapë: “Vjollca Vokshi kalon në orgazëm kur përmend Berishën dhe sukseset e PD-së”.

Ndjesë që po citoj veten, por nuk gjej ende pas 13 vjetësh përcaktim tjetër për të përshkruar se çfarë bëri dhe kush ishte ky personazh. Gjithashtu, trishtohem kur sjell bashkë dy epokat. Ato ishin kohërat kur gazetarët futeshin nëpër burgje dhe gazetat digjeshin, dhe e kuptoja shumë mirë pse shumë kishin frikë të flisnin. Më kujtohet se pas atij shkrimi, përveç agresionit, fiks si të llojit të Taçit, që fatmirësisht mbeti në tentativë dhe grushti nuk arriti deri tek unë, shumë njerëz që punonin në TVSH më takonin fshehurazi dhe më përgëzonin, sepse u kishte ardhur në majë të hundës diktatura e Vokshit. Prova që Shqipëria është nën të njëjtën dhunë frike dhe presioni, është heshtja e atyre që i dinë mirë faktet për Vokshin e të tjerë. Ndaj, mendoj që ashtu si dikur dhe sot më duhet të flas akoma, edhe për hir të atyre njerëzve fisnikë dhe të talentuar të TVSH-së dhe të shoqërisë civile që i dinë të gjitha dhe që kanë vendosur të heshtin për arsyet e tyre.

Vokshi ishte një njeri propagandistik si zgjatim i deklamacionit komunist, në një televizion shtetëror dhe të vetmin e asaj kohe. Ishte një spikere që u shndërrua në një megafon berishist për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të thënë që Lushnja apo Vlora janë në paqe, kur këto qytete digjeshin dhe njerëzit vriteshin. Po të mos ishte kohë lufte dhe të kishte pasur gazetari investigative qysh atëherë, ose të paktën sikur vetëm “Fiksi” të ekzistonte, nuk është çudi që të kapnin mat pamje të të ashtuquajturës gazetare e madhe duke bërë kontrabandë apo biznese me fytyrën dhe pasaportën e burrneshës së Televizionit Shqiptar. Përpos gjërave të tjera…

Korrupsioni dhe agresioni, të dashur lexues, nuk lindi me Taçin, ai nuk është as i pari, as i fundit, ka lindur shumë e shumë herët në Shqipërinë e postkomunizmit, ose më saktë në Shqipërinë e Berishës. Por, fatkeqësia është që Shqipëria është një vend pa ligj, pa drejtësi, që drejtohet nga batakçinj dhe që së fundmi është dhe një vend pa media. Shumica e atyre që shihni nëpër ekrane nuk janë gazetarë, janë pasardhësit tranvestitë të Vjollca Vokshit, janë aty për të reklamuar veshjet, orët si edhe sukseset e qeverisë.

Po nuk ja vlen as marrja me një emër të tillë, përveçse për t’ju kujtuar se ka njollosur gazetarinë e atyre viteve dhe ka krijuar një model të keq që shihet ende nëpër televizionet proqeveritare. Të ndjekësh një model mund të tingëllojë mirë, por ama kur ky është modeli i mirë. Kur është modeli më i shëmtuar i mundshëm, kjo është e trishtueshme. Ndaj, lutje për kolegët gazetarë të të gjitha kronikave, që mos përdorin më fjalën ikonë për atë apo për këdo tjetër në Shqipëri. Nuk ka ardhur ende koha e ikonave në gazetarinë shqiptare. Dhe, duke e përdorur kaq dendur këtë fjalë, po më duken të gjithë sikur janë lindur dhe rritur në Viçidol, mes malit, pyllit dhe garrumit me misra para syve. Lutje dhe për kryeredaktorët që botojnë paçavuret e turpshme të një agresori: Mjaft se na hapët barkun!