Nga Lorenc Vangjeli, 20 Tetor 2012
Ka një mallkim të hershëm në shqip: “U marrsh me politikë”! Në shekullin që Shqipëria njohu veten si vend i pavarur, politika lokale ka qenë vërtet një mallkim fatal për të gjithë ata që kanë hedhur zarat e fatit në këtë fushë. Nuk ka pasur përjashtime që të përforcojnë rregullin: kush merret me politikë duhet të presë, herët a vonë, fat të zi. Për veten dhe të afërmit. Kështu ka ndodhur, edhe kur ky mallkim ka tingëlluar përkohësisht, vetëm përkohësisht si bekim. Për njerëz pa vlerë, të rastësishëm dhe pa identitet që politika duket se u ka dhënë përmasë rëndësie që kurrë nuk e kanë merituar. Por edhe për ta, ka pasur një çast fundor, që vërtet politika është u shndërruar në mallkim. Qoftë dhe duke i dërguar thjesht nga “lavdia” në harresë apo dhe më keq, kur janë harruar burgjeve.
Kush ka shpëtuar nga një short i tillë? Ngjan se askush. Në të gjithë rreshtin e burrave që firmosën Deklaratën e Pavarësisë, nuk gjen asnjë prej tyre që fatin vetjak apo të pasardhësve të mos e ketë pasur të shenjuar me të zi për shkak të politikës.
Nga gjithë klasa politike e viteve 20’-30’, askush nuk mundi të mbijetojë deri në një pleqëri të qetë pa jetuar apo pa u ekzekutuar për shkak të politikës. Katër dekadat nën komunizëm e përforcuan edhe më shumë këtë trill ballkanik të fatit që në Shqipëri shkoi në ekstrem. I mbijetuari i vetëm Enver Hoxha, e pësoi në bronz mbas vdekjes. Deri në vdekje nuk ishte i qetë as pasardhësi i tij Ramiz Alia.
20 vjet pluralizëm? As këto nuk bëjnë përjashtim nga rregulli, sa më lart të të ngjitë politika, aq më e egër dhe e dhembshme rënia. Në skenën kaotike të politikës ka parakaluar një brigadë e tërë me individë që janë marrë me këtë sport, shumica e të cilëve janë të zhytur në anonimitet sot, ndërsa çfarë ka mbetur në skalionin e parë, domethënë, që janë ende në lajme televizive, herët a vonë, do të kenë sërish të njëjtin fund e përbuzje. Pse ndodh kështu? Sepse politika në Shqipëri është një profesion që nuk lejon të të bëjnë bust. Ose edhe kur derdhesh në bronz, metali dhe piedestali është thjesht i përkohshëm. Ose hipokrit. Si në rastin e statujave që do të ngrihen në Tiranë për 100 vjetorin e pavarësisë kur do të bëhen bashkë edhe viktima, edhe vrasësi.
Këtij fati duket se kërkon t’i shpëtojë me dëshpërim Sali Berisha që për të nesërmen, i bën hesapet kryesisht me historinë dhe bronzin që i ka premtuar vetes. E bën këtë edhe kur i flet subkoshienca përpara kamerave me zë të lartë, edhe kur lutet për 30 vjet të tjera pushtet, në përpjekje për ta larguar sa më shumë çastin e mbramë. E kotë! Do ta duan shumë sa ndodhet në krye, do ta urrejnë pafund e do ta dënojnë me vetmi sapo të largohet nga pushteti duke ringjizur atë raport të pandashëm dashuri-urrejtje, që në fakt i referohet thjesht dhe vetëm politikës. Dashuria e radhës do t’i blatohet me të njëjtën hipokrizi pushtetit të radhës. A nuk ndodhi kështu dhe me Fatos Nanon?
Ka dhe një kategori tjetër shqiptarësh. Më të mjerët, më të vuajturit, më të dëshpëruarit. Ish-të përndjekurit politikë, prej një muaji pothuaj, në grevë urie, e kanë provuar në lëkurën e tyre se të marrit me politikë në Shqipëri është një sport i marrë, një sport ekstrem dhe tragjik. Të mallkuar në dy sisteme, ata janë larg rivendosjes së të drejtës së tyre, kryesisht morale. Instikti i viktimës së përhershme i ka shtyrë ata t’i largohen të vërtetës dhe të shmangin shkakun e vërtetë të situatës së tyre: sa më shumë greva e tyre bëhet politike, aq më shumë ata kërkojnë ta largojnë atë përmasë. Kjo është dhe një nga arsyet se edhe pse kanë krijuar tashmë një kauzë, kanë mbetur të vetmuar nga përkrahja e munguar e qytetarëve të tjerë.
Duke mbetur me premtime pothuaj të parealizueshme në formë ligji në xhep. Ndaj sakrifica e tyre ekstreme kësaj here, ndoshta kësaj here më shumë se cilëndo herë tjetër, më shumë se atyre vetë, do t’i shërbejë shoqërisë shqiptare. Si një shembull tjetër ulëritës që vërteton se politika deri më tani, ka qenë mallkim në këtë vend. Sepse ka qenë gjithmonë meskine, e egër, egoiste. Ka qenë e paaftë dhe hakmarrëse. Kështu ka ndodhur dhe kështu do të ndodhë edhe më tej. Edhe atëherë kur duket se marrëdhënia me djallin politikë ka dhënë lumturi, edhe atëherë kur djajtë politikë kanë afruar statuja të rreme e të përkohshme prej bronzi. Piedestali ka qenë e do të jetë gjithmonë i mallkuar.