
Agron TUFA
Ka një të vërtetë në gjithë debatin që është zhvilluar para dhe pas Konferencës shkencore mbi gjuhën shqipe, të organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Durrës. E vërteta është, se Standardi i Gjuhës së Njësuar Letrare nuk i përgjigjet realitetit të ri gjuhësor joideologjik, sidomos në kushtet e një dinamike të madhe në komunikimin e botës shqiptare mesvedi, e aq më tepër zgjerimit gjithnjë në rritje të komunikimit brendagjuhësor midis trevave tona etnokulturore, që nisin nga Jugu i skajshëm deri në Tivar, Mitrovicë, Luginën e Preshevës, Shkup e deri në Ohër. Pra, nuk është më realiteti i dikurshëm i folësve të shqipes brenda ish-territorit të RPSSH-së! Dhe Gjuha duhet t’i përgjigjet e ta pasqyrojë këtë realitet me dinamikën e vet të brendshme komunikative.
Tanimë lumi Shkumbin nuk është kufiri që ndan thuajse në pjesë proporcionalisht të barabarta regjionet e ish-RPSSH-së, qoftë nga pikëpamja gjeografike, qoftë nga pikëpamja numerike e folësve. A duhet të trishtohemi për këtë realitet të ri të zgjeruar? Kurrësesi jo! Një gjuhë që s’është në gjendje të shprehë elasticitetin e “bumit” të etnisë, që në vend që të “përfshijë”, “përjashton” realitetin e folësve të vet, bëhet pengesë serioze për shprehjen e përbashkët të botës logjike e emocionale të psikes kombëtare.
Prandaj në masën e zhvillimeve sociokulturore dhe politike të zgjerimit të botës shqiptare, gjuha (sidomos gjuha) nuk mund të mbetet një strukturë e ngrirë, konservatore dhe fanatike, njashtu siç e kanë ngulitë vendimet arbitrare të politikës komuniste në vititn 1972. E them me tepër përgjegjësi e sinqeritet këtë, jo si opinion, por si bindje shkencore, si filolog që gjuhën e ka studiuar si shkencë në universitetet shqiptare dhe të huaja; së paku, për ata që i ngrenë kult vllahut Andorokli Kostallari, jam i shtrënguar të them, se edhe unë gjuhën e kam mësuar në shkencat e po asaj kulture ku ka mësuar Kostallari, veçse me një ndryshim: studimet e mia nuk i përkasin asaj periudhe tejet të ideologjizuar të linguistikës kur e vetmja risi diskursive ka qenë përplasja e tezave të dy Josifëve (Stalinit dhe Marrit). Besoj, se nuk është nevoja të shtoj, që gjuhën unë nuk e shoh vetëm si kavie eksperimentale në tryezë; nuk i qasem asaj me bisturi në dorë me urdhër nga Lart… Përkundrazi, Gjuha është Qenia ime! Si studiues i saj, si përdorues, si lexues, si krijues e përkthyes.
Prandaj për mua gjuha nuk është një mjet thjesht komunikimi për nevoja të ngutshme, sa për të përmbushë capak nevoja të ngjashme me ato të politikanëve: nevojat e mia nuk përmbushen me 100-150 fjalë e fjalëforma si të politikanëve. E ndjej veten princ të një trashëgimie të madhe e të begatë dhe të vetmet zotërime që kam, janë zotërimet e gjuhës shqipe nga dialektet çame deri tëk gojëfoljet e Medvegjës e Bujanovcit. Askush nuk mundet me më privue prej kësaj pasunie… dhe s’ka për t’ia dalë. Në të njëjtën kyç kuptimor e demokratik duhet me i kuptue edhe Shënimet e M. Camajt mbi gjuhën e veprave të tij letrare, të cilat nuk u botuen në Veprën e Plotë, edhe pse u premtuen. Ja një fragment nga dorëshkrimi i Camajt:
“Forma ka ndërrue prej Poezive (1953-67) vazhdimisht. Ka ndërrue edhe gjuha, sepse e kam ndjekë zhvillimin e saj edhe pse gjuhën e kam si zanat. Këtu mundet me u thanë se unë jam përpjekë të ndjek këtë zhvillim edhe në shkrimet e mia. Pjesë kryesore e formës sidomos në poezi ashtë gjuha vetë; ajo ashtë jo vetëm ngjyra e veprës letrare, por edhe përmbajtje. Reformën gjuhësore që ka ba Tirana e pranoj deri aty ku mundet me ba kompromise nji gegë që e njeh historinë e shqipes e të kulturës së saj. Por edhe ata që i thonë vetes ‘tradicionalistë’ (ose gegnisht ose tosknisht) duhet ta pranojnë se ekvilibri mes dy varianteve të shkrueme të shqipes ashtë prishë prej përziemjes që kanë ba në Tiranë: shartimi i tosknishtes në gegnishte.
Gjuha ime ashtë pak a shum ajo variante që shkruhej në Shkodër në vjetin 1968. Unë jam krejt i bindun se kam mbajtë qëndrim të drejtë dhe besoj se atë ditë në të cilën shqiptarët kanë me thanë fjalën e vet lirisht mbi këtë pikë kanë me më dhanë të drejtë, pa marrë para sysh a kanë me ndjekë qëndrimin tim ose atë të Tiranës. Së paku këtë jam i bindun: vetëm me nji gjuhë që ka rrajet e veta në popull munden me u shkrue vepra letrare të vlershme. Tradita nuk mundet me u marrë nëpër kambë si nji petk që veshet e zdeshet si mbas andjes të nji vetje ose klike. Nuk kam dashë me e shprehë këtë mendim me anë traktatesh ose deklaratash të thata (ndonëse as këtë sjellje të ndershme nuk e nënçmoj) në gazeta ose revista; unë po përpiqem ta dëshmoj këtë në praktikë1 “.
Në të gjitha diskutimet mbi gjuhën, Standardin letrar dhe dialektet, që janë zhvilluar gjithë frikë e ndërpremje, deri tek i mbrami në Durrës, kam ndeshë mosdurim, hipokrizi, prapaskena, “shtrëngime radhësh” dhe qëndrime “besnikërie” në emër të lloj-lloj fanatizmash – të gjith – deri diku të arsyetueme. Asnjëherë nuk kam përkrahë dhe nuk kam mbajtë qëndrime pro njërit krah apo pro tjetrit. As sot nuk mendoj, se për shkak të padrejtësive të vitit ’72 gegnishtja duhet të zëvendësojë toskërishten! Kurrë dhe asnjëherë nuk mund të ndreqet një padrejtësi e vjetër me një padrejtësi të re! Asnjë vendim ekstrem nuk shpie në përfundime të pranueshme, pa shkaktuar lëndimin e njërës palë. Është e vërtetë se situatat gjuhësore kanë prekë realitete të reja. Është e vërtetë se problemin e gegnishtes sot trashëguesit e vitit 1972 e paraqesin kinse demokratikisht: “Kush të dojë le të shkruaj në gegërisht”. Ama, sapo të shkruash në gegnisht, të thonë: “ke mbetur jashtë komunikimit, sepse ke shkruar në gegërisht!”.
Është e vërtetë se folësit gegë gjenden në një raport tëhuajsues me GjNjL-në. Për ta shkalla e tëhuajësimit mund të shprehet nëpërmjet një pohimi, që përbënte titullin e një shkrimi (të pabotuem): “Mendoj gegnisht, ndjej gegnisht, shkruaj toskërisht!”. Për këta folës ligjet e Standardit, edhe kur janë idhujtarë të tij, prodhojnë produkte qesharake. Një shkencëtar kosovar, që më kundërvihej (S. Fetihu), shprehet: “thënë më troq…”. Unë e kuptoj se në këtë frymë ai mund të shprehej, fjalavjen: “Troq, qiftelia donë të bën me dije: çoftë i lumtur qifti!”.
Çfarë teze mbroj unë në kushtet e një shpërthimi të madh komunikativ midis shqiptarëve në Ballkan?
Paskajorja si regullatore dhe paqëtuese e Standardit të përbashkët
Teza ime i përmbahet kthimit të paskajores, që ekziston në gegnishte dhe ka ekzistuar që në dokumentimin më të hershëm të shkrimeve shqipe. Repertori i të gjitha teksteve shqipe dëshmon ekzistencën e paskajores nga Buzuku deri në shekullin XX, me përjashtim të pak teksteve në toskërisht dhe biblës së Vangjel Meksit (1827), të shkruar me alfabetin grek dhe vjen e fuqizohet në fund të shekullit XIX me traditën pas Naim Frashërit. Paskajorja është një ndër kategoritë kryesore të gjuhës dhe pesha e saj në ligjërimin letrar është e pazëvendësueshme.
Ajo nuk mund të kompensohet, siç kërkojnë të bëjnë alibinë ithtarët e Standardit, me format e përcjellores (duke) plus pjesoreve (-uar), as me parafjalën (-për) plus lidhoren (të). Nuk kompensohet paskajorja “me qenë” me format e tipit “për të qenë” dhe “duke qenur”, sepse janë kategori kuptimore krejt të ndryshme. Gegnishtja të njëjtat forma të toskërishtes i jep përkatësisht – “për me qenë” dhe “tue qenë”. Ndërsa paskajorja gege “me qenë”, jepet në GjNjL sipas toskërishtes, në vetën e parë, numri njëjës, mënyra dëftore: unë jam! (Interesante, pse nuk e thonë: mënyra tregore?). Vetë Faik Konica ka qenë ithtar i përdorimit të paskajores. Madje edhe vetë e përdorte me raste paskajoren gege. Për çudi, në Historia e Gjuhës Shqipe të Shaban Demirajt as që zihet në gojë Konica. Paskajorja është kategoria më rëndsishme e tharmimit të një gjuhe. Si formë pavetore e foljes, paskajorja e dëften veprimin në trajtën më të përgjithshme të tij. Më së shpeshti paskajorja shërben si bazë e formës së foljes2 .
Në fakt ndryshimi më i madh morfologjik midis gegnishtes dhe toskërishtes është prania e paskajores tek gegët dhe mungesa e saj tek toskët. Paskajorja e gegnishtes krijohet me parafjalën me (analogjikisht me anglishte – to), e cila është reduktue në pjesëz, plus një pjesore të së shkuemes të apokopueme: me tha; me përba, me pri, me pru, me shty, me blue, me shpërthye (folje me temë në zanore).
Toskërishtja e zëvendëson paskajoren me një shprehje të formueme prej parafjalës për, plus pjezëzën të të lidhores, plus pjesoren e shkueme të plotë: për të tharë, për të përbërë, për të prirë, për të prurë, për të shtyrë, për të bluar, për të shpërthyer dhe për të hapur, për të qeshur, për të britur, për të qëndisur, për të folur. Por ky zëvendësim funksionon mirë kur është fjala për fjali qëllimore ku për të ka kuptimin e “me qëllim që”. Kështu gegnishtja Duhet durim për me kapërcye pengesat është identike me toskërishten Duhet durim për të kapërcyer pengesat. Veçse një fjalë gege e prime nga një folje modale Due (mundem) me lexue nuk mund të jepet në toskërisht me të njëjtën strukturë – Dua (mundem) për të lexuar, por vetëm Dua (mundem) të lexoj, pra folja modale plus lidhoren e foljes bazë.
Po kështu një fjali e tillë si I thashë me më ba me hangër nuk mund të thuhet si: I thashë të më bënte të ha, gjë që në toskërisht tingëllon shumë shëmtuet, sepse “me më ba me hangër” është shprehje idiomatike gege që nuk ka gjegjëse në toskërisht. Dhënia në toskërisht e shprehjes kishte me qenë: I thashë të më bënte gati drekën. Po kështu një fjali kushtore gege si Me ma falë, s’e marr, detyrimisht duhet të ndërtohet ndryshe në toskërisht: S’e marr, edhe po të ma falësh. Me fjalë të tjera, paskajorja toske e formueme me fjalëzat për të plus pjesoren e shkrueme të foljes bazë nuk është e njëjta me paskajoren gege që formohet prej me plus pjesore e shkueme. Ndërsa paskajorja gege përkon me infinitivin e anglishtes, shprehja toske me të njëjtin emër nuk përkon. Një shprehje e tillë: Me punue asht detyrë nuk mund të jepet në toskërisht Për të punuar është detyrë. Duhet t’i sillemi një emri prejfoljor: Të punuarit është detyrë.
Mungesa e paskajores në toskërisht (e cila duhet të jetë relativisht e vjetër, sepse nuk e gjejmë as te fragmentet e Ungjillit, por as tek Matrënga) ka lënë pasoja te formimi i kohës së ardhme. Gëgnishtja ka dy të ardhme, njena e formueme me të tashmen e foljes ndihmëse me pasë plus paskajoren e foljes bazë dhe një tjetër, e formueme prej modales së pandryshueshme do plus lidhoren e foljes bazë: kam me shkue dhe do të shkoj, fjalë për fjalë “më duhet me shkue” dhe “dëshiroj me shkue”. Toskërishtja ka vetëm këtë të fundit. Dukuria ka rrjedhoja stilistikore. Ndërsa gegnishtja mund ta shmangë përsëritjen tue iu sjellë sa njenës formë, sa tjetrës, toskërishtja nuk e ka këtë mundësi. Le të shohim fjalitë e mëposhtme:
G Nuk kam me mujtë me ardhë sot, por do të vij nesër.
T Nuk do të mund të vij sot, por do të vij nesër3 .
Fjala gege e shmang përsëritjen e e vij tue përdorë të ardhmen që formohet me kam – plus – paskajore. Në fjalinë toske janë tri lidhore, kurse dy paskajore e një lidhore në përgjegjësen gege. Përmbajtja morfologjike e së parës është më e larmishme.
Për rrjedhojë gegnishtja ka dy forma të kushtores, njena prej të cilave vjen prej kombinimit të së pakryemes së ndihmëses me pasë plus paskajoren: kisha me shkue, ndërsa tjetra formohet prej të pakryemes së lidhores plus pjesëzën do: do të shkojsha. Toskërishtja ka vetëm do shkoja. Prapë edhe këtu gegnishtja është më e begatë. Kushtorja del te Pjetër Bogdani – me gjasë ndikim i italishtes: “Kishinë me u shërbyem – s’haveriano approffitato” , ‘kishin me përfitue’ ose “aj kishë për t’u kallëzuem një kamerë ndëtë sijet kishin për të gjetunë kafshetë – egli mostrarebbe loro una stanza dove haveriano trovato le cose”, ‘ai do t’u tregonte një odë, ku ata do t’i gjenin sendet’. Tek Gramatika e Gjuhës Shqipe, Demiraj hesht rreth ekzistencës së mënyrës kushtore në shqip, ndoshta i ndikuem prej shkollës Albanologjike të Berlinit Lindor (Buchholz, Fiedler, Uhlich: Worterbuch Albanisch – Deutsch), të cilët regjistrojnë vetëm variantin toskë, të cilin e quajnë ‘Futur – Conditional’ (E ardhme – Kushtore).
Gegnishtja ka një kohë dy herë të përbërë që i përgjigjet plusquamperfektit të anglishtes si p.sh.,: kam pasë shkue, që toskërishtja nuk e ka 4.
Paskajorja rrit aftësinë shprehëse të gjuhës
Të gjitha këto forma të gjuhës e ligjërimit të lidhuna me paskajoren gege jo vetëm që i japin kohën e saktë, kuptimin e saktë dhe mënyrën e saktë shprehjes, por ekonomizojnë pakufijshëm të folmen. Paskajorja është kategoria gramatikore që e mobilizon, kompaktëson dhe rrit elesticitetin e gjuhës me u fut me lëhtësi të jashtëzakonshme në marrëdhënie me të gjitha trajtat e format e ligjërimit, sidomos rrit shkallën e përftimit abstrakt të kuptimeve. Paskajorja është e domosdoshme kur operacionet semantike e spektrat emocionalë duhet me luejtë rolin vendimtar në sferën e poezisë, përkthimit, filozofisë, shkrimeve të shenjta dhe terminologjisë së studimeve humanistike.
Le t’i përmbahemi një shembulli nga përkthimi i Nolit në monologun e Hamletit ku heroi pyet veten nëse jeta ishte e denjë për t’u jetue, një shprehje kjo e ndërtueme me paskajore. Përkthimi i Nolit për “to be, or not to be” jepet “të rroç a të mos rroç”, ku rroj (gegnisht – rrnoj) ka kuptimin “jetoj” dhe jo “jam”. Pse vallë i bishtnoi Noli literales “të jesh a të mos jesh? Sepse perceptimi i tij i hollë estetik e ka ndie se lidhorja të jesh nuk bart mjaftueshëm atë peshë zanore, ndërsa rroç, një fjalë që fillon me rr dridhëse dhe e pasueme prej një o-je të errët, blatohet më mirë për të shprehë konceptin pesimist të Hamletit për jetën. Por “to live” (të rrosh, të jetosh) është e zhveshun prej thellësisë metafizike që ka folja “to be” (me qenë) – sepse mund të jetojë/banojë pa e provue kurrë mundimin cfilitës të Hamletit, nëse dikush duhet apo jo të ekzistojë ndopak. Tashti të shqyrtojmë një përkthim gegnisht të frazës në fjalë “me qenë a mos me qenë”.
Paskajorja me qenë nuk e personalizon alternativën, sikuse ndodh me lidhoren që e ven foljen në vetën e dytë të njëjsit. Tue thanë “të jesh a të mos jesh” folësi i drejtohet vetes si të ishte një “ti”. Kur thotë “me qenë a mos me qenë”, ai nuk i drejtohet më vetes, por e ngre veten në një pikëpyetje, tue sfidue vetë ekzistencën. Folja në paskajore duket sikur na sjell ndër mend një dimension pafundësie, i cili është në kontrast të mprehtë me fundësinë kohë-hapsinore të folësit, të cilën e sugjeron veta e dytë e njëjsit të së tashmes së lidhores. Çka e ka folja në lidhore, i mungon në paskajore dhe anasjelltas.
Le ta krahasojmë tashti shqipërimin e Nolit “to be, or not to be, that is the question” në “të rroç a të mos rroç, kjo është çështja” me një sprovë shqipërimi në gegnisht: “me qenë a mos me qenë, kjo asht pikpyetja”. Ritmi është i njëjti, theksat metrikë bien te rrokjet e dyta, të gjashta, të shtata dhe të dhjeta në të dy këta 11 rroksha. 5 ë-të e 11 rrokshit toskë i japin vargut një hap të butë, fort të ashpërsuem prej dy rr-ve. Vargu gegë, pa asnjë ë, zotëron një shkallë më të pasur vokalike: tre a, njena prej të cilave është hundore, katër e, dy prej të cilave hundore; një o dhe një y. Numri total i zanoreve në të dy vargjet është pothuajse i njëjti: 10 në gegnisht dhe 9 në toskërisht. Edhe numri i zanoreve të ndryshme është i njëjti: gegnisht – a, e, o, y dhe toskërisht – a, e, ë, o. Por vargu gegnisht ka një gamë më të pasun vokalike, mbasi fut edhe tre hundore (2 e dhe 1 a) 5.
Tabuizimi i paskajores
Në shkencën shqiptare të albanologjisë, në universitet, në studimet tekstore të repertorit gegë, kurrë nuk është ngritur diskutimi mbi paskajoren. Thjesht profesorët trashëgimtarë të testamentit të 1972 refuzojnë me iu përgjigjë pyetjeve të tilla. Sipas tyne idila e standardit të 1972 nuk duhet cënue me asnjë pyetje. Studentët e mi kërkuan me u folë rreth paskajores së dëbueme prej shqipes letrare. Lind pyetja: ç’punë u prishte paskajorja, përpos se me qenë e vetmja urë, e cila do të sheshonte ndër vite dallimet dialektore të shqipes? Unë mbetem i mendimit, se vetëm ajo është “dorëzanë” e afrimit dhe bashkimit të dallimeve gjuhësore në një të folme të përbashkët letrare – një nyjë e pazgjidhshme e standardit për të gjithë shqiptarët.
Prandaj kthimi i saj e shmang diskursin e lëndimeve të vjetra historike dhe padrejtësive mbi gegnishten dhe hap njëherësh perspektivën e një miksteri gjithpërfshirës të gojëfoljeve shqipe në një strukturë kompaktë, të quajtun Standard i GjNjLSh. Sepse Standardi nuk është një iriq fanatik, i mbyllun brenda gjembave të vet ndaj çdo ndryshimi, në analogji me tkurrjen, hermetizmin dhe izolacionin komunist ndaj vetes dhe botës.
Dikur, siç e pohon gjuhësia historike, gjuha shqipe nuk ka pasë dallime. Edhe toskërishtja e ka pasë paskajoren. Ekzistojnë teza të shumta rreth humbjes së paskajores në disa gjuhë ballkanike, siç janë bullgarishtja, maqedonishtja, arumanishtja dhe greqishtja. Shqipja e humbi paskajoren e saj në Jug, para se të lindte dikotomia gëgë-toskë. Ka një shpjegim historik, që në versionin tim është si vijon, përderisa deri më tash nuk kam gjetur ndonjë fakt që të vejë në dyshim:
Siç dihet, para se të vdiste perandori romak Theodosi (shekulli IV e.j), ai ua la trashëgim perandorinë dy bijve të tij, duke e ndarë në dy pjesë: Perandoria Romake e Lindjes (Konstandinopolis) dhe Perandoria Romake e Perëndimit (Roma, Vatikani). Diferencimi i dy pjesëve të Perandorisë ndoshi me dallimin e ritit religjioz zyrtar të kristianizmit: Perandoria Romake e Lindjes, e quajtun më vonë Bizanti, iu përmbajt ritit ortodoks, ndërsa Perandoria Romake e Perëndimit, iu përmbajt ritit katolik roman. Kufiri i dy Perandorive ka qenë Vija Egnatia që kalon mespërmes Shqipëris së sotme, përgjatë rrjedhës së Shkumbinit. Pjesa e shqiptare poshtë Shkumbinit iu nënshtrue me shekuj të gjatë ritualeve fetare ortodokse në gjuhën greke të Bizantit dhe dihet se i vetmi institucion i pandërpremë, që ka ushtrue pushtetin e vet në popull ka qenë kisha, festat kalendarike, ritet e lutjeve, pagezimeve etj. Greqishtja kishtare nuk e ka pasë paskajoren.
Kështu mund ta përfytyrojmë se si, ndër shekuj e shekuj, paskajorja e shqipes në Jug është brejtë e ngrënë në një “ambient acid”, derisa e ka humbë paskajoren e vet nën ndikimin kishtar grek. Ka dhe raste kur në këngët e vjetra dhe baladat e lashtë të jugut dhe arbneshëve na del herë-herë eshe paskajorja e tretun. Nga ana tjetër, pjesa shqiptare që mbeti mbi Shkumbin, nën juridiksionin e Vatikanit zbatoi ndër shekuj besimin katolik me ritet romane, e elspozueme nën gjuhën e predikimit kishtar latin.
Latinishtja e ka pasë gjithmonë paskajoren, andaj paskajorja gege nuk ka qenë nën presionin e zhdukjes së paskajores, por e ka zhvillue atë përshtat me situatat gjuhësore, siç i ndeshim në ta parin libër shqip të Gjon Buzukut. Kjo sa për histori, me aq sa mund të paraqitet në një shkrim ku lypet ekonomi sipërfaqjeje. Mbase ky shpjegim mund të shërbejë si nxitje për t’iu kthye pambarismisht problemit të paskajores, në të gjitha aspektet e mundshme, përkundër atyne, që nuk dëshirojnë aspak të flitet për të. Dhe kuptohet se përse…
—————
1-Tekst dorëshkrim, i llogaritur dhe i premtuar të botohej në kolanën e veprave të plota të Martin Camajt, por që nuk u botua. Teksti me sa di unë është botuar në suplementin e GSH “Milosao”. Unë e kam të dërguar prej Hans-Joachim Lanksch-it. Nuk ka dyshim mbi vërtetësinë e tij. Diçka të ngjashme e gjen dhe në letrat e Camajt botuar në numra të ndryshëm të revistës “Abanika” (1,2,3,4)
2-Arshi Pipa: “Politika e Gjuhës në Shqipërinë Socialiste”, Princi, Tiranë 2010
3- Po aty
4-Arshi Pipa: “Politika e Gjuhës në Shqipërinë Socialiste”, Princi, Tiranë 2010
5-Po aty
Ky shkrim asht marre prej Gazeta Start Online
Copyright 2009 © GazetaStart.com







